Beeplog.de - Kostenlose Blogs Hier kostenloses Blog erstellen    Nächstes Blog   

Navigimi

Login / Verwaltung
 · Anmelden!

Kategorien

RSS Feed

Lidhje

HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis" - Ukshin Hoti

Kontakti


Du befindest dich in der Kategorie: Opinione

Donnerstag, 19. April 2007
Nyja shqiptare
Von ajkashqiptare, 03:53

A do të mbulohet sërish kriza me krizë?!

(Ose: Si pritet të (mos)zgjidhet çështja shqiptare pas afro 100 vjetë ndarjeje, okupimi e diskriminimi)

Nga:Qemal Aliu

Po mbushen gati 100 vjet që kur shqiptarët u kurbanizuan për hir të “interesit jetësor” të Fuqive të Mëdha, përkatësisht të “ruajtjes së paqes në Evropë”. Edward Grei, atëbotë ministër i jashtëm anglez, duke dhënë shpjegime para Dhomës së Komunave për çështjen e caktimit të kufijve të Shqipërisë, ndër të tjera, pat deklaruar: “Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por, duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë.

Sot, në prill të vitit 2007, por edhe përpara e pas tij, Fuqitë e Mëdha janë detyruar, sërish, të ulen e ta marrin në dorë “pataten e nxehtë” shqiptare, të kurbanizuar më 1913, për hirë të mospërhapjes së konfliktit midis tyre, pra Fuqive të Mëdha, me të vetmin ndryshim se tash, “eskortës” së atëhershme vendimmarrëse, i është shtuar edhe SHBA-ja! Po, përse? Ç’iu duhet sërish këtyre Fuqive të merren me këtë çështje kur dihet se ( e pranojnë vetë ato) për të vënë “rend në Evropë” u flijua e u thelua në 5 pjesë mu Shqipëria dhe shqiptarët?!

Flijesa e kotë

Faktet historike, si kokëforta që janë, mëse qartë dëshmojnë se në këtë kohë shumëçka nuk eci në drejtimin e duhur. E dhëna se gjatë periudhës 1913-2007, në trojet europiane dhe jo vetëm në to, u zhvilluan konfliktet dhe luftërat më të përgjakshme gjatë gjithë historisë njerëzore (Lufta e Parë dhe ajo e Dytë Botërore, luftërat në Kroaci, në Bosnjë, në Kosovë, etj.)me ç’rast janë vrarë, masakruar, dhunuar, maltretuar e torturuar miliona njerëz të racave, të feve, të kombeve, të bindjeve e të ideologjive nga më të ndryshmet, para së gjithash në Evropë, por edhe më gjerë, janë dëshmia më e tmerrshme e këtij pohimi. Flijesa shqiptare, kështu, rezultoi e kotë, sepse ngjarjet, që rrodhën pas saj, provuan se konfliktet në mes të Fuqive të Mëdha, as nuk mund të pakësoheshin e aq më pak të shtoheshin, pavarësisht se si do të zgjidhej çështja shqiptare. Doli kësisoj, se, vendimi i Londrës për coptimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në emër të “ruajtjes e paqes në Evropë”, u përdor nga Fuqitë e Mëdha vetëm si slogan mashtrues, si kamuflim i asparatave dhe qëllimeve të tyre kolonialiste, ekspansioniste e imperialiste.

Se pazarllëqet në kurriz të Shqipërisë e shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha më 1913 e më vonë, e veçmas me krijimin e të ashtuquajturës Jugosllavi (Mbretërisë SKS) ishte gabim historik dhe tragjik i këtyre fuqive, në një ose në një mënyrë tjetër, do ta dëshmojë shumë më vonë edhe vetë Richard Hollbruk, negociatori i Marrëveshjes së Dejtonit dhe i Konferencës së Rambujesë, në parathënien e veprës “Paris, 1919”, të historianes kanadeze, Margaret Mackmilan, kur, midis të tjerash, shkruan: “Në konferencën e Parisit (1919 - vër. ime), Katërshja e Madhe kishte synuar të vinte rregull jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën, por në të vërtetë, vetëm 20 vjet më vonë, u provua se ajo kishte mbuluar krizën me krizë. Një nga këto “kriza” ishte dhe krijimi arbitrar i Jugosllavisë, burimi më i madh i konflikteve në Evropën e sotme”.

Rreziku nga ripulsimi i “rregullave” tragjike

Por, kjo nuk është e tëra. As sot e as këtu, droj, nuk përfundon e tërë historia e tragjedisë së “rregullave” të Fuqive të Mëdha të “ruajtjes së paqes në Evropë”, duke sakrifikuar shqiptarët dhe trojet shqiptare, madje rrezikon të ripulsojë ndjeshëm, edhe përkundër ndryshimit të rrethanave nga 1913-ta, edhe përkundër larjes gati njëshekullore me gjak të atyre “rregullave”. Deklarata e këtyre ditëve e Alfred Guzenbauer-it, Kancelar Austriak se: ”…ne po punojmë aktualisht me miqtë tanë në Serbi, Boris Tadiçin dhe njerëzit e tij, për të gjetur rrugët që të zbatohet esenca e planit të Ahtisarit”; se “… kjo duhet të jetë zgjidhje e mirë edhe për Serbinë edhe për Kosovën, sepse nuk është mirë që cak i strategjisë ndaj Beogradit të jetë ajo që e turpëron”; se “…duhet të gjejmë zgjidhje e cila siguron që nga kjo situatë të dyja palët të dalin kokëlartë”, sikur ushqen krimbin e dyshimit se mos njëra nga Fuqitë e dikurshme të Mëdha të Evropës, po përton të shkëputet nga e kaluara e kërkimit të “paqes në Evropë” duke i kurbanizuar sërish Shqipërinë dhe shqiptarët!

Një si “Teoria e lojrave”

Në matematikë njihet një si “Teoria e lojërave”, e cila madje zbatohet edhe në studimin e politikës. Sipas kësaj teorie, lojërat janë dy llojesh: non-zero-sum game dhe zero-sum game. Lojërat e llojit të parë (non-zero-sum game) janë ato ku të dy lojtarët nuk luajnë për të fituar gjithçka që është në lojë, çka le mundësi për një kompromis që të mbeten të kënaqura të dy palët, ndërsa lojërat e llojit të dytë (zero-sum game) janë ato ku njëri nga lojtarët luan për gjithçka ose për asgjë, prandaj në to nuk ka asnjë mundësi kompromisi dhe nuk ka motiv për marrëveshje. Vallë, cila lojë me radhë kërkon të luhet tash mbi kurrizin e shqiptarëve si popull, kur kërkohet të gjendet “zidhje e mirë edhe për Serbinë edhe për Kosovën”, zgjidhje e cila do të sigurojë që “nga kjo situatë të dyja palët të dalin kokëlartë”? Nga kjo që u tha, me gjasë, nuk ka edhe shumë nevojë të spekulohet.


Por, ne, si për ironi, ende vazhdojmë të jemi popull folklorik, që vazhdon të ëndërrojë e të eksitohet në “delirin e patriotizmit”: nuk jemi pajtuar më 1913, aq më pak pajtohemi tash, më 2007, me ato që na servirin të tjerët! Tamam, si ai athinasi, të cilin e përshkruan Herodi, këtu e mbi dy mijë vjet më parë, kur në betejën navale të Salaminës, e kapi një anije persiane me dorën e djathtë dhe s’e lëshonte dot, gjersa ia prenë; pastaj e kapi me dorën e mëngjër dhe ia prenë edhe atë; atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi dot, gjersa i’a prenë edhe kokën.

Sikur harrojmë se në botën e sotme gjithnjë e më tepër po dominojnë bindjet, sikur ajo e britanikut Samuel Johnson, se: “patriotizmi është streha e fundit e maskarait”; se shpesh nuk mjafton vetëm dëshira për të arritur atë që duam, apo edhe na takon; se idetë dhe aspiratat tona kombëtare nuk mjafton t’i mbështesim vetëm mbi dëshira idilike-folklorike, të cilat nuk dimë e as nuk mundemi t’i arrijmë. E, Rokfeleri, shpesh tërhiqte vërejtjen: “Të gjitha idetë janë të mira, duke përjashtuar natyrisht idetë e këqia. Po, vini re: idetë bëhen me të vërtetë të këqia vetëm kur nuk realizohen dot”.

Sa ide dhe aspirata tona kombëtare kemi arritur t’i realizojmë në këto afro 100 vjetët e padrejtësisë londineze? Apo, sa afër dhe sa larg realizimit të aspiratës sonë më madhore kombëtare ndodhemi tani, kur, sërish, ata që vendosin për fatin tonë janë vënë në garë për gjetjen e “zgjidhjes”, e cila nuk do të provokojë “kriza” të reja dhe “konflikt midis Fuqive të Mëdha”? Le të jetë edhe ky një moment yni i reflektimit

Jo gjithëherë e drejta dhe e vërteta arijnë ta shohin dritën. Historia, këtë, gati rregullisht, e ka dëshmuar. Fundja, veritas filia temporis ( e vërteta është fëmijë i kohës), thotë një proverb latin. Megjithatë, lexova diku: diplomacia është shkathtësi e të gënyerit në shkallë të “realizmit magjik”. Edhe Bizmarku ka pas thënë: “'Në diplomaci thuhen të gjitha, përveç së vërtetës''. Këtij teli, me shumë pompë, i binte edhe Dobrica Qosiqi, kur popullit të tij gënjeshtrën ia atribuonte si patriotizëm: "Gënjeshtra, thoshte ai, është formë e patriotizmit tonë (serbëve-vërej. ime) dhe dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë në mënyrë kreative, me imagjinatë dhe invencion" Ndërkaq, Hannah Arendt gënjeshtrës në politikë përpiqet t’ia vejë edhe bazën “shkencore”, kur thotë: “Gënjeshtra është parë kurdoherë si mjet i nevojshëm dhe i justifikueshëm, jo vetëm për politikanin dhe demagogun, por, gjithashtu, edhe për zanatin e burrit të shteti”' !!!

E ju, lexuesit e mi të dashur, seicili veç e veç, keni të drejtë dhe mundësi të reflektoni dhe të nxirrni përfundimin që mendoni se është më kuptimploti nga kjo që u tha më sipër. Letrat janë mbi tavolinë. Vetë mund ta zgjedhni “lojën” që konsideroni se ka gjasat më të mëdha të luhet në skenën e sotme politike.

Kush do të jetë “pula”

Në tërë këtë vorbull, një gjë, megjithatë, del mëse e qartë. Beteja aktuale kryesore politike e diplomatike për çështjen shqiptare, nëpërmjet statusit të Kosovës, në mes të SHBA-ve dhe Rusisë, i ngjanë asaj betejës së shoferëve amerikanë, që, sipas zhargonit të tyre, quhet “chicken” (pula), e që nënkupton rastin kur dy shoferë, që ecin në një rrugë të ngushtë, përballë njëri tjetrit, i japin shpejtësi maksimale makinës, duke pritur që tjetri të tërhiqet dhe të kthejë timonin anash, për t’ i hapur rrugë tjetrit, në mënyrë që të evitohet përplasja dhe katastrofa. Normalisht, ai që i pari trembet dhe hapë rrugë, quhet “pula”. Kush do të dalë “pulë” në betejën për status të Kosovës, SHBA-ja apo Rusia, shqiptarët apo serbët, mbetet të shihet së shpejti. Gjithashtu, se ku do ta zënë vendin vlerësimet e Ukshin Hotit : “…bashkimi i popullit shqiptar dhe i territoreve shqiptare në një shtet duhet të jetë parakusht i çfardo rregullimi të marrëdhënieve ndërkombëtare në këtë pjesë të Balkanit” dhe të Koço Danajt : “Shqipëria natyrale nuk ngrihet mbi artificialitete, nuk ngrihet mbi mite dhe legjenda, nuk ngrihet mbi të tjerët dhe në kurriz të të tjerëve”, prandaj “ajo duhet (dhe do-vër. ime) të ngrihet atje ku ka shqiptarë dhe jo atje ku ka këngë për shqiptarë, apo mite për shqiptarë”, parasëgjithash dhe padyshim do të varet prej asaj se cila Fuqi e Madhe, kësaj radhe, do të mbetet “pulë”.

Por, ne duhet të na shqetësojë shumë më tepër krejtë një gjë tjetër e që, jo njëherë, është plasuar, theksuar e ritheksuar edhe nga Adem Demaçi: Tash, kur Kosova po kalon nëpër “fortuna” politike, a jemi dhe sa jemi të aftë që nga popull folklorik të shndërrohemi në popull politik?! Sepse, siç thotë politologu Enis Sulstarova, “do të ishte qesharake të besosh se një popull i pambrojtur ka veç miq dhe se është një llogaritje e çmendur të supozosh se ndoshta armiku mund të mallëngjehet nga mungesa e qëndresës” . Prandaj, shqiptarët kudo ku ndodhen, në Shqipëri, në Kosovë, në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), në Mal të Zi, në Greqi e diasporë, duhet të binden se armiqtë i shohin ata si kolektiv dhe për t’u mbrojtur sa më mirë duhet edhe ata të veprojnë si kolektiv. Kjo do të thotë se miqtë e shqiptarëve, në radhë të parë, janë vetë shqiptarët. Dhe, se, me fuqizimin e faktorit shqiptar, pavarësisht ndarjeve shtetërore, krahinore, fetare e gjeografike, shqiptarët do të gjejnë miq ndërkombëtarë. Pa i bindur faktorët ndërkombëtarë se kombi shqiptar është faktor pa të cilin nuk mund të realizohen interesat gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, nuk mund të bëjmë miq ndër faktorët ndërkombëtarë. Ndoshta, këtu vlenë të rikujtohet një thënie e Xhon Kenedit, presidentit amerikan, gjatë fjalimi të tij inaugurues, më 20 janar 1961: “Qytetarë të dashur të botës, mos pyesni se çfarë Amerika do të bëjë për ju, por se çfarë mund të bëjmë së bashku për lirinë e njeriut?”

E unë lutem: mos qofshin të sakta konkludimet e një miku hebre, i cili, sipas një shkrimi të analistit Adrian Dule, kishte thënë: “ Ngjajmë në shumë aspekte si popuj (shqiptarët dhe hebrenjtë-vër.ime), për të mos thënë që jemi njësoj, duke filluar nga inteligjenca dhe aftësia, por me një ndryshim. Keni shekuj që largoheni nga vendi juaj për të gjetur një vend ku t’ju vlerësojnë aftësinë, ndërsa ne kemi shekuj që kërkojmë një atdhe për të shprehur aftësinë. Ne i rrimë në krah njëri –tjetrit për t’i treguar botës se kush jemi, ju luftoni njëri-tjetrin për t’i treguar botës se kush jeni” !!! Grindja dhe fyerja e ndërsjelltë, deri në pakuptim, e intelektualëve, si ajo gati njëvjeçare Kadare-Qosje, për shembull., përçarjet dhe ndërskamcat ndërshqiptare, deri në ekstrem, me sharje, fyerje madje edhe qërim fizik hesapesh pozitë-opozitë në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi, në Kosovën Lindore, bile edhe në mes grupesh a lëvizjesh që deklarojnë publikisht se vedit i kanë vënë detyra madhore gjithëkombëtare, si FBKSH-ja e AKSH-ja, Vetëvendosja dhe njerëzit e “Krahut të luftës”, droj se, fatkeqësisht, i japin të drejtë konstatimit të mikut tonë hebre. E, nganjëherë, sidomos në çastet e zhgënjimit të thellë, më bëhet sikur këtë fat(keqësi) që e kemi dhe po e “gëzojmë” sot, edhe “meritojmë”. Tamam në stilin e asaj ngjarjes së zhvilluar në Greqinë e Antike, kur ndërsa “Demosi” (popullsia e lirë e Athinës) priste të fitonte Demokracia, papritmas fitoi sërish Oligarkia. Të gjithë u habitën, megjithëse vetë e kishin votuar Oligarkinë dhe pyetën Sokratin për këtë. Sokrati, i zhgënjyer edhe vetë me popullin e Athinës, tha frazën e tij të madhe: “ Mos u habisni, çdo popull zgjedh të vërë në kokë kapelën që meriton, pavarësisht në i shkon apo jo”. Me këtë desha të them se, jo gjithëherë të gjitha fajet i kanë ata që i zgjedhim ne. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë, padyshim, e mbajmë edhe vetë ne, si “Demos”, që nuk kujdesemi sa e si duhet që për prijës t’i zgjedhim ata që vërtetë e meritojnë, më të mirët prej më të mirëve, sidomos në momente të kthesave të mëdha historike, siç është ky i tashmi .

Centuriumet e Nostradamit

Dikush do të mund të thotë: po ti po kërkon që të gjithë të mendojmë njësoj, kurse kjo do të ishte njëmendësi. Jo. Përkundrazi, unë plotësisht pajtohem me Volterin kur thotë: “ Kur të gjithë mendojnë njësoj, atëherë do të thotë se askush nuk mendon.” Megjithatë, kjo asesi nuk do të thotë se gjithkund e për çdo gjë duhet të ketë divergjenca ekstreme, përçarje e konflikte shkatërrimtare në komunitetin tonë, sidomos për çështje madhore, sepse kjo mud të qojë në vetëshkatërrim. Ndryshe, do të duhej dhënë të drejtë të gjithë atyre që, kur ekzaltohen në “kupën e zjarrit të atdhedashurisë e të patriotizmit”, citojnë e deklamojnë plot zjarr e histeri Kuatranin 98 të Centuriumit të katërt të Nostradamit:

“Në Romë shqiptarët me britëm do të mbërrijnë
Duke rrokur edhe Langresin nga fyti

Bajraktari nuk do t’i falë askujt

Shkatërrimet, urinë, gjakun dhe thatësirën.”

ose Centuriumin e pestë, Kuatranin 91:

“Në sheshin ku është parajsë për çdo grabitçar

Ku këmba e trimit nuk shkel kurrë
Do t’i sulmojnë ata me kalorësi të lehtë

Shqiptarët, Marsi, Luani, Saturni dhe shoku Ujori.”

Ndoshta, edhe një citat nga fjalimi i sipërcituar inaugures i presidentit amerikan, Xhon Kenedi, do të mund të shërbente si përfundim i mirë për këtë shkrim “...Ata që me budadallëk kërkojnë të marrin pushtet duke hipur mbi shpinën e një tigri, përfundojnë brenda tij.”



[Permalink]


Nächste Seite »

Kostenloses Blog bei Beeplog.de

Die auf Weblogs sichtbaren Daten und Inhalte stammen von
Privatpersonen. Beepworld ist hierfür nicht verantwortlich.