Beeplog.de - Kostenlose Blogs Hier kostenloses Blog erstellen    Nächstes Blog   

Navigimi

Login / Verwaltung
 · Anmelden!

Kategorien

RSS Feed

Lidhje

HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis" - Ukshin Hoti

Kontakti


Du befindest dich in der Kategorie: Opinione

Montag, 23. April 2007
PAVARËSIA E KUSHTËZUAR NUK ËSHTË PAVARËSI POR VETËM MASHTRIM!
Von ajkashqiptare, 00:58

                 

Shkruajnë:
Xhemil Zeqiri – Fadil Shyti


Siç ngjanë kurdoherë në situata dështimesh të rënda historike, ata që i krijojnë këto, janë përpjekur dhe përpiqen për t´i mbuluar dhe arsyetuar ato, për më keq për t´i fshehur mashtrimet e tyre para popullit.
Kjo, gjendje amullie, kjo gjendje në rrugë pa krye po ngjanë sot me të ashtuquajturin “Grupi i Unitetit” dhe me tërë katalizatorët e politikës së “mençur” shqiptare, të cilëve u ka hyrë lepuri në bark nga faktori vendimtar për pavarësinë e Kosovës, nga faktori popull të cilit aq shumë ia premtuan pavarësinë, të cilin aq shumë e mashtruan sa tani më edhe naivët më të mjerë kanë filluar të kthjellohen dhe ta kuptojnë se të gjitha paskan qenë premtime të kota, nga faktorët e politikës kundër-shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Por, një fjalë jona popullore thotë: “kur të vinë mendtë të humbin dhentë”!Si duket tani këto “dhenë” (dele) , “Grupi i Unitetit” po i kërkon jo vetëm brenda por edhe jashtë atdheut. Por, ato dele të shkreta s´do t´i gjejnë kurrë, sepse vetë i kanë humbur (pjesërisht edhe me fajin e popullit) sepse i votoi të pabesët; ky grup mafiozësh, nuk do ´i gjejë kurrë delet, sepse vet i ka shitur tepër lirë në konferencat famëkeqe në Rambuje, Paris dhe në Vjenë.

Këta bukëshkalë edhe pse popullit ia dhanë premtimin se: “për pavarësi të Kosovës nuk negociohet”, pas kapjes së pozitave të pushtetit pa shtet, të shtyrë nga interesat e tyre personale ata jo vetëm bënë negociata tepër të pafavorshme për Kosovën dhe viset tjera shqiptare, por gjatë atyre negociatave për të cilat u bënë shumë shpenzime për ahengjet e sejmenëve të Fatmir Sejdiut si: Lutfi Haziri, Agim Hyseni, Veton Surroi dhe Hashim Thaçi e të tjerë të cilëve u ka marrë koka erë, të cilët i ka dehur opiumi i premtimeve boshe nga “aleatët e mëdhenj” apo më saktë ua kanë verbuar sytë interesat personale, klanore dhe partiake. Kjo, për pasojë solli prapakthimin e madh në historinë e re të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të okupuara nga shovinistët sllavë. Duke bërë lëshime të një pas njëshme përballë delegacionit të Serbisë, erdhi pastaj e “famshmja” Paketë e Ahtisarit e cila Kosovën tani po e shpie drejt disfatave të reja; duke e kthyer nga një krahinë autonome siç ishte dikur në Serbi, në një krahinë autonome por tani jo vetëm nën Serbi, por edhe në tutelën ballkanike dhe evropiane- kjo me siguri do të jetë për ne shqiptarët një fatkeqësi e madhe sepse trojet tona po ri copëtohen sërish, të përshkuara jo vetëm me kufi-zinj por dhe me tragjedi të reja rreth këtyre kufijve dhe në brendi të territoreve tona, aty ku pushtetin paralel do ta kenë kolonialistët e vjetër dhe të rinj serbë.
U bë aq zhurmë e madhe, për dëmtimin e disa xhamave të lokaleve të “institucioneve të popullit”, kinse qenkan bërë humbje të mëdha materiale në demonstratën 28 Nëntorit 2006, kurse harrohen ato mijëra euro të cilat po shpenzohen për ecejaket e “elefantëve” për t´ia bërë hendekun shqiptarisë. Tani, kur popullit po i mungon streha mbi kokë dhe në sofër po i mungon koromania e thatë!
Zotërinjtë “diplomatë” të Kosovës së plagosur dhe të varfër po derdhin lekët kot së koti jo vetëm në Evropë por edhe në Amerikë, “për konsultime”, siç thonë ata; por, kjo është vetëm farsë politike, ata shkojnë e vinë, poshtë e lartë vetëm për t´i realizuar planet e tyre famëkeqe dhe për t´i hedhur më tej hi syve popullit; kinse Kosova po e fiton pavarësinë, Kosova do të integrohet në Evropë e të tjera përralla politike, tepër të pa kripë, të cilave tashmë u ka dalë boja, si dikur deklaratave të I.Rugovës, atje në barakën e tij, tani e ashtuquajtura, “shtëpi e pavarësisë”!!!
Madje, këto ditë ata e përgatitën skenën tragji-komike, si në teatrin e kukullave, dolën me idenë “e madhe” : “Kosova, në 120 ditët e para të pavarësisë”!
“Mrekulli” të tilla, bota s´ka parë, ende pa u fituar pavarësia, kur kjo po sulmohet nga të gjitha breshëritë e armëve diplomatike nga Serbia, Rusia dhe miqtë e tyre nëpër botë për ta penguar të arrihet: jo pavarësia e plotë por as kjo autonomi( “pavarësi e mbikëqyrur”), e lartshënuar! Po, bëhen plane, për 120 ditët e “mjaltit” të pas pavarësisë!!!
Dëshmi më bindëse për këtë s´ka se situata e krijuar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kjo situatë tejet e vështirë politike , sepse tërë propaganda e shërbëtorëve të UNMIK- ut, “institucionalistëve” të Prishtinës dështoi, dhe janë po këta “mendjendritur” që ende po shohin ëndrra në diell për pavarësinë e Kosovës.

Tash po përgatiten të vinë më 26 dhe 28 prill, 2007, -misionarët e shekullit të kaluar, të ngjashëm me ata të vitit famëkeq të 1913-ës, por, tani të maskuar nën petkun demokratik, të ashtuquajturit, “misioni faktembledhës” , kjo mesiguri do të jetë dhe një goditje tjetër kundër politikës shqiptare në përgjithësi.
Pasuesit e Ibrahim Rugovës dhe servilët e tyre “opozitarë” si mos më keq e ulën “pazarin politik ” duke i bërë pre trojet shqiptare, përballë Serbisë dhe faktorëve ndërkombëtarë, pa harruar këtu të theksojmë edhe pjesën e përgjegjësisë historike që e kanë sot edhe pushtetarët në Tiranë dhe në Shkup dhe gjetiu në trojet shqiptare, ku sundojnë liderë partiakë pa vizione të qarta dhe pa strategji pozitive kombëtare.

Mbase, për vizionet “largpamëse” të I. Rugovës se: do të jemi të hapur ndaj Serbisë, këta politikanë dritëshkurtër dhe mund të krenohen, sepse vërtetë Kosova fatkeqësisht po mbetet e hapur ndaj Serbisë...
Pas çdo muaj që kalon popullit shqiptar i Kosovës, duhet të pres “deri në ditën e moskurrit” “sihariqe” ogurzeza nga UNMIK-u dhe OKB-ja, kurse altoparlantët e tyre “pushtetarë” i transmetojnë ato si suflerët: “jo, presim edhe një, muaj, presim edhe 3 muaj, presim edhe gjashtë muaj”! Por, kjo nuk është e keqja më e madhe përballë asaj se: Kosova me këto plane të diplomacive të huaja kundër-shqiptare, po mbetet sërish nën thundrat e huaja, po mbetet koloni “mish për top” nën tutelën serbe dhe evropiane.
T´jua përkujtomë lexuesve se këta politikanë dështues asnjëherë nuk e morën guximin të kundërshtojnë asnjë projekt ose raport që kishin përgatitur organizatat e ndryshme për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Kur dihet nga të gjithë se në çdo mbledhje të KS të OKB-së, kishte debate kundër shqiptarëve , kundër rrjedhave në Kosovë, kurse kjo klasë e mjerë politike, i përshëndeste ato pa hezitim!...
Politika dinake serbe duke e parë me kohë politikën servile shqiptare, fillimisht e provokoi dinakërisht, politikisht situatën ; shefi i diplomacisë serbe, çetniku Vuk Drazhkoviq , duke u hequr si super demokrat, në KS të OKB-së, do të deklaronte se: ”Ballkani, është i ndjeshëm nga nacionalizmat dhe nëse Kosovës i jepet pavarësi çohen në këmbë ekstremistët serbë, nëse Kosovës i jepet autonomi çohen në këmbë ekstremistët shqiptarë; pra ta gjemë një rrugë kompromisi, një zgjidhje të përshtatshme për demokracinë dhe të jenë të kënaqur dy palët, se: zgjidhja më e mirë do të jetë që Kosovës t i jepet një status, më shumë autonomi dhe më pak pavarësi”. Me këtë taktikë perfide shoviniste, “Ujku me këmbën e futur në miell”, trokiti në dyert e diplomacisë botërore. Fatkeqësisht, teori famëkeqe gjeti përkrahje në OKB dhe diplomacia ndërkombëtare me nxitjen e miqve të Serbisë, erdhi në përfundimin e gabuar se kjo qenka ide si më demokratike dhe reale; prandaj, e pranuan lojën e shefit të diplomacisë serbe.

Ekipi i Marti Athisarit e pranoi këtë teori reaksionare dhe Pakon për Kosovën, pas 17 -18 muajsh e reduktoi, me pavarësi të kushtëzuar, pasi u konsultua edhe me politikanët kompromisaxhinj të Tiranës “demokratike”, kujtojmë këtu rastin kur pas takimeve me Solanën dhe të tjerë këtë status i pari e paralajmëroi, ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj. Ky, qe “sihariqi tragjik”, të cilin pastaj e përkrahën pa rezerva i pari, Veton Surroi dhe pastaj “elefantët” e zhytur në kënetën politike kundër-shqiptare.
Theksojmë këtu faktin që fuqitë e mëdha po tallen me të drejtat tona, ata duke e bërë këtë po e rrezikojnë sërish paqen në rajon.
Por mjerisht, këtë gjellë helmuese e kanë gëlltitur pa hezitim edhe politikanët “ e ndritur” shqiptarë!
Kujtojmë këtu se në botën demokratike janë bërë shumë referendume; për shembull në Danimarkë qe bërë referendum për monedhën evropiane, danezët me referendum euron e hodhën poshtë,
Në Suedi, ka pas referendum, të pranohet euro si monedhë, kjo gjithashtu nga suedezët u hodh poshtë!
Para disa muajsh në Portugali u mbajt referendum për abortimet, atje po veprohet sipas rezultateve të tij.
Merreni me mend të dashur lexues: atje mbahet referendum për euron dhe abortet, kurse shqiptarëve s´ju lejohet referendumi për pavarësinë e shtetit apo ribashkimin e tij; rilindjen e shtetit- nëse mund të konstatojmë kështu figurativisht.
Vallë si mund të qohen proceset tona historike përpara, me këto kute kundër demokratike?!
Po pse vallë “miqtë tanë” sipas këtij “Grupi të Unitetit” dhe të zyrtarëve të Shqipërisë “demokratike” të cilët i kanë formuar më shumë se mbi 100 parti demokratike, nuk marrin guximin që me këmbëngulje të kërkojnë para diplomacisë ndërkombëtare që për kombin tonë të respektohet e drejta e VETËVENDOSJES ?! Pse nuk u lejohet shqiptarëve të vendosin për ardhmërinë e tyre:
- duan të kenë shtetin e ribashkuar shqiptar, pra t´i bashkohen shtetit amë, Shqipërisë?
- duan një pavarësi për Kosovën?
- Kjo, pavarësi e cila i detyron ata për të jetuar të ndarë nga shteti amë dhe nga viset tjera shqiptare të okupuara nga sllavët shovenistë.
Apo, duan të jetojnë ende nën terrorin serbomadh, pra nën juridiksionin e Serbisë?
Ashtu, siç po pretendon sot të na lë padrejtësisht bota “demokratike”!
Kjo, mund të arrihej me një referendum krejt të ligjshëm, gjithëkombëtar.
Vetëvendosja, iu është premtuar shqiptarëve, para dhe pas luftës së dytë botërore, por kjo e drejtë madhore u është mohuar pa të drejtë deri sot; prandaj në trojet tona kanë ngjarë kaq shumë luftëra, kaq shumë tragjedi...
E drejta e vetëvendosjes, është çelësi ku mund të hapeshin dyert e arsyes dhe të paqes në rajon.
Për këtë të drejtë kaq të natyrshme, kaq të arsyeshme njëkohësisht, sot po përgjaket rrugëve të Kosovës rinia heroike shqiptare, për këtë të drejtë sublime, sot po vuan burgjeve, po torturohet dhe po qëndron dhe në grevë urie, heroi ynë, Albin Kurti i përkrahur nga shumë ithtarë/e, përparimtarë..
Për këtë të drejtë kaq të dobishme historikisht, simboli ynë i rezistencës, Adem Demaçi, thotë: për vetëvendosjen jam i gatshëm të vdesë njëqind herë”! Prandaj, del dhe demonstron përkrah rinisë dhe popullit.
Lëvizja Vetëvendosje, e ka projektuar dhe po i zbaton çdo ditë me besnikëri teorinë dhe praktikën revolucionare. Ajo, po ndeshet guximshëm, përballë reaksionit kombëtar dhe ndërkombëtar! Me ata që herë hapur herë maskuar po dalin kundër kësaj të drejte tepër legjitime.
Ne, jemi të bindur që pavarësisht sakrificave të mëdha,kjo Lëvizje nuk mund të ketë suksese të menjëhershme për realizimin e këtyre objektivave kaq të madhërishme. Për t´u arritur kjo kërkohet urgjentisht, të bëhet bashkimi i të gjitha partive dhe organizatave përparimtare, të cilat sot nuk janë të kënaqura me situatën e krijuar, për mosarritjen synimeve tona, si rrjedhim i gabimeve të pafalshme që janë bërë dhe po bëhen në politikën pacifiste globale shqiptare.
Pra, të organizohemi në një organizatë të vetme çlirimtare, të veprohet me një program, me një synim të caktuar, drejt realizimit të fitoreve tona.
Vetëm kështu kombi ynë do t´u tregoi miqve dhe armiqve se nuk mund të luhet lehtë me fatet tona, më nuk mund të copëtohen lehtë trojet tona në tavolinat e pista të diplomacisë ndërkombëtare.
Vetëm të bashkuar fort rreth flamurit tonë kuq e zi do të marshojmë fitimtarë në betejat e luftës çlirimtare, nga të gjitha fushat: politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, e të tjera...
Kjo, qe dëshira dhe amaneti i shumë e shumë luftëtarëve i heronjve dhe heroinave shqiptare ndër brezni, që nga koha e Gjergj Kastriotit e deri në epokën e Adem Jasharit.
Përpara drejt bashkimit të forcave tona përparimtare!

Danimarkë-Suedi, 23.04.2007

[Permalink]


Nächste Seite »

Kostenloses Blog bei Beeplog.de

Die auf Weblogs sichtbaren Daten und Inhalte stammen von
Privatpersonen. Beepworld ist hierfür nicht verantwortlich.