KUNDRIME TË VEÇANTA PËR KOHËN

Në 54 vjetorin e lindjes së dëshmorit Kadri Zeka (25 prill 1953-17 janar 1982)
Me rastin e përurimit të memorialit për Kadri Zekën në fshatin e lindjes
Nga: Prof. Hanumshahe Shabiu
„Kadri Zeka njihet si luftëtar me mendim të kthjellët e vullnet të hekurt, ngjan me një shqiponjë që fluturon lart e shikon në lartësi“. Resul Bedo
Veprimtaria politike e Kadri Zekës është padyshim një segment i veçantë në tërë atë aktivitet mbi 12 vjeçar,që mishëronte idetë përparimtare të diplomatëve si Ismail Qemali, Hasan Prishtina etj., që konsekuent punuan deri në vdekje. Ndërtimi i një filozofie mbi bazën e interesit kombëtar, thyerjes së kuazivlerave, luftën pa kompromis ndaj asaj pjese që nuk njeh ligjet e së drejtës për pavarësi, fuqishëm gërshetohen në tërë jetën dhe shkrimet e Kadri Zekës.
Fillet e Ndërkombëtarizimit të Çështjes së Kosovës
„Vëllezër e motra,fati i zi nuk është asgjë e re për popullin e Shqiptar në Jugosllavi, atij edhe më parë i ka munguar kafshata e gojës, rrobat e trupit dhe kulmi mbi kokë. Por, kurrë nuk i ka munguar vullneti për ta çliruar vendin nga sunduesit e huaj. Armiku pa mëshirë ka shkelur mbi pasuritë e tokës dhe të nëntokës së begatshme shqiptare. Qyteti, fshati dhe shtëpia e shqiptarit kudo që është po gdhihet sot me tanke te porta, të gatshme për t’ia shtuar Kosovës gjëmën“. Këto fjalë Kadriu i mbajti para punëtorëve tanë në Perëndim. Ai i bënë një retrospektivë pozitës së shqiptarëve , duke e ndier në shpirt gjenocidin që po kalonte popullsia e pafajshme. Koncepti i tij ishte i orientuar në dy drejtime: aktualizimin e çështjes shqiptare në botë dhe përgatitja e tij për një front të përbashkët drejt çlirimit kombëtar. Perëndimi sigurisht nuk do të kishte pasqyrë të qartë mbi gjendjen në Kosovë, nuk do të njihte realitetin e krijuar me vite, nuk do të shihte më për së afërmi filozofinë vepruese të shqiptarëve pa konsekuencën dhe veprimin praktik të Kadri Zekës.
Më tej Kadriu shtonte ...“Çastet e vështira që po kalon atdheu ynë dhe rreziqet që po i thuren atij e bën edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë, pra vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike mund ta shpëtoj atdheun nga kthetrat e përgjakshme të armiqve. Të bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shtrenjtë. Të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, se tradhtojmë dot gjakun dhe porosinë e patriotëve tanë të shquar që nuk kursyen as pikën e fundit të gjakut për lirinë e truallit arbëror“. Bashkimi dhe uniteti janë nocione kuptimplote që ndërtojnë fizionominë vepruese ku mendimi politik i Kadri Zekës frymon natyrshëm në bashkërenditjen e të gjitha veprimtarive që çojnë drejt aspiratave shekullore. Ndjen në shpirt krajatat që po kalonte populli ynë,dhe në çdo kohë mundohet që vlerat kombëtare, heroizmin e të parëve tanë ta mishërojë me kohën dhe gjithçka të lidhet rreth një nyje që ka vetëm një ideal atë kombëtar. Transparenca drejt kauzës kombëtare, filozofia shtetformuese, largimi nga toka arbërore, kur më së shumti populli ka nevojë janë faqe e re e veprimit diplomatik, ku Kadriu jep shpjegim në shumë artikuj, demonstrata e krijime të tjera. Ai ndër të tjera, thekson:...“ Të ikësh sot nga Kosova është njësoj sikur ti çosh duart nga istikami kur armiku kërkon dorëzimin tënd“. Kosova kishte nevojë për çdonjërin, por në veçanti për ata të cilët objektiv jetësor kishin realizimin e synimeve shekullore.
Paralajmërimi i Furtunës
Kadriu ngriti zërin ashpër kundër thundrës serbomadhe, kundër atyre që shkelën me tanke rininë studentore gjatë demonstratave të 81-shit, ku ndër të tjera thekson :... „ Demonstratat e 11 marsit ishin paralajmërim i një furtune të madhe dhe pezmi,që në zemrat e kosovarëve është grumbulluar dekada me radhë...Për popullin tonë është bërë e qartë se demonstratat ishin zëri i të drejtave dhe lirive të shkelura, kurse demonstrantët, bijtë e vërtetë të popullit, të cilët vendosën të thyejnë prangat e robërisë e të mjerimit. Ato,në fakt, janë vepër e popullit dhe rezultat i drejtpërdrejtë i politikës antishqiptare që ka ndjekur regjimi për 40 vjet me radhë“. Ky terror politik, ushtarak, ekonomik ,kulturor e shkencor te Kadriu paraqet vazhdimësi,që politika e Beogradit dhe akademia e shkencave me vite të tëra kanë përgatitur. Në artikullin „ Asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare nuk e lëshojmë për pa dalë fare,“me theks të veçantë dhe në mënyrë koncize e shkencore analizon pozitën e shqiptarëve, duke pasqyruar forcën dhe vitalitetin drejt objektivave të kohës. Artikulon zërin e lëvizjes kombëtare në mënyrë programatike, duke qenë koherent propagandues i vlerave kombëtare. Kush do të këndonte më bukur në pranimi e filozofisë politike të viteve para dhe pas viteve 80-ta, kush do të ndërtonte filozofinë e bashkimit dhe të frontit të përbashkët, kush do të bënte fizionominë dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare më mirë se Kadri Zeka. Njeriu që mendoi politikisht dhe veproi praktikisht gjatë tërë jetës së tij. Mërgimi, plagë që e mundoi dhe gjithnjë mundohej që ta shihte në mënyrë më kritike:
“... Prandaj sot çdo shqiptari të ndershëm e patrioti i vihet detyrë e dorës së parë që të ngulitet fort në vendin e vet dhe, pavarësisht nga sakrifica ,të mos largohet e t’ia kthejë shpinën Kosovës. Në këtë mënyrë do të shkatërrojmë një plan të rrezikshëm e djallëzor të armiqve. Sot, më shumë se kurrë,ka nevojë Kosova jonë e dashur për bijtë e vet. Në këto situata,të braktisësh atdheun (qoftë edhe me pretekstin se do ta ndihmosh nga jashtë ),është barazi me atë që quhet tradhti“.Vitet 81 shënonin sinjalizimin e shkatërrimit të një krijese artificiale të quajtur Jugosllavi, demonstratat në Kosovë shtypeshin çnjerëzisht, andaj edhe Kadriu e shihte të udhës që populli i Kosovës të qëndrojë e të mos i braktisë trojet e veta ,se në këtë mënyrë mundësohej zbatimi i spastrimit etnik dhe vënia në jetë e elaborateve të shumta që ishin dhe përgatiteshin në akademinë famëkeqe të Beogradit. Klima politike e pas vitit 81 përshpejtoi procesin që ishte në lëvizje dhe mundësoi krijimin e një atmosfere që kishte si përfundim logjik të vepruarit konsekuent drejt aspiratave shekullore. Dhe pa dyshim këto procese janë të lidhura ngushtë me emrin e Kadri Zekës.
Diplomat i kohës
Ai demaskoi politikën shtypëse të Beogradit,iu kundërvu me forcë çdo veprimi që pengonte sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Përgatitja e tij dhe puna e palodhshme në drejtim të unifikimit të forcave progresive brenda e jashtë vendit janë një pasqyrë unikate për kohën dhe akt madhor i njeriut që e karakterizojnë një diplomat të kohës me aftësi universale perëndimore. Një vizion të drejtë dhe largpamës Kadriu kishte në angazhimin dhe refleksionet e veprimtarisë ilegale e patriotike në suazat e ndikimit në përmasat shqiptare ku, ndër të tjera,thekson:“ Ne jemi brez trashëgues i të parëve ,që mundohemi ta çojmë në vend amanetin, besën, urtësinë dhe trimërinë...Na duhet guximi i tyre,betimi i ynë...“Kadriu ishte i vetëdijshëm dhe njihte rrethanat që silleshin në Ballkan e Evropë,ku qëllimi i tij ishte që gjenerata e tij të bëjë ç’është e mundur që në kontekst të proceseve të ndërtohet filozofia e zhvillimit shtetformues dhe të veprohet në mënyrë evolutive, duke pranuar në parimin programatik të proceseve integruese. Kadriu njihte shumë mirë konceptet që përgatiteshin në kuzhinat e Beogradit për shkatërrimin gradual edhe të qenies shqiptare, të humbjes së identitetit kombëtar,të programeve që ziheshin për futjen në margjina të kërkesave të ligjshme të popullit të Kosovës,andaj rezonimi preferonte të bëhej pikërisht në ngjalljen e një politike që për bazë ka mbrojtjen dhe avancimin e çështjes shqiptare. Kadriu në perëndim fillon botimin e organit „liria“,ku përmes saj paraqet qëllimet e popullit të Kosovës ,rrugën që duhet ndjekur dhe sheshazi demaskon politikën titiste, veprimet e saj në emër të bashkim –vëllazërimit që Kosova e lante me burgje, vrasje, tortura etj.
Një jetë në shërbim të popullit
Veprimtaria e tij e shumanshme bëri që Evropa të dëgjoj më për së afërmi për Kosovën martire,për kufijtë e saj gjeografik dhe,mbi të gjitha,të kthejë kokën nga Ballkani i trazuar Kadriu vinte në spikamë mobilizimin e të gjitha forcave se rruga e nisur do të jetë me shumë privacione, rreziqe, andaj edhe shkruante“ Historia dhe luftërat e pandërprera e kanë mësuar popullin tonë se lirinë dhe të drejtat nuk t’i falë armiku, por ato fitohen me gjak e sakrifica“.Epopetë e lavdishme të historisë sonë kombëtare për Kadriun ishin aktet më madhore dhe gjithnjë kishte parasysh se në Kosovë mund të lulëzojë drita vetëm atëherë kur kuptohet dhe veprohet ashtu si e kërkojnë rrethanat dhe objektivat e kohës. Demonstratat në Perëndim patën lidhshmëri me ato që u zhvilluan brenda,ku Kadriu me përvojën dhe oratorinë që kishte theu frikën dhe u bë njësh me masën për t’i përkrahur vëllezërit në Kosovë. I udhëhoqi të gjitha demonstratat në Perëndim dhe gjithherë me fjalët në gojë“ Çaste të vështira po kalon populli ynë, por të bashkuar lirinë e kemi fare pranë“.
Preferenca filozofia, mendimi i qartë politik, diplomacia në kuadër të lëvizjes për çlirim kombëtar paraqesin brumin e tërë veprimtarisë patriotike të personalitetit të Kadri Zekës. Ra për të mos vdekur kurrë, vertikalisht qëndroi duke bërë një jetë në shërbim të popullit.