Beeplog.de - Kostenlose Blogs Hier kostenloses Blog erstellen    Nächstes Blog   

Navigimi

Login / Verwaltung
 · Anmelden!

Kategorien

RSS Feed

Lidhje

HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis" - Ukshin Hoti

Kontakti


Du befindest dich in der Kategorie: Të ndryshme

Freitag, 04. Mai 2007
MOS E PËRSËRISNI HISTORINË TRAGJIKE TË SHQIPËRISË NATYRORE!
Von ajkashqiptare, 00:13

        

Shkruajnë: Xhemil Zeqiri - Fadil Shyti

Zotërinj diplomatë evro-atlantikë, kujdes në vendimet e tuaja që po i ndërmerrni në këtë fillim-shekull të ri, kur e keni përpara në agjendat tuaja zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Me arsyetime, paragjykime dhe në fund me vendime të gabuara në zgjidhjen e kësaj çështjeje në dëm kombit shqiptar nën ”flamujt” e tolerancës demokratike, me premtimet për pranimin e Shqipërisë dhe pjesës së saj, Kosovës në Evropë, duke mos ia njohur Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të okupuara nga shovinistët sllavë; të drejtën për VETËVENDOSJE, ju në fakt nuk jeni zgjidhja e kësaj çështjeje kaq të rëndësishme historike dhe për ardhmërinë e rajonit, por në fakt ”Grupi i Unitetit”, i cili po i prinë kësaj valleje djalli duke ndjekur rrugën e tymit, e cila në fakt nuk është zgjidhja por ngufatja e pastaj doemos rrebeshi i uraganit popull, i cili nuk lejoi dje, as nuk do të lejojë nesër që t´i shkelen liritë dhe të drejtat e tij nëpër këmbë.

Ju, zotërinj!
Duke pasur në të kaluarën dhe deri në ditët tona, një histori të gjatë luftërash dhe përpjekjesh për liri të kombit tonë, por edhe të kombeve të tjera liridashëse të Ballkanit Evropës dhe më tej, na bëni të habitemi me qëndrimet tuaja, kur në emër të kompromiseve përballë kolonizatorëve serbë, (me apo pa vetëdije), po kërkoni apo më saktë, po e projektoni fatalisht ”strategjinë e re demokratike”, e cila është tepër e pafavorshme për ne shqiptarët, të cilët jemi i vetmi vend në Ballkan që shteti ynë administrativ Shqipëria, kufizohet nga të gjitha anët e kufijve të saj me trojet e veta, pra jemi të copëtuar nga politikat e gabuara të paraardhësve tuaj, të cilët për t´i shuar orekset e egra të shteteve sllave, të cilat ishin dhe janë marioneta të Rusisë në Ballkan, morën në të kaluarën vendime tepër të padrejta për kombin tonë. Ju, do të duhej t´i thërrisni mendjes së shëndoshë, do të duhej t´i thërrisni arsyes: ta ndihmoni pa hile një komb të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga barrët e robërisë, që i barti mbi supe për më tepër se një shekull dhe po i bartë me shumë mundime, gjak e lot, deri sot. Ne, me këtë rast prej jush nuk kërkojmë mëshirë, por kërkojmë drejtësi! Ju, këtë mund ta bëni fare lehtë vetëm duke i zbatuar konventat tuaja ndërkombëtare për të drejtën e kombeve - siç janë VETËVENDOSJA dhe referendumi, trajtimi njësoj i kombeve dhe kombësive, gjegjësisht minoriteteve që jetojnë jashtë shteteve amë. Ju, këto tri emblema të lirisë së popujve i keni shkelur katërçipërisht, kur është rasti me shqiptarët. Ne, fort mirë e kuptojmë qëndrimin tuaj të tillë, të cilin nuk do të duhej të ishte kështu; ju e bëni këtë sipas ideve tuaja paqësore për t´i shuar konfliktet dhe luftërat në Ballkan dhe në trojet e okupuara shqiptare; pa qoftë edhe duke i sakrifikuar pafundësisht shqiptarët, duke i bërë ata kurdoherë kurban nga duart gjakatare pushtuese sllave, të cilat i ndërrojnë dorëzat herë të kuqe herë të kaltra, të cilat i ndërrojnë lëkurët si kameleonët gjatë stinëve të motit herë, si ujq e herë si dele, të cilat thikat e mprehura për shqiptarët: herë i fusin në miell, herë i mbajnë në dhëmbë.


Ju zotërinj, duke menduar se e qetësoni rajonin të trembur nga këto kërcënime dhe veprime të tyre duke i prerë me thika evro-atlantike, sërish trojet tona, gaboheni rëndë; sepse për asnjë çmim shqiptarët nuk do të lejojnë të bien pre e mashtrimeve dhe imponimeve të brendshme, nën udhëheqjen fantazmë të ”Grupit të Unitetit” por, as të vendimeve të padrejta nga diplomacia juaj ndërkombëtare, duke filluar nga Grupi Ndërkombëtar i krizave (GNK) e deri në OKB, të futura në një Paketë, të thatë kashte si ajo e Ahtisarit, nga e cila do të merr flakë sërish rajoni ynë.

Sidomos, muajve të fundit në qarqet tuaja diplomatike të Ballkanit, Evropës, Amerikës dhe më tej, po bëhet shumë zhurmë e madhe kinse për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por qëllimisht po harrohet tërësia e pazgjidhur e çështjes shqiptare në viset tona të okupuara nga shtetet e sllave të Ballkanit. Diplomacia juaj ndërkombëtare duke e gjetur terrenin e përshtatshëm të kompromisaxhinjve pushtetarë shqiptarë të andej dhe këndej Drinit, të Shqipërisë Natyrore, si para ashtu edhe pas luftës e ka dëmtuar rëndë çështjen tonë të pazgjidhur; e ka vonuar atë dhe për më tepër as tani nuk po merr kurajën e fortë që kësaj radhe disi (më mirë vonë se kurrë), t´i përmirësojë gabimet e veta të së kaluarës, gjegjësisht gabimet e të parëve të tyre diplomatë, të cilët atëbotë u treguan tepër mizorë ndaj shqiptarëve; kujtojmë këtu Konferencat e Versajës, Londrës e të tjera si këto, kur trojet shqiptare u bënë "monedhë kusuritjeje" për t´i kënaqur orekset pushtuese sllave dhe për t´i qetësuar gjakrat e egër të etur për dominime influencash nga shtetet imperialiste, pra për t´i plotësuar orekset e tyre në Ballkan, midis Turqisë, Gjermanisë, Rusisë e të tjera forca ekspansioniste. Ne, nuk jemi kundër proceseve të vërteta demokratike, por konsiderojmë që pikërisht duke u betuar në demokracinë, sot po shkelen të drejtat elementare të popujve, po pengohen tepër ngatërrueshëm vetë këto procese.

Ju, zotërinj duke e kthyer historinë e re në prapakthehu me qëndrimet tuaja të padrejta, kur keni vendosur që për fatin e një kombi prej 2 milionë shqiptarësh në Kosovë dhe për pjesën e tyre jashtë Kosovës me vise, të vendosë një grup njerëzish nën firmën mashtruese të “Grupit të Unitetit” absolutisht keni shkelur mbi parimet e drejtësisë sonë kombëtare por edhe ndërkombëtare. Kur ky grup servilësh, i cili po përkundet në djepin foshnjorë të politikës suaj të gabuar u kthye nga Vjena në Kosovë, pa asnjë rezultat pozitiv, nga dialogu me ata që s´do të duhej kurrsesi të dialogohej, polli dobiçja juaj politike me brirë sherri, e ashtuquajtura “Paketë e Ahtisarit”.

Ne, konsiderojmë që kjo Paketë është tepër e pafavorshme për shqiptarët dhe kërkohet që populli ynë t´i flakë si leckat e pista mashtrimet e politikave kundër-shqiptare dhe të ngrihet si një trup i vetëm që t´i luftojë ato, të ngrihet arsyeshëm me format e luftës politike dhe me të gjitha format që ndërmerren për t´i bërë me sukses luftërat çlirimtare, që ta fitoj lirinë dhe dinjitetin e humbur, të cilin aq keq sot po ia marrin nëpër këmbë “shpëtimtarët” e brendshëm dhe të jashtëm.

Ka zëra në diplomacinë ndërkombëtare, si ai i ministrit të jashtëm të Suedisë, Karl Bild, i cili para dy ditësh deklaroi: “për pavarësinë e Kosovës të mos vendoset njëanshëm në OKB, por udhëheqjen për këtë ta merr Evropa, e cila duhet ta zgjedhë problemin me kompromise” .
Ne, mendojmë që këta diplomatë të painformuar mirë, apo për arsye të tjera që ata i dinë , të cilët po veprojnë sipas logjikës “ndiqe lepurin e mos e zë”, duhet ta dinë një fakt: që ishte kjo Evropë që e krijoi dje problemin, fatkeqësisht as deri sot, kjo Evropë nuk po tregohet e gatshme ta zgjidhë drejt këtë problem.

Ju kujtojmë atyre se: kjo fatkeqësi historike i ka ngjarë Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare edhe pas luftës së dytë botërore, kur në Konferencën famëkeqe të Prizrenit, në korrik të vitit 1945, aty delegatët e “zgjedhur” nga populli nën kërcënimin e tankeve serbe, vendosën që Kosova me vise të tjera shqiptare t´i bashkoheshin njerkës Serbi dhe t´i ndaheshin Nënës Shqipëri. Atëherë, kjo tradhti jugosllave dhe e fuqive të mëdha u arsyetua nën maskën e ndërtimit të socializmit në Ballkan dhe më tej, kurse tani po shkohet po me këtë logjikë unitariste, që nën maskën e ndërtimit të demokracisë evro-atlantike, por tash nën kërcënimin e mashtrimeve të diplomacive që dalin nga dyert e Konferencave të mëdha, famëkëqija si ato në Rambuje, Paris dhe Vjenë apo në New York, për fatin e një kombi të vendoset padrejtësisht, ardhmëria jonë po rrezikohet, po nga të “zgjedhurit” e popullit.
Sipas kërkesave tepër të zëshme tani po bëhen përpjekje për Kosovën dhe viset tjera shqiptare që brenda kombit tonë të bëhen jo vetëm ndarje kufitare por edhe ndarje shpirtërore e kulturore apo më saktë përpjekje për ta thyer identitetin tonë kombëtar, duke shpikur ide tepër kundërshqiptare që të krijohet jo vetëm një Kosovë e cila deri sot quhet me një emër sllavë, jo me prejardhje shqiptare, (që d.m.th, Zog i zi, apo mëllenjë e zezë), shtrojmë pyetjen përse Kosova të mos quhej Dardani, kur serbët këmbëngulin që kjo të quhet edhe Metohi, ne përse të mos këmbëngulim që kjo të quhej me një emër autokton shqiptar Dardani?! Pastaj, përse po ngrihet aq shumë pluhur nga qarqe të caktuara reaksionare që brenda kombit tonë të krijohen dy kombe: kombi shqiptar dhe ai kosovar?!

Kjo, thikë prapa shpine me ide të prapa komplotiste që po e përgatisin sot syleshët politikë titistë dhe pasardhësit e tyre duhet të pengohet dhe të luftohet kudo dhe kurdoherë!
Njëkohësisht, të luftohet dhe ndryshimi i flamurit tonë kombëtar, nëse tentohet të kemi një flamur multietnik, apo ndonjë simbol laraman, që kinse simbolizon multietnicitetin e banorëve të Kosovës. Në botë ka shumë shtete që jetojnë minoritete për nga numri edhe më shumë se sa jetojnë në Kosovë, por këto shtete demokratike po as ato komuniste nuk kishin as kanë flamuj “multietniceti”. Shpikje të tilla reaksionare janë tepër të rrezikshme për destabilizimin e rajonit tonë, ka gjëra të shenjta kombëtare që janë të ndjeshme si sytë e ballit, këto janë: gjuha dhe flamuri, me këto nuk guxon askush të luan ”lojëra lotarie”, përndryshe do të bindet herët a vonë se po luan me zjarrin!...

Populli ynë, tani e ka të trasuar rrugën e lirisë, ende nuk është tharë gjaku i dëshmorëve, të cilët nuk ranë për integrimin në Evropë por ranë për ribashkimin e trojeve tona, ata nuk ranë për një pavarësi me mbikëqyrje, me kokën në rërë nga Serbia dhe Evropa, ata nuk ranë për një Kosovë, ku mundet çdokush t´ia vret bijtë dhe bijat, dhe t´ia rrahë ata/ato, dhe pastaj të dënohen sipas ligjeve “demokratike”, vetëm se e kërkojnë të drejtën për VETËVENDOSJE, kurse kriminelët të ikin pa therë në këmbë, andej nga kishin ardhur nga vendet “mike”, faji pastaj të mbetet jetim, kurse bij e bija të saj të dergjen burgjeve si në kohërat e errëta të krajlëve të egër të ish-Jugosllavisë!

Ne, jemi të bindur se populli ynë nuk do të lejojë të mashtrohet gjatë, dikush po e keqpërdorë durimin dhe besimin e tij, njëkohësisht jemi të bindur se ky popull do të zgjohet krenar përballë forcave të errësirës, nëse këto ia prekin dhe ia mohojnë kaq pamëshirshëm kërkesat e veta dhe elementet më të shenjta kombëtare.
Populli ynë nuk do të lejojë pakufishëm që të huajt as besëprerët t´ia shkelin lirinë dhe të drejtën legjitime për vetëvendosje!

Danimarkë - Suedi, 1 Maj 2007


[Permalink]


Nächste Seite »

Kostenloses Blog bei Beeplog.de

Die auf Weblogs sichtbaren Daten und Inhalte stammen von
Privatpersonen. Beepworld ist hierfür nicht verantwortlich.