Beeplog.de - Kostenlose Blogs Hier kostenloses Blog erstellen    Nächstes Blog   

Navigimi

Login / Verwaltung
 · Anmelden!

Kategorien

RSS Feed

Lidhje

HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis" - Ukshin Hoti

Kontakti


Du befindest dich in der Kategorie: Opinione

Freitag, 04. Mai 2007
KOSOVA NË PRAG TË PAVARËSISË - POR EDHE TË GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME!
Von ajkashqiptare, 00:24

Shkruan: Bashkim MAZREKU,  ish - i burgosur politik

Më 01.05.2007, Bernë

Cilat janë dy skenarët - që mund të gjenerojnë kriza të reja edhe pas statusit të Kosovës (!?!)

Zgjidhja e statusit të Kosovës po ofrohet, por çfarë do të jetë dhe si do të arrihet deri në finalizim, akoma nuk dihet çartë. Ajo çka dihet tashmë nga të gjithë e që gjindet në tavolinën Këshillit të  Sigurimit të OKB-së, është propozimi i M.Ahtisarit për Pavarësi të Mbikqyrur. Ky propozim deri më tash është i vetmi dhe sipas diplomacisë botërore, (përjashto këtu Rusinë), mendohet të jetë më i miri i mundshëm, që do të siguroj një zgjidhje optimale.

Nuk dua të përsërisë ato qëndrime, për të cilat shumë  u shkrua dhe po shkruhet këto ditë, lidhur me këtë çështje kapitale. Nuk dua të përsërisë as pikëpamjet dhe optimizmin e vazhdueshëm të politikanëve kosovarë, që duket të jetë i parakohshëm dhe i pa bazë.

Me këtë rast, dua të përqëndrohem në dy skenare të mundshme të zgjidhjes së problemit, e që nuk janë risi  e të pa thëna, por mendoj jo aq shumë të përsëritura. Ky shkrim pra ka për qëllim përsëritjen edhe një herë të këtyre skenareve dhe tërheqjen e vëmendjes në to.

Skenari i parë

Këshilli i Sigurimit aprovon një Rezolutë të re për Kosovën, pa vënë veto kundër, nga anëtarët e përhershëm, (këtu kam parasysh Rusinë  dhe Kinën), të cilat në këtë rast mund të abstenojnë.

Sigurohen 9 vota pro dhe Rezoluta votohet.

Parlameti i Kosovës aprovon Kushtetutën e Kosovës dhe shpallë pavarësinë,  e cila do të njihet nga shtetet veç e veç.

Ardhja e një misioni të ri nga BE-ja për të mbikqyrë procesin e zbatimit të marrëveshjes në Kosovë, bazuar në propozimin e M. Ahtisarit, siç thonë shumica e politikanëve të Kosovës, apo siç do të thoja unë për të qeverisur në mënyrë virtuele me Kosovën, ngase de fakto këtë qeverisje do ta kishin vendorët. Kjo qeverisje duale do të zgjasë aq sa do të donte misioni mbikëqyrës, nëse nuk përcaktohet ndryshe me rezolutë të OKB-së.

Pasojat e këtij skenari

Problemet me veriun e Kosovës, ku serbët në shenjë revolte do të manifestonin në të gjitha mënyrat pakënaqësinë e tyre. Gjendje e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, gjendje e lehtë e jashtëzakonshme në enklavat serbe, të cilat do të kërkonin mbrojtje më të madhe e ndoshta edhe tërheqje nga vendet e tyre, për t´u shpërngulur atje ku mund të gjejnë mbrojtje më të mirë.

Mobilizim i KFOR –it në shkallën e parë të rrezikshmërisë. Kufijtë administrativ të Kosovës mbesin të paprekur, por jo funksional ashtu siç i kemi tani, e veçanërisht në veri,  ku askush (pos serbëve) nuk do të ketë këntroll. Kosova do të njihet si shtet i pavarur në kufijtë ekzistues, por asesi nuk do të mund të kontrollojë kufijtë e saj verior.

Ky skenar do të kundërshtohet nga Serbia, e cila mund të mobilizojë forcat e veta deri  në kufi me Kosovën, për të ndikur të paktën në aspektin psikologjik te serbët dhe për të treguar njëkohësisht, se ata  janë përsëri të gatshëm të luftojnë për Kosovën. Kjo gjendje mund të zgjas me javë e muaj deri sa të krijohet një realitet i ri dhe ai është funksionimi i mirëfillt i shtetit të Kosovës, në fushën e judikaturës, mbrojtjes së pakicave, (kryesisht serbe), dhe ngritjen e nivelit social për të gjithë qytetarët e Kosovës, të paktën për një shkallë me të lartë se në shtetet fqinje.

Për zbutjen e kësaj gjendje, Serbisë do t´i ofrohen benificione të mira e ndoshta edhe aderim të shpejt në UE, para të gjitha vendeve tjera të Ballkanit perëndimor. Por, bashkë me Serbinë do t´i hapet rruga padyshim edhe Kosovës drejt një perspektive të ngadalshme por të  mirëfilltë, në gjiun e UE-s. Ndarja e Kosovës me këtë skenar mbetet e mundshme por jo edhe e pashmagshme...

Skenari i dytë

 Mos aprovimi i Rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të vetos së Rusisë.

Ky skenar nuk e pengon përsëri Parlamentin e Kosovës që të aprovojë Kushtetutën dhe të shpallë pavarësinë, e cila sikurse në skenarin e parë do të filloj të njihet nga shtete të ndryshme veç e veç.

Dallimi esencial i këtij skenari nga skenari  i  parë është se: derisa skenari i parë ka Rezolutën e OKB-së bazuar mbi Propozimin e marrvëveshjes së M. Ahtisarit, si bazë legale për misionin mbikëqyrës të Unionit Europian, skenari i dytë nuk përjashton mundësinë e pavarësimit, por nuk ka asnjë bazë legale për ndërhyrje ndërkombëtare në cilësinë e mbikëqyrjes. sepse do të mungonte materja e mbikëqyrjes, pra marrëveshja. Mungesa e kësaj marrëveshje do të detyronte Parlamentin e Kosovës t´i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndërhyrje në cilësinë e mbikëqyrjes ( por në çfarë baze kur  s´kemi marrëveshje ??).

Në këtë situatë, "de jure" Misioni i UNMIK-ut do të vazhdoi të qëndroj edhe mëtej në Kosovë. Pra, Kosova e pavarur me Misionin e UNMIK-ut dhe KFOR-in në Kosovë. Misioni i UNMIK-ut mbi bazën e rezolutës 1244 nuk  do të shfuqizohet nga OKB-ja, por nga vetë parlamenti i Kosovës dhe nga njohja e pavarsisë nga shtete të ndryshme. UNMIK-u nuk do të ketë dalje legale nga Kosova, sepse nuk do urdhërohet nga KS i OKB-së për një gjë të tillë. Nuk do të qëndroj ky mision më në Kosovë,  sepse ky mision në Kosovën e pavarur është i pakuptimt. Misioni i ri i UE-së nuk do të mund të hyjë në Kosovë, sepse nuk ka bazë legale nga OKB-ja, por as që do të mund të qëndroj anash (indiferent). Në fakt me këtë skenar bjen në ujë plani për marrvëshje - sipas propozimit të  M. Ahtisarit, andaj as Misioni i ri Europian s´ka përse të vijë në Kosovë. Vetëm gjendja e jashtëzakonshme (në prag të luftës) do të mund të krijonte një alibi për misionin evropian, tashmë me qëllime të papërcaktuara në zbatim të ndonjë marrëveshje, por vetëm për të menagjuar krizën e re dhe për të mënjanuar kështu eksplodimin e kësaj bombe të kurdisur që quhet Kosovë.

Pasojat e këtij skenari

 Kosova e pavarur me UNMIK-un brenda por pa kompetenca e pa Mision të UE-së. Me KFOR i cili do të përballet me një gjendje të jashtëzakonshme, por tanimë me përmasa më të mëdha se sa në skenarin e parë. Kufijtë e Kosovës nuk do të mund të kontrollohen, sidomos kufiri verior. Serbët do të marshojnë drejt veriut të Kosovës (tanimë deri në lumin Ibër) e cila edhe ashtu është nën kontrollë të tyre dhe ata do të kërcënojnë me luftë të re. Poashtu edhe serbët e pjesëve tjera të Kosovës (nëpër enklava) do të fillojnë shpërnguljen masive në drejtim të veriut. Dhe kësisoj, Kosova do të përballet me një gjendje të jashtëzakonshme dhe me një eskalim të situatës, të ngjashme me atë të pragut luftës. Ky eskalim i situatës, do të varet shumë nga vendosmëria e KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës,  e sidomos nga SHPK, TMK etj.

Ndarja e Kosovës e pashmangshme!

Siç vihet në dukje, të dy skenaret tregojnë se pjesa e veriut të Kosovës është një çështje shumë e ndjeshme dhe do të vazhdojë të jetë e tillë. Asnjë institucion, as civil as ai ushtarak nuk do të ketë kurajo ta zgjidhë këtë problem në rrugë paqësore, sepse serbët nuk pranojnë një zgjidhje të tillë, të mësuar me agresivitet, e të lidhur emocionalisht me prenë e vet (Kosovën), që mbi një shekull e mbajtën nën sundim.

Pra, Kosovën në të ardhmen pritet ta kaploi një gjendje e jashtëzakonshme. Kosova do të paguan edhe një çmim të pavarsisë. Sa do jetë i lartë ky çmim dhe për sa kohë do të paguhet ai, do të varet shumë nga vendosmëria e vendorëve dhe në radhë të parë nga forcat ushtarake vendore dhe ndërkombëtare që janë prezente në Kosovë.

Së këndejmi mund të thuhet se Pavarësia e Kosovës nuk është  çështje e kryer siç propagandojnë politikanët shqiptarë, në veçanti super parlamenti i Kosovës i quajtur Grup i Unitetit, i cili duket se e ka humbur busullën në kompetencat që i ka marrë, e të cilat askush nuk ja ka dhënë as legjitimuar.

Se është koha të përgatitemi për më të keqen (edhe nëse del mirë) nuk ka dyshim, por realiteti po tregon, se ne po përgatitemi për festim -  pa menduar në flijime të reja, qofshin ato edhe vetëm ëndrrat tona, se Kosova po bëhet shtet i pavarur me tërë teritorin e saj dhe se s´do të ketë ndarje të saj! Disa po bazohen në Parimet e Grupit të Kontaktit për mosndarjen e Kosovës, por duket që po harrojnë se ato janë parime dhe hiq më shumë. Dhe, parimet janë relative.

Misioni Europian mund të vijë në Kosovë me rezolutë apo me gjendje të jashtëzakonshme. Por, ai mision si edhe lidershipi vendorë, duhet ta kenë parasysh, se zgjidhja paqësore  dhe njohja e Pavarësisë së Kosovës pa konflikte të reja nuk do thotë asgjë më shumë as më pak se Kosova do të mbetet edhe me tej fuqi baroti. Një zgjidhje stabile dhe një menagjim optimist të gjendjes pas statusore do të jetë zgjidhje që unë do ta quaja: Program. Pra, misioni europian zgjidhjen e Kosovës duhet ta sheh si program menagjimi dhe zhvillimi.

Pikat më të ndjeshme të këtij programi duhet të jenë: siguria, ekonomia dhe aspekti social.

Kosova, për tetë vite me radhë ka përparuar mjaftë, krahasuar me gjendjen e luftës nëpër të cilën fatkeqësishtë kaloi. Ndërsa po të krahasohet me një gjendje normale ajo ka vendënumruar. Qytetarit të varfër i është shpërlarë mendja, ngase ai nuk guxonte të bëj asgjë gjatë kësaj kohe të pritjes së pavarsisë, dhe prandaj duhet ta duroj varfërinë e skajshme edhe më - duke pritur pavarësinë!

Pas pavarësisë, qytetarit i duhet mbushur mendja dhe barku!

E para me optimizëm, bazuar në sigurinë, funksionimin e shtetit juridik, pa korrupcion e kriminalitet, liri të fjalës dhe procese vërtet demokratike. 

E dyta, me ndihma të mirëfillta sociale dhe programe zhvillimi në ekonomi, vende të reja pune, rrymë e ujë pandërprerje... dhe menagjim të vetë njeriut ashtu siç don dhe meriton ai, e jo ashtu siç mundet dhe do shteti. Buxheti i Kosovës nuk krijohet mbi kurrizin e qytetarit, por mirëqenja e qytetarit krijohet mbi kurrizin e shtetit. Shteti kërkon tatime, qytetarët paguajnë aq sa munden, ndërsa ato abuzohen dhe qytetari përsëri pretë (ta zëmë) me orë të tëra për një dokument, s´ka punë, s´ka shkollim cilësor etj., dhe nga kjo gjendje qytetari s´ka as shpresë për të nesërme më të mirë.

Për të arritur sukses, (kuptohet ngadalë e jo për një natë), shteti i Kosovës me ndihmën e misionit të ri, fillimisht duhet të menagjoj aspektin social dhe të sigurisë, për të vazhduar pa vonuar edhe zhvillimin e ekonomisë.

Nëse prezenca e re ndërkombëtare kufizohet të ndihmoj në këto parametra dhe vendorët kufizohen në funksionimin e shtetit të ri të Kosovës për të mirën e qytetarëve, (e jo të kërkojnë prej tyre pritje e heshtje për të mirën e vet pushtetarëve), Zgjidhja të jetë – Program, Pavarësia – Program..., atëherë mund të shpresohet jo vetëm për një  mirëqenje të qytetarëve,  por edhe për zgjidhje racionale të konflikteve ndëretnike. Ngritja e standardit në Kosovë krahasuar me shtetet fqinje do të ndryshoi dioptrinë e rrymave nacionaliste. Kosova duhet të arrijë një zhvillim të shpejt sa të zgjoj xhelozinë e fqinjëve, në të kundërtën Kosova edhe për shumë kohë do jetë vatër e pashuar krizash, vendi më i varfër që do të gjeneron vetëm dhunë e urrejte, qoftë ndëretnike qoftë qytetare në raport me shtetin. Pra, ndarja e Kosovës do të pengohet, pos me ushtri e vendosmëri edhe me këtë logjikë të zhvillimit.

Nëse Kosova e pas statusit dhe misioni europian dështojnë në zgjidhjen – program dhe emitojnë UNMIK-un, kjo do të paraqes një shkas të ri për vazhdim të  gjendjes së jashtëzakonshme mbi baza ushtarake, do të krijojë një shtet policor dhe kështu festimi i pavarësisë së Kosovës do të zgjas shkurt, sepse vendin do ta zënë orët policore, manifestimet e ndryshme në rrugë dhe anarkia, të cilën askush nuk e dëshiron, në këtë kohë të pritjes së gjatë të pavarësisë. Nëse ndodh më e keqja, atëherë kosovarët për të kaluar në Serbi, pasaportat e tyre duhet t´i tregojnë “te ura” mbi lumin Ibër!

[Permalink]


Nächste Seite »

Kostenloses Blog bei Beeplog.de

Die auf Weblogs sichtbaren Daten und Inhalte stammen von
Privatpersonen. Beepworld ist hierfür nicht verantwortlich.