RUSIA SOT!

Nga: Arben Dervina
Qëndrimi i Rusisë, sa i përket zgjidhjes së statusit final të Kosovës, është përsëritur tashmë disa herë. Rusia nuk do të përkrahë pavarësinë e Kosovës, nëse me këtë nuk pajtohet Serbia dhe Kosova.
Duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të Prishtinës dhe Beogradit, është iluzion të mendohet se do të arrijnë të pajtohen në tavolinë shqiptarët dhe serbët.
Ata kurrë nuk arritën ndonjë marrëveshje që është realizuar deri më sot. Më në fund, plasi edhe lufta dhe u desh edhe ndërhyrja ndërkombëtare për ta çliruar Kosovën nga forcat serbe në vitin 1999. Pra, as para lufte e as pas lufte nuk u arrit asgjë në tavolinën e bisedimeve, vetëm fjalë të kota që nuk çonin askund!
Pas vdekjes së Zoran Gjingjiqit erdhi në pushtet Vojislav Koshtunica, i cili me të hipur në karrige, filloi refrenin e mitit të Kosovës dhe ngjalli prapë nacionalizmin serb që ishte molisur disi me disfatën ushtarake të Serbisë në Kosovë, në vitin 1999.
Në ditët e sotme kur Kosova e ka përkrahjen e shumicës së shteteve të botës, del Rusia, e cila e kundërshton ashpër këtë, duke dalë hapur kundër SHBA-së, Unionit Evropian dhe shumicës së shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Shtrohet pyetja kush është Rusia sot në botë?
Shumë nga ne e njohim më mirë ish-Bashkimin Sovjetik se sa shtetin e sotëm rus dhe potencialin e tij.
Bashkimi Sovjetik, sa i përket forcës (armatimit), mbisundonte shtetet perëndimore edhe pse SHBA kishte potencial mjaftë te madh, por nga ekspertët ndërkombëtarë, forca e Bashkimit Sovjetik ishte me epërsi në botë. Kjo u vërtetua në luftën e Vietnamit, ku bolshevikët të përkrahur nga blloku komunist, të prirë nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik, arritën të dalin fitimtarë kundër forcave amerikane, të cilat u detyruan të tërhiqen.
Shërbimi sekret - KGB i bënte ballë CIA-s dhe shërbimeve sekrete perëndimore, duke vjedhur informata të vlefshme përmes infiltrimit të agjentëve të saj, dhe falë KGB-së Rusia mbizotëronte disa shtete. Në këtë mënyrë mbahej gjallë fuqia e Bashkimit Sovjetik për 50 vjet me radhë.
Kurse sa i përket ekonomisë, shtetet perëndimore e zotëronin botën për shkak se fitoi teoria e ekonomisë së tregut.
Kur Mihail Gorbaçov erdhi në fuqi në vitin 1985, ekonomia e Bashkimit Sovjetik ishte në gjendje të vështirë, ndërsa gara për të prodhuar sa më shumë armë, solli së pari kolapsin ekonomik, pastaj edhe dezintegrimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1990. Me ardhjen në pushtet të Borisë Jelcinit ai e gjeti ekonominë e shkatërruar dhe korrupsioni kishte kapluar shtetin rus. Që nga ajo kohë e deri më sot, është bërë shumë pak përparim në mirëqenien e shtetasve rusë, shumica e tyre jetojnë në varfëri të skajshme, kurse në anën tjetër, në Moskë jeton një grup miliarderësh, të cilët janë pasuruar pa kufi. Çka është më kryesorja për Rusinë që të mbizotërojë në botë, armatën ruse e ka kapluar varfëria, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Sipas disa analistëve ndërkombëtarë, Armata Ruse nuk është ajo që ka qenë gjatë luftës së ftohtë.
Shtetin rus më së miri e ka përshkruar Mikhail Delyagin, këshilltar i ish kryeministrit rus Jevgeni Primakov:
"Përfaqësues të grupeve në pushtet kanë llogari bankare në Perëndim. Së dyti, duhet kuptuar se ushtria ruse nuk ekziston dhe se ekonomia e Rusisë është jashtëzakonisht e dobët. Flota jonë e Detit të Zi nuk është as në nivelin e forcave të Bullgarisë dhe Rumanisë".
Pra, për të qenë faktor zotërues në botë, shteti rus duhet ta ketë së pari ushtrinë e fortë, të cilën nuk e ka as të nivelit të shtetit turk.
Shtrohet pyetja tjetër, ku e merr atë guxim Vladimir Putini të dalë kundër Perëndimit?
Vladimir Putini erdhi në pushtet, falë ndihmës së Boris Jelcinit pas dorëheqjes së tij. Që nga ardhja e tij në pushtet është bërë një përparim i vogël në Rusi, por kritikët e akuzojnë atë për cenimin e drejtave të njeriut. Evropa është e varur nga gazi rus, ndërsa Rusia e përdorë gazin si mjet ndikimi mbi Evropën. Prejardhja e gazit në të vërtetë nuk është ruse, por burimin e ka në Azinë Qendrore.
Të marrim si shembull Ukrainën. Pothuajse 100 përqind e gazit të eksportuar në këtë vend e ka burimin në Turkmenistan. Rusia e blen gazin turkmen me çmim të ulët dhe e shet duke nxjerrë një fitim marramendës. Pra në raport me shtetet e Azisë Qendrore, Rusia po krijon një formë neokolonializmi që nuk duhet lejuar nga shtetet demokratike. Kurse para disa muajve Vladimir Putini urdhëroi tërheqjen nga traktatet e kontrollit të armëve për Evropën Qendrore për shkak të paralajmërimit amerikan të ngritjes së një sistemi për mbrojtje raketore. Ky vendim konsiderohet si fillimi i ftohjes së marrëdhënieve me perëndimin, që për mendimin tim, Rusisë do t'i kushtojë shumë shtrenjtë.
Nga ana tjetër si temë e nxehtë politike në botë po konsiderohet edhe zgjidhja e statusit final të Kosovës, ku shumica dërmuese e shteteve në botë e përkrahin pavarësinë e mbikëqyrur me përjashtim të Rusisë, e cila kërcënon perëndimin me vendosjen e vetos. Paralajmërimi i vendosjes së vetos ruse në Këshillin e Sigurimit do të ftohë përfundimisht marrëdhëniet Perëndim - Rusi. Ashtu siç kanë deklaruar zyrtarët perëndimorë, fajtor kryesor në ndezjen e fitilit në Kosovë dhe më vonë në Ballkan do të bëhej Rusia, ku ajo me atë rast do të duhej të paguante çmim te lartë në të ardhmen.
Jugosllavia u shkatërrua falë ekzistencës së Kosovës, që gjendej fatkeqësisht brenda shtetit jugosllav, ku nacionalizmi serb e mori hovin aty dhe e shkatërroi shtetin jugosllav me ideologji nacionaliste serbosllave.
A do të jetë Kosova burim i patriotizmit rus dhe shkaktar i shkatërrimit të Rusisë neokolonialiste, e cila kërcënon botën pa pasur forcë të intervenojë në rast konflikti brenda Federatës Ruse apo me Perëndimin.
Koha do të tregojë të vërtetën, momentalisht koha ecën për shqiptarët dhe Aleancën Veriatlantike dhe jo për Rusinë, e cila shpejtë do të futet në një situatë krize, që vështirë do t'ia dalë në krye.