Beeplog.de - Kostenlose Blogs Hier kostenloses Blog erstellen    Nächstes Blog   

Navigimi

Login / Verwaltung
 · Anmelden!

Kategorien

RSS Feed

Lidhje

HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis" - Ukshin Hoti

Kontakti


Du befindest dich in der Kategorie: Të ndryshme

Mittwoch, 23. Mai 2007
DHEMBJA QË PËLCET GURIN
Von ajkashqiptare, 00:55

                          

                         Nga: Besnik  KRYEZIU

Nga shtypi njoftohem se delegacioni faktmbledhës i OKB-së gjatë vizitës së tyre në Kosovë do ta vizitojë edhe Krushën e Vogël. Pasi ato ditë po qëndroja në Kosovë vendosa të shkoj edhe unë. Ashtu krejt i pa përgatitur me vete marrë vetëm aparatin fotografik. Rruga për në Krushë është me shumë gropa ashtu si edhe shumë rrugë të tjera nëpër Kosovë. Në fshatin Mamushë, fshat, ky i banuar kryesisht me minoritet turk, më ndalojnë ushtarë të KFOR-it. Nga uniformat e tyre e kuptoja se ishin ushtarë turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Kërkuan të më legjitimojnë, duke kërkuar dokumentet e mia personale dhe ato të makinës, me të cilën po udhëtoja. E gjithë kjo zgjati disa minuta. Duke m'i kthyer dokumentet ushtari nuk harron të më pyes se ku shkoj. I them se po shkoj në Krushë. Foli edhe diçka që unë nuk e kuptova sepse foli në gjuhën turke, por nga lëvizja e dorës së tij e kuptova se mundem ta vazhdoj rrugën për ku isha nisur. Ashtu edhe bëra...



Diku kah ora 9 arrita në Krushë. Në fshat kishte policë të Shërbimit Policor të Kosovës, aty këtu edhe ndonjë makinë e KFOR-it gjerman. Oborri i shkollës ku do të priten faktmbledhësit e OKB-së, ende nuk ka shumë njerëz. Ka vetëm disa të rinj e të reja që bëjnë edhe përgatitjet e fundit që çdo gjë të dalë më mirë. Ka edhe disa gazetarë, numri i të cilëve shtohet shumë në momentin kur arrijnë ambasadorët.



Diku nja gjysmë ore më vonë krushjanët që mbijetuan barbarinë serbe, kryesisht gra e fëmijë, fillojnë të vinë në oborrin e shkollës së tyre, duke mbajtur fotografitë e të dashurve të tyre në duar, shumë nga të cilët ende kanë statusin e të pa gjeturit. Unë kisha lexuar, kisha dëgjuar për masakrën e Krushës, kisha besuar se e kam ndier dhembjen me këto nëna dhe këta fëmijë, por ajo që po shfaqet para syve të mi ishte larg asaj që kisha lexuar, kisha dëgjuar, kisha ndier për këta njerëz.



Tani isha në mesin e këtyre nënave, të këtyre fëmijëve dhe po e ndjeja, po e prekja dhembjen e tyre. Dhembja e tyre ishte e madhe, ishte përvëluese. Kudo lexoje lodhjen dhe frustrimin e tyre me ata që nuk bën asgjë për gjetjen e të dashurve të tyre dhe kapjen e kriminelëve. Edhe njëherë u ndjeva keq, shumë keq për harresën që ne si shoqëri po tregojmë për këta njerëz. Nuk e di se a kishte më shumë fotografi të atyre që bishat serbe i kishin masakruar, apo të atyre qe kishin mbetur gjallë, sepse të gjithë ata në duar mbanin nga dy fotografi.



O Zot, veç t'i shihje fëmijët që në duar mbanin fotografitë e prindërve të tyre, disa nga ta që tani kanë lëshuar shtat nuk i kanë parë fare baballarët e vet, sepse në atë kohë kanë qenë në barkun e nënave të tyre. Filloj t’i shikoj me radhë ato shumë fotografi, ka mosha të ndryshme, dua që duke parakaluar pranë fotografive të tyre të tregoj respektin dhe falënderimin më të madh për ta dhe të gjallët e tyre. Diku kah mesi, ndonëse u mundova, por më rrodhën lotët, nuk munda përmbahem... Po edhe guri të isha do të pëlcisja përballë asaj që po e shihja, e lëre më t´më rridhnin lotët. Nga lëvizjet e shpejta dhe të pa kontrolluara të gazetarëve kuptova se kanë arritur ambasadorët faktmbledhës. Janë të radhitur njëri pas tjetrit. Në krye është kryesuesi i delegacionit, ambasadori belg pastaj të tjerët. Më bie në sy ambasadori i Rusisë. Mbanë syze dielli dhe bën një buzëqeshje cinike deri sa kalon para atyre që kishin dalë t’i prisnin. Ambasadorët ulen në vendet e tyre, përballë kanë nënat dhe fëmijët e Krushës. Përfaqësuesi i fshatit ua rrëfen në detaje tragjedinë që ua kishin shkaktuar serbët. Disa nga ambasadorët mbajnë shënime. Pas disa minutave sa qëndruan të ulur u çuan në këmbë për të shkuar te vendi i krimit dhe për t’i dëgjuar ata që kanë pasur fatin të shpëtojnë nga kjo masakër.



Pas kësaj ambasadorët faktmbledhës hynë në autobusin e bardhë me siglën e UN-së. Nuk e di se si janë ndier dhe se cilat kanë qenë përshtypjet e tyre? Por e di se ambasadori rus nuk është ndier mirë sepse po e shihte tmerrin që e kishte shkaktuar shteti, që ai po mundohej ta mbronte me çdo kusht. Deri sa të tjerët fillojnë të ikin nga oborri i shkollës, sepse ambasadorët tani më nuk ishin, unë po vështroja nënat dhe fëmijët e Krushës që edhe sot me fotografitë e të dashurve të tyre luftuan për pavarësinë e Kosovës, thashë: pse gjithë ky teatër me Kosovën? Këta njerëz nuk kanë nevojë për këtë teatër me skenar ruso-serb. Iki nga Krusha e Vogël me zemër thyer - shpirt plagosur. Lutem edhe njëherë për të vrarët dhe të gjallët. Zoti qoftë me ta.

[Permalink]


Nächste Seite »

Kostenloses Blog bei Beeplog.de

Die auf Weblogs sichtbaren Daten und Inhalte stammen von
Privatpersonen. Beepworld ist hierfür nicht verantwortlich.