Beeplog.de - Kostenlose Blogs Hier kostenloses Blog erstellen    Nächstes Blog   

Navigimi

Login / Verwaltung
 · Anmelden!

Kategorien

RSS Feed

Lidhje

HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis" - Ukshin Hoti

Kontakti


Du befindest dich in der Kategorie: Të ndryshme

Freitag, 25. Mai 2007
Rekuiem i fjalës së lirë
Von ajkashqiptare, 14:59

                         

             Nga: Behxhet Sh. SHALA

Ashtu kalimthi, në një kafeteri të Prishtinës ku flitet për politikën e lartë që zhvillohet në Beograd, Bruksel, Paris, Londër dhe Uashington e filluam një minidebat për aktualitetet në Kosovë me mikun tim, Shkëlzen Maliqin.

Nuk biseduam fare për politikën në Prishtinë sepse, të dy jemi të mendimit se në Prishtinë, çdo gjë bëhet ama politikë jo, ndoshta vetëm një përpjekje për të simuluar diçka të tillë. As për politikën e Moskës dhe Pekinit nuk u ndeshëm fare sepse legjitimitetin e përfaqësimit të këtyre shteteve e ka Beogradi andaj ishte si e tepërt të merremi me përsëritje aq më parë kur jemi para përmbylljes së proceseve historike, të cilat, pa asnjë dyshim do të përfundojnë me Kosovën e varur dhe pa sovranitet.

Shkëlzeni mendon ndryshe dhe unë e respektoj të drejtën për diversitet të mendimeve, dhe jo vetëm në planin politik. Në fakt, në gazetën Express Shkëlzeni merrej me Unitetin e Ekipit të Unitetit që për mua është krejtësisht humbje kohe, si një temë apo etyde politike e tejkaluar edhe në çastin kur u detyruan të bëhen bashkë, në takimin e parë. Një Unitet i tipit, Kuazimodo. Tash dua të ndalem në temën e dytë apo Etydeve politike: Skandali Kurti i cili në fakt ishte edhe shtiza e thyerjeve të mia me debatuesin debatik. Që në fillim dua ta them se unë jam avokati Albin Kurtit për aq sa e pranon për avokat Albini Ahmet Hasollin para gjykatës së UNMIK-ut! Asgjë më tepër.

Është e vërtetë se nuk jam angazhuar për mbrojtjen e Albinit si Albin, sepse ai ka ditur dhe di të mbrohet në rrethana edhe më të rënda! Albinin e kam përdorur si pretekst ndërsa konteksti ka qenë; mbrojta e parimit për lirinë e fjalës dhe mendimit si edhe veprimit alternativ politik , gjithnjë në suaza të paqësores. Pra, mbrojtja e së drejtës për mendim, qëndrim dhe veprim opozitar gjë, që ka qenë edhe qasja e Shkëlzenit në rastet e mëparshme por e përjashton Albinin. Gjithnjë kam besuar se demokracia nuk është vetëm e një instrument i arsenalit retorik por bindje dhe mendim filozofik i debatuesit debatik. Dhe më doli një mashtrim i madh optik!

 Është këtu një contraditio in adjecto. Në një anë Shkëlzeni më jep të drejtë ndërkaq në anën tjetër thotë se ka menduar të reagojë për rastin Kurti më parë por jo për arsye që përmend Behxheti, për të mbrojtur lirinë e mendimit dhe veprimit të tij! Sigurisht ka menduar ta mbrojë lirinë e mendimit dhe veprimit të vetes së vet e sa për lirinë e mendimit dhe veprimit të Albin Kurtit le të merret SHPK, UNMIK police, gjykatat speciale – inkuizicioni postmodernist, mediat e " pavarura"në Kosovë dhe shoqëria " civile" e varur nga Dragodani dhe Zeusi. Ashtu thotë Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e miratuar nga OKB. Ashtu thotë edhe Korniza Kushtetuese.

Kosova është nënshkruese e dokumenteve me karakter ndërkombëtar që e ndalojnë torturën dhe trajtimin çnjerëzor, apo jo, Shkëlzen?!

                         Shkelzen Maliqi

Pra, rrjedhimisht ka obligime për rastin Kurti. Dhe, ti si pjesëtar shumëvjeçar i shoqërisë civile dhe mjaft aktiv kur duhet t’ua ngulësh atyre që nuk e ndajnë mendimin me ty, është dashur të reagosh menjëherë. Hajt, të lutem kush prej shoqërisë civile reagojë ndaj këtij trajtimi? Politikanët e burgosën ndërkaq shoqëria civile, në radhë të parë mediat e " pavarura" u përdorën si logjistikë. Si përçues të dëshirës së politikanëve. Si faturë e këtyre veprimeve të cilat i gjykojë edhe Amnesty International por nuk do të na amnistojë për këtë, as mua e as ty. Sepse nesër ne mund të jemi të radhës! E atëherë le të na mbrojnë, Obrad Saviqi dhe Çedomir Jovanoviqi, apo, ndoshta edhe Tomislav Nikoliqi! Tash ti, Shkëlzen, po ia përmend në mënyrë retroaktive "fajet" e Albin Kurtit, "od Kulina Bana do danashnjeg dana" thuaja se këto janë argumente që të arsyetojnë ta mbrosh fjalën e lirë sipas projeksionit tënd e jo të Albinit. Argumenti tjetër kundër Albinit është sipas teje se ai është mohues potencial i lirisë sate dhe nuk mund të bëhesh aq mazohist ndërkaq sadizmin ndaj Albinit e preferon , nëse jo nga ti, atëherë i arsyeton të tjerët. Sadizmi, mazohizmi dhe sado-mazohizmi nuk banojnë në qelinë e Albin Kurtit. Definitivisht jo. As në shpirtin e tij e as në  qenien e tij. Pra, lirohu nga kjo frikë!

Gjëja më e tmerrshme që mund të dëgjohet nga një intelektual liberal dhe aktivist për të drejtat e njeriut është të arsyetohen veprimet e paligjshme, arrestimet arbitrare, cenimin e integritetit fizik e moral, ushtrimin e dhunës, fizike dhe shpirtërore ndaj atyre që mendojnë dhe veprojnë ndryshe dhe krejt kjo bëhet në emër të demokracisë. Nuk mund ta kuptoj ndryshe një pjesë të shkrimit tënd ku thua se UNMIK- u dhe prokuroria ndoshta kanë pasur arsye politike dhe pragmatike, ose të sigurisë që e kanë izoluar Kurtin për disa muaj! Tmerrësisht e padurueshme, po e legjitimon dhe legalizon mendimet e kryepolicit të UNMIK-ut, Monk i cili, është në të njëjtat valë me ty. Pra, nëse është vlerësimi politik se sot Albini, nesër Shkëlzeni, Behxheti apo Skenda (mozomakeq) paraqesin rrezik për proceset politike e që arsyetohen, sipas nevojës me rrezikimin e situatës së sigurisë, deri në terrorizëm, qenka e lejuar të izolohen, pa konsekuenca morale dhe ligjore dhe të mbahen jo shumë, disa muaj, p.sh. 10,20,50 etj. Ashtu izoloheshin shqiptarët dikur, para ardhjes së "druzhe" Titos, më fal se po ta përmendi, nuk po e bëj me ndonjë qëllim, ashtu izoloheshin para lufte në kontekst të qetësimit të situatës dhe mbajtjes nën kontroll të proceseve, ashtu po veprohet edhe sot. Po brengosem se kjo po shndërrohet në diçka gjenetike, trashëguese nëse edhe ti pajtohesh me këtë konstatim.

E kam një pyetje të thjeshtë; si do të reagoje p.sh. po të izolohej Veton Surroi, Ylber Hysa, Oliver Ivanoviqi apo Rada Trajkoviqi ose, mozomakeq, Skënder Hyseni, për shkak të veprimeve politike? Unë, do të reagoja ashtu si kam reaguar edhe tani. Nuk do t’i mbroja personat por do ta mbroja parimin e shenjt për lirinë e fjalës dhe të mendimit. Do të bëja përjashtim vetëm nëse ajo liri do të ishte e adresuar kundër mohimit të lirisë së tjerëve, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare, gjinore, sexuale etj. Te ti qëndron një problem i natyrës psikologjike, prej drurit nuk e sheh malin, me fjalë të tjera duke u marrur me Albinin dhe duke u përpjekur ta injorosh ate, nuk po e sheh se në Kosovë po ngulfatet liria e fjalës dhe e mendimit ndërkaq, për pasojë do ta kemi një demokraci të tipit të Koresë së Veriut ose në variantin më të butë dhe të moderuar, demokracinë e Hugo Chavezit. Deri atëherë, ti gëzohu me pavarësinë e prekshme, ishalla ke çka me prekë, do të jesh fatlum nëse e ke afër Rukerin apo zotin Shuk. Atëherë nuk je pa gjasa për të prekur diçka. Dhe krejt në fund, Shkëlzen Maliqi, a je për DEMOKRACI a TIRANI?

Reagim ndaj shkrimit të Shkëlzen Maliqit "Dy etyde politike", botuar në Express me 17.05.2007

E martë, 22 maj 2007

[Permalink]


Nächste Seite »

Kostenloses Blog bei Beeplog.de

Die auf Weblogs sichtbaren Daten und Inhalte stammen von
Privatpersonen. Beepworld ist hierfür nicht verantwortlich.