BUSHI URDHËROI TIRANËN ZYRTARE TË MERRET ME KOSOVËN E SAJ

Shkruan:Xhevat BISLIMI
Këtë shkrim do ta filloj me një fjali (konstatim) të ëmbël për popullin shqiptar, por të hidhur për klasën politike shqiptare: “Ndihmoje popullin shqiptarë dhe ndëshkoje klasën (matrapazët) e tij politike, Amerikë”! Nuk dua ta lodh dhe as ta ngatërroj lexuesin shqiptar me analizimin e shkaqeve, rrethanave, dhe interesave që e shtynë shtetin më të fuqishëm në botë të vihet në anën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Por do të nisem nga fakti se SHBA-të angazhuan një pjesë të mjaftueshme të fuqisë së tyre politike, diplomatike, financiare dhe, në fund, edhe ushtarake, për ta ndihmuar Luftën Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar kundër pushtuesit kryesor (në fuqi dhe egërsi), Serbisë. Fakt është, gjithashtu, se SHBA-ve iu bashkuan edhe shumë Fuqi të tjera botërore të bashkuara në organizatën më të fuqishme, në NATO. Por, natyrshëm bëhet pyetja: A do të kishte shtet tjetër në botë (në fund të shek. XX) që, do të mund ta ndërmerrte këtë nismë dhe fushatë bombardimesh kundër Serbisë? Jo. Njëmijë herë jo. Prandaj, edhe populli shqiptar, kudo që jeton, është dhe do t’i jetë përjetë mirënjohës popullit amerikan dhe Amerikës. Dëbimi i shpejtë dhe i përgjithshëm i pushtuesve serbë nga krahina më e madhe e pushtuar e Shqipërisë, nga Kosova, ishte një fitore historike e shumëpritur. Kjo fitore, për herë të parë (pas krijimit të shtetit shqiptar) hapi rrugën dhe hapi shtigjet (proceset) e bashkimit kombëtar. Mirëpo, krenaria, entuziazmi dhe gatishmëria për ta çuar më tej fitoren e shkëlqyer ndaj Serbisë pushtuese u dominua nga rikthimi “fitimtar” i filozofisë politike rugoviane të qëndrimit duarkryq, moskokëçarjes, pritjes, qyqarllëkut dhe zvarritjes. “Fituan” dashuria dhe ngrohtësia për të huajën dhe të huajt, nga njëra anë, dhe përbuzja dhe ftohtësia për popullin dhe vendin tonë, nga ana tjetër! Servilizmi dhe hipokrizia e “politikanëve” shqipfolës i iritoi edhe miqtë tanë më të mirë. Kjo filozovi politike, fatkeqësisht, u pranua dhe përvetësua shpejt edhe nga disa politikanë, që dolën gjatë dhe pas Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së. Etja për pushtet, lavdi e pasuri i mori në qafë edhe disa nga ata që bënin be e rrufe në çlirimin dhe bashkimin e tokave të Shqipërisë, që betoheshin e përbetoheshin në komb e atdhe, në gjuhë e flamur shqiptar… Ecja e madhe prapa nisi me shpërbërjen e UÇK-së (dorëzimin e armëve) pa u mbyllur të paktën çështja e kësaj Kosove që ka mbetur nga copëtimet e shumta, pa u garantuar kontrollimi i plotë i tokës së kësaj Kosove dhe i kufijve të saj me Serbinë e Malin e Zi. Kjo i dha dorë Serbisë, që të riorganizojë forcat e sigurisë në një pjesë të mirë të Kosovës, veçmas në Veri, dhe të rikthejë, nënë petkun e “refugjatëve”, një pjesë të mirë të efektivit të saj informativ, policor, ushtarak, etj. Këto struktura, të organizuara, të furnizuara dhe të financuara mirë nga Serbia, sot kanë vendosur pushtetin e tyre në një pjesë të mirë të territorit të Kosovës, ku nuk guxojnë të shkelin “kryepolitikanët” dhe “kryeinstitucionalistët” shqipfolës. Dorë e zgjatur e tyre janë bërë edhe mjaft bashkëpunëtorë e nostalgjikë të kohëve të “arta””të Jugosllavisë dhe Serbisë! Sojin e tyre i gjenë në majat e politikës, në majat e institucioneve, në majat e mediave, në majat e arsimit, etj. Këta, të lidhur dhe bashkërenditur ngushtë me Beogradin, u përpoqën dhe po përpiqen me mish e me shpirt që ta kthejnë rrotën prapa dhe që misioni amerikan të hyj në histori si “mission impossible””në Kosovë. Pjesë e këtyre përpjekjeve kundërshqiptare u bë, me dashje a pa të, me vetëdije a pa të, edhe Tirana zyrtare, e cila, me moskokëçarjen e saj dhe me “neutralitetin” e saj i prishi shumë punë Kosovës dhe mbarë çështjes shqiptare. Elita politike shqipfolëse e Tiranës, e Prishtinës dhe ajo e Shkupit i prishi punë edhe vetë Amerikës dhe politikave të saj në Ballkan.
Pas zgjedhjeve të para në Kosovë, të cilat, për të zezën e Kosovës, i fitoi partia që me fjalë ishte “në miqësi të përherëshme me Amerikën, kurse me gjithë angazhimin e saj ishte kundër Amerikës dhe kundër vetë interesave shqiptare. Analistë të njohur dhe zyrtarë të lartë amerikanë nisën të dërgonin sinjale dhe porosi të shpeshta për Tiranën dhe Prishtinën. Këto porosi u bënë më të dendura dhe më të qarta sidomos pas ngjarjeve të njohura të marsit të vitit 2004. Meqë, politikanët”shqipfolës nuk arrininë (nuk donin) t’i “deshifronin””porositë e tyre, ata (zyrtarë e analistë të shumtë amerikanë), në prag dhe gjatë bisedimeve me Serbinë, u detyruan të deklaronin botërisht se për Kosovën do të vendosë populli shqiptar. Kjo deklaratë, shumë e qartë dhe pa ekuivoke, është përsëritur shumëherë. Tirana dhe Prishtina bënë veshin të shurdhër dhe Kosovën shqiptare e nxorën në tavolinën e përbashkët me serbët, në Vjenë. Me këto bisedime Serbia edhe ndërkombëtarisht u pranua “”ortake””në çështjen e Kosovës, ndërsa pronarja e vetme e ligjshme, Tirana (shteti shqiptar), bënte sehirë dhe sillej sikur të bëhej fjalë për një krahinë diku në Afrikë! Qeveria shqiptare për muaj të tërë çështje të dorës së parë e kishte bërë “Zogun e Zi” (mbikalimin)! Partitë politike dhe krerët e tyre në Tiranë bënin “luftë për çdo votë”” për qeverisjen vendore! Bisedime me Serbinë, për Kosovën, mund të zhvillonte vetëm shteti shqiptar, nëse kjo do të ishte kerkesë e prerë e Bashkësisë ndërkombëtare (e miqëve tanë). “Politikanët”e Prishtinës mund të bisedonin, po të ishte nevoja, vetëm me përfaqësuesitë ose politikanët e pakicës serbe në Kosovë. Pikë. Kaq mund t’i shtrinin këmbët ata, sikur t’i kishin dy gram mend.…Bisedimet kështu siç u bënë, degardimi i rrezikshëm i çështjes së Kosovës, koncesionet tragjike dhe antishqiptare, që “grupi uzurpator”i bëri Serbisë, e detyruan Gjergj Bushin të vinte vetë në Tiranë. Përvoja tetëvjeçare me këtë soj politikanësh e detyroi Bushin ta bëjë thirrjen e tij edhe publikisht: “Unë, i bëj thirrje kryeministrit të bashkëpunojë me udhëheqësit e Kosovës për të ruajtur gjakftohtësinë gjatë këtyre fazave përfundimtare të procesit të statusit final të Kosovës. Ai më siguroi, se do ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka kontakte të mira atje dhe kosovarët i kanë sytë tek udhëheqja e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Shqipërisë. Ata janë të gatshëm ta ofrojnë një gjë të tillë», - tha Kryetari Bush. Në këtë thirrje bëhet i qartë mosbesimi i Bushit te Kryeministri Berisha dhe te e gjithë klasa politike shqiptare. Kryetari amerikan « detyrohet » ta bëjë publike bisedën e tij me Berishën për ta detyruar atë, si dhe gjithë Tiranën zyrtare, ta marrë rolin e udhëheqës, siç i takon dhe siç e ka detyrim para kombit dhe Zotit, nga njëra anë, dhe për t’ia bërë të ditur matrapazëve politikë (grupit negociator) në Prishtinë se duhet ta njohin rolin udhëheqës të Tiranës me çështjen e Kosovës (çështjen shqiptare). Sa bukur e tha: «Ai (Berisha, vrejtja ime) ka kontakte të mira atje, dhe kosovarët i kanë sytë tek udhëheqja e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Shqipërisë». Porosi e qartë: Shqiptarë të Kosovës, kthehuni me sy kah Tirana. Aty e keni Kryetarin tuaj. Aty e keni Kryeministrin tuaj. Mos u merrni me dokrrat dhe kopallat e grupit uzurpator, mashtrues dhe kush e di çka tjetër.…A ka thirrje më të hapur se kjo që orienton dhe fton drejtëpërdrejt shqiptarët e Kosovës t’i njohin autoritetet e Tiranës? A ka shpjegim më të hapur dhe të qartë se ky për botën se Kosova është e lidhur me Tiranën dhe jo me Beogradin? A ka thirrje dhe mësim më të mirë se ky për klasën politike dhe shtetërore të Tiranës? Kryetari i shtetit më të madh në botë i thotë Tiranës zyrtare: Kosova është e jotja, Kosova është shqiptare, ti duhet të merresh me të.…A e kuptoi kështu Tirana? A e kuptoi kështu Prishtina? A e kuptuan kështu mediat? Druaj se jo. Këtë e provon edhe deklarata e Bersihës para gazetarëve: «Ajo që unë mund t’i transmetoj publikisht udhëheqsëve dhe qytetarëve të Kosovës është se projekti i tyre ka mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të presidentit Bush. Në këtë kontekst, sikundër dhe më parë, edhe tani, as nuk pres dhe as nuk këshilloj ndonjë lëvizje, përkundrazi, persistencë dhe gjakftohtësi. Projekti i tyre është plotësisht në mendjen dhe zemrën e presidentit Bush, - tha Berisha.Vetëm në këtë deklaratë të shkurtër, Berisha, thotë dy herë “projekti i tyre” (me demek i “kosovarëve”, jo i kombit shqiptar). Këtu shihet se ai dhe kompania e tij nuk e kanë kuptuar”as këtë porosi pa ekuivoke të Bushit. Nuk ka nevojë të transmetosh diçka të ditur tashmë shumë vite, o Sali. Krejt bota e di se “projekti i tyre””ka mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të Bushit. E dimë se ky projekt është në mendjen dhe zemrën e Kryetarit dhe të Qeverisë amerikane. Këtë Amerika e ka dëshmuar me veprime konkrete. Bushi nuk erdhi t’jua zbulojë këtë të vërtetë publike, o Sali. Ai erdhi ta bëjë Kosovën projekt dhe pjesë tuajën (të Tiranës zyrtare) dhe të zemrës tuaj. Që Kosova të jetë edhe në mendjen dhe në zemrën tuaj, të paktën, siç është në mendjen dhe zemrën e Bushit. Ai erdhi t’ju thotë që me “gjakftohtësi”, me përkushtim”dhe vendosmërisht të merreni me punën e Kosovës, që Tirana zyrtare ta aftësoj”Kosovën dhe mbarë kombin për t’u përballur me Serbinë, sepse lufta për Kosovën nuk ka marrë fund.…Para saj dhe para Tiranës janë sfida dhe prova të reja. Prandaj, përgatituni, mos flini, por bëhuni gati për çdo të papritur. Lirinë dhe tokën tuaj duhet ta mbroni vetë. Mos harroni se ne jemi me ju, por nuk jemi «JU», tha Bushi dhe iku……
Prishtine, 12 qershor 2007.