Navigimi
Login / Verwaltung
Kategorien
RSS Feed
Lidhje
HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis"
- Ukshin Hoti
Kontakti
|
Du befindest dich in der Kategorie: Të ndryshme
MOS E PËRSËRISNI HISTORINË TRAGJIKE TË SHQIPËRISË NATYRORE!

Shkruajnë: Xhemil Zeqiri - Fadil Shyti
Zotërinj diplomatë evro-atlantikë, kujdes në vendimet e tuaja që po i ndërmerrni në këtë fillim-shekull të ri, kur e keni përpara në agjendat tuaja zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Me arsyetime, paragjykime dhe në fund me vendime të gabuara në zgjidhjen e kësaj çështjeje në dëm kombit shqiptar nën ”flamujt” e tolerancës demokratike, me premtimet për pranimin e Shqipërisë dhe pjesës së saj, Kosovës në Evropë, duke mos ia njohur Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të okupuara nga shovinistët sllavë; të drejtën për VETËVENDOSJE, ju në fakt nuk jeni zgjidhja e kësaj çështjeje kaq të rëndësishme historike dhe për ardhmërinë e rajonit, por në fakt ”Grupi i Unitetit”, i cili po i prinë kësaj valleje djalli duke ndjekur rrugën e tymit, e cila në fakt nuk është zgjidhja por ngufatja e pastaj doemos rrebeshi i uraganit popull, i cili nuk lejoi dje, as nuk do të lejojë nesër që t´i shkelen liritë dhe të drejtat e tij nëpër këmbë.
Ju, zotërinj!
Duke pasur në të kaluarën dhe deri në ditët tona, një histori të gjatë luftërash dhe përpjekjesh për liri të kombit tonë, por edhe të kombeve të tjera liridashëse të Ballkanit Evropës dhe më tej, na bëni të habitemi me qëndrimet tuaja, kur në emër të kompromiseve përballë kolonizatorëve serbë, (me apo pa vetëdije), po kërkoni apo më saktë, po e projektoni fatalisht ”strategjinë e re demokratike”, e cila është tepër e pafavorshme për ne shqiptarët, të cilët jemi i vetmi vend në Ballkan që shteti ynë administrativ Shqipëria, kufizohet nga të gjitha anët e kufijve të saj me trojet e veta, pra jemi të copëtuar nga politikat e gabuara të paraardhësve tuaj, të cilët për t´i shuar orekset e egra të shteteve sllave, të cilat ishin dhe janë marioneta të Rusisë në Ballkan, morën në të kaluarën vendime tepër të padrejta për kombin tonë. Ju, do të duhej t´i thërrisni mendjes së shëndoshë, do të duhej t´i thërrisni arsyes: ta ndihmoni pa hile një komb të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga barrët e robërisë, që i barti mbi supe për më tepër se një shekull dhe po i bartë me shumë mundime, gjak e lot, deri sot. Ne, me këtë rast prej jush nuk kërkojmë mëshirë, por kërkojmë drejtësi! Ju, këtë mund ta bëni fare lehtë vetëm duke i zbatuar konventat tuaja ndërkombëtare për të drejtën e kombeve - siç janë VETËVENDOSJA dhe referendumi, trajtimi njësoj i kombeve dhe kombësive, gjegjësisht minoriteteve që jetojnë jashtë shteteve amë. Ju, këto tri emblema të lirisë së popujve i keni shkelur katërçipërisht, kur është rasti me shqiptarët. Ne, fort mirë e kuptojmë qëndrimin tuaj të tillë, të cilin nuk do të duhej të ishte kështu; ju e bëni këtë sipas ideve tuaja paqësore për t´i shuar konfliktet dhe luftërat në Ballkan dhe në trojet e okupuara shqiptare; pa qoftë edhe duke i sakrifikuar pafundësisht shqiptarët, duke i bërë ata kurdoherë kurban nga duart gjakatare pushtuese sllave, të cilat i ndërrojnë dorëzat herë të kuqe herë të kaltra, të cilat i ndërrojnë lëkurët si kameleonët gjatë stinëve të motit herë, si ujq e herë si dele, të cilat thikat e mprehura për shqiptarët: herë i fusin në miell, herë i mbajnë në dhëmbë.
Ju zotërinj, duke menduar se e qetësoni rajonin të trembur nga këto kërcënime dhe veprime të tyre duke i prerë me thika evro-atlantike, sërish trojet tona, gaboheni rëndë; sepse për asnjë çmim shqiptarët nuk do të lejojnë të bien pre e mashtrimeve dhe imponimeve të brendshme, nën udhëheqjen fantazmë të ”Grupit të Unitetit” por, as të vendimeve të padrejta nga diplomacia juaj ndërkombëtare, duke filluar nga Grupi Ndërkombëtar i krizave (GNK) e deri në OKB, të futura në një Paketë, të thatë kashte si ajo e Ahtisarit, nga e cila do të merr flakë sërish rajoni ynë.
Sidomos, muajve të fundit në qarqet tuaja diplomatike të Ballkanit, Evropës, Amerikës dhe më tej, po bëhet shumë zhurmë e madhe kinse për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por qëllimisht po harrohet tërësia e pazgjidhur e çështjes shqiptare në viset tona të okupuara nga shtetet e sllave të Ballkanit. Diplomacia juaj ndërkombëtare duke e gjetur terrenin e përshtatshëm të kompromisaxhinjve pushtetarë shqiptarë të andej dhe këndej Drinit, të Shqipërisë Natyrore, si para ashtu edhe pas luftës e ka dëmtuar rëndë çështjen tonë të pazgjidhur; e ka vonuar atë dhe për më tepër as tani nuk po merr kurajën e fortë që kësaj radhe disi (më mirë vonë se kurrë), t´i përmirësojë gabimet e veta të së kaluarës, gjegjësisht gabimet e të parëve të tyre diplomatë, të cilët atëbotë u treguan tepër mizorë ndaj shqiptarëve; kujtojmë këtu Konferencat e Versajës, Londrës e të tjera si këto, kur trojet shqiptare u bënë "monedhë kusuritjeje" për t´i kënaqur orekset pushtuese sllave dhe për t´i qetësuar gjakrat e egër të etur për dominime influencash nga shtetet imperialiste, pra për t´i plotësuar orekset e tyre në Ballkan, midis Turqisë, Gjermanisë, Rusisë e të tjera forca ekspansioniste. Ne, nuk jemi kundër proceseve të vërteta demokratike, por konsiderojmë që pikërisht duke u betuar në demokracinë, sot po shkelen të drejtat elementare të popujve, po pengohen tepër ngatërrueshëm vetë këto procese.
Ju, zotërinj duke e kthyer historinë e re në prapakthehu me qëndrimet tuaja të padrejta, kur keni vendosur që për fatin e një kombi prej 2 milionë shqiptarësh në Kosovë dhe për pjesën e tyre jashtë Kosovës me vise, të vendosë një grup njerëzish nën firmën mashtruese të “Grupit të Unitetit” absolutisht keni shkelur mbi parimet e drejtësisë sonë kombëtare por edhe ndërkombëtare. Kur ky grup servilësh, i cili po përkundet në djepin foshnjorë të politikës suaj të gabuar u kthye nga Vjena në Kosovë, pa asnjë rezultat pozitiv, nga dialogu me ata që s´do të duhej kurrsesi të dialogohej, polli dobiçja juaj politike me brirë sherri, e ashtuquajtura “Paketë e Ahtisarit”.
Ne, konsiderojmë që kjo Paketë është tepër e pafavorshme për shqiptarët dhe kërkohet që populli ynë t´i flakë si leckat e pista mashtrimet e politikave kundër-shqiptare dhe të ngrihet si një trup i vetëm që t´i luftojë ato, të ngrihet arsyeshëm me format e luftës politike dhe me të gjitha format që ndërmerren për t´i bërë me sukses luftërat çlirimtare, që ta fitoj lirinë dhe dinjitetin e humbur, të cilin aq keq sot po ia marrin nëpër këmbë “shpëtimtarët” e brendshëm dhe të jashtëm.
Ka zëra në diplomacinë ndërkombëtare, si ai i ministrit të jashtëm të Suedisë, Karl Bild, i cili para dy ditësh deklaroi: “për pavarësinë e Kosovës të mos vendoset njëanshëm në OKB, por udhëheqjen për këtë ta merr Evropa, e cila duhet ta zgjedhë problemin me kompromise” .
Ne, mendojmë që këta diplomatë të painformuar mirë, apo për arsye të tjera që ata i dinë , të cilët po veprojnë sipas logjikës “ndiqe lepurin e mos e zë”, duhet ta dinë një fakt: që ishte kjo Evropë që e krijoi dje problemin, fatkeqësisht as deri sot, kjo Evropë nuk po tregohet e gatshme ta zgjidhë drejt këtë problem.
Ju kujtojmë atyre se: kjo fatkeqësi historike i ka ngjarë Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare edhe pas luftës së dytë botërore, kur në Konferencën famëkeqe të Prizrenit, në korrik të vitit 1945, aty delegatët e “zgjedhur” nga populli nën kërcënimin e tankeve serbe, vendosën që Kosova me vise të tjera shqiptare t´i bashkoheshin njerkës Serbi dhe t´i ndaheshin Nënës Shqipëri. Atëherë, kjo tradhti jugosllave dhe e fuqive të mëdha u arsyetua nën maskën e ndërtimit të socializmit në Ballkan dhe më tej, kurse tani po shkohet po me këtë logjikë unitariste, që nën maskën e ndërtimit të demokracisë evro-atlantike, por tash nën kërcënimin e mashtrimeve të diplomacive që dalin nga dyert e Konferencave të mëdha, famëkëqija si ato në Rambuje, Paris dhe Vjenë apo në New York, për fatin e një kombi të vendoset padrejtësisht, ardhmëria jonë po rrezikohet, po nga të “zgjedhurit” e popullit.
Sipas kërkesave tepër të zëshme tani po bëhen përpjekje për Kosovën dhe viset tjera shqiptare që brenda kombit tonë të bëhen jo vetëm ndarje kufitare por edhe ndarje shpirtërore e kulturore apo më saktë përpjekje për ta thyer identitetin tonë kombëtar, duke shpikur ide tepër kundërshqiptare që të krijohet jo vetëm një Kosovë e cila deri sot quhet me një emër sllavë, jo me prejardhje shqiptare, (që d.m.th, Zog i zi, apo mëllenjë e zezë), shtrojmë pyetjen përse Kosova të mos quhej Dardani, kur serbët këmbëngulin që kjo të quhet edhe Metohi, ne përse të mos këmbëngulim që kjo të quhej me një emër autokton shqiptar Dardani?! Pastaj, përse po ngrihet aq shumë pluhur nga qarqe të caktuara reaksionare që brenda kombit tonë të krijohen dy kombe: kombi shqiptar dhe ai kosovar?!
Kjo, thikë prapa shpine me ide të prapa komplotiste që po e përgatisin sot syleshët politikë titistë dhe pasardhësit e tyre duhet të pengohet dhe të luftohet kudo dhe kurdoherë!
Njëkohësisht, të luftohet dhe ndryshimi i flamurit tonë kombëtar, nëse tentohet të kemi një flamur multietnik, apo ndonjë simbol laraman, që kinse simbolizon multietnicitetin e banorëve të Kosovës. Në botë ka shumë shtete që jetojnë minoritete për nga numri edhe më shumë se sa jetojnë në Kosovë, por këto shtete demokratike po as ato komuniste nuk kishin as kanë flamuj “multietniceti”. Shpikje të tilla reaksionare janë tepër të rrezikshme për destabilizimin e rajonit tonë, ka gjëra të shenjta kombëtare që janë të ndjeshme si sytë e ballit, këto janë: gjuha dhe flamuri, me këto nuk guxon askush të luan ”lojëra lotarie”, përndryshe do të bindet herët a vonë se po luan me zjarrin!...
Populli ynë, tani e ka të trasuar rrugën e lirisë, ende nuk është tharë gjaku i dëshmorëve, të cilët nuk ranë për integrimin në Evropë por ranë për ribashkimin e trojeve tona, ata nuk ranë për një pavarësi me mbikëqyrje, me kokën në rërë nga Serbia dhe Evropa, ata nuk ranë për një Kosovë, ku mundet çdokush t´ia vret bijtë dhe bijat, dhe t´ia rrahë ata/ato, dhe pastaj të dënohen sipas ligjeve “demokratike”, vetëm se e kërkojnë të drejtën për VETËVENDOSJE, kurse kriminelët të ikin pa therë në këmbë, andej nga kishin ardhur nga vendet “mike”, faji pastaj të mbetet jetim, kurse bij e bija të saj të dergjen burgjeve si në kohërat e errëta të krajlëve të egër të ish-Jugosllavisë!
Ne, jemi të bindur se populli ynë nuk do të lejojë të mashtrohet gjatë, dikush po e keqpërdorë durimin dhe besimin e tij, njëkohësisht jemi të bindur se ky popull do të zgjohet krenar përballë forcave të errësirës, nëse këto ia prekin dhe ia mohojnë kaq pamëshirshëm kërkesat e veta dhe elementet më të shenjta kombëtare.
Populli ynë nuk do të lejojë pakufishëm që të huajt as besëprerët t´ia shkelin lirinë dhe të drejtën legjitime për vetëvendosje!
Danimarkë - Suedi, 1 Maj 2007
ALBIN KURTI - Kolumne nga burgu

Sh.!sh.!sh.!sh.!sh.!......
“Varfëria është simptom: Robëria është sëmundja’ –
Bertrand Russell në eseun “Bota ashtu siç mund të bëhej”
-E dimë se je i shqetësuar, por rri i qetë. E dimë se je i pakënaqur, por prit. E dimë se po vuan, por duro. (Rri aty poshtë që ne të rrimë këtu lartë)
Në shekujt XIX dhe XX industrializmi, aty ku nuk e ka krijuar, e ka rritur nacionalizmin. Dhe, i ka forcuar shtetet. Së paku një shekull më vonë, në Kosovë, ka aq shumë tregti dhe fare pak industri. Tregtia ishte karakteristikë e sistemit feudal, e kohës kur mbizotëronin perandoritë. Madje, për më keq, e vetmja industri që funksionon në Kosovë është kompania që më së shumti urrehet nga qytetarët – KEK-u. Në vend që të eksportojë, KEK-u importon energji elektrike; në vend që ta rrisë buxhetin e Kosovës, e shterrë atë; në vend që të jetë bazë ë zhvillimit ekonomik të Kosovës, është shndërruar në pengesë për të. E gjithë kjo duke pasur parasyshë resurset e mëdha energjetike të Kosovës dobia e të cilave u ndje fuqishëm veçanërisht në vitet ’70-ta, fatkeqësisht jo vetëm nga Kosova.
Stagnimi ekonomik i Kosovës që pasohet me rënie të vazhdueshme dhe të shpejt sociale ka një adresë të thjeshtë dhe të qartë – AKM-ja. Ajo disponon me pasuritë e Kosovës dhe kapacitetet e saj zhvillimore. Mirëpo, për vite me rradhë ajo ka zotëruar për të bllokuar ndërsa zhbllokimi ishte një shitje e të mirave publike dhe shoqërore të Kosovës. Përveç që kjo shitje parimisht është vjedhje e djersës dhe kontributit të popullit, ajo u përcoll me vjedhje brenda vjedhjes, me kënaqje interesash të llojllojshme në kurriz të interesit të përgjithshëm që s’përfillej aspak. Për ta legjitimuar këtë process kanë inkuadruar ekspertë të ndryshëm kosovarë që thuhet të kenë mbaruar shkolla me që jashtë vendit, port ë cilët nga perëndimi më parë se dijen kanë marrur veçse stilin e jetesës. Ata janë agjentët e ekspertizës në ‘human resources’, temës së preferuar të turistëve ndërkombëtarë, e cila shpalos vizionin menagjerial mbi njeriun si pjesë përbërëse të teknologjisë duke e instrumentalizuar atë. Ndërkaq, anën praktike të privatizimit e legjitimojnë përfituesit: krerët politik të fshehur prapa emrave të kusherinjëve të tyre dhe jo pak ish komandanët të UÇK-së që i janë bashkuar biznesmenëve tashmë të rehabilituar që vazhdojnë të bashkëpunojnë me Serbinë.
Ndalja në gjysmë e luftës çlirimtare rezultoi me hegjemoni reaksionare: jo vetëm që nuk u përmbys shtresa që pasurohej nga kolaboracionizmi, por ajo u zgjeruar me biznesmenët e rinj nga rradhët e komandantëve të dikurshëm të UÇK-së. Përqendrimi i burokratëve ndërkombëtar të AKM-së, natyrisht, ishte aty ku janë paratë e mëdha: PTK, KEK, Aeroport, etj... Vjedhjet më të mëdha nuk janë bërë prej ndërkombëtarëve që vijnë nga vendet e Botës së Tretë, por pikërisht nga ata të vendeve të BE-së. Paketa e Ahtisaarit parasheh që edhe më tutje ato të mbesin pikërisht në duar të atyre. Pasi që ti rjepin mirë e t’i shkatërrojnë, ata do t’i shesin edhe këto pasuri kolektive të ndërtuara me dekada dhe atë me çmime banalisht të ulta. Tregu vendos për çmimin, do të na thonë! Dhënia e Aeroportit të Prishtinës me koncesion dhe planet për TC-në ‘Kosova C’ janë vetëm fillimi. Sepse, privatizimii shërbimeve komunikuese dhe i energjisë është esencial për neoliberalizmin. Privatizimi i resurseve dhe sferës public është rruga e zhbërjes së shoqërisë. Mu këtë e duan sepse shoqëria si koncept është sfida kryesore për mënyrën e sundimit që ata dëshirojnë. UNMIK-ut bënë sehirë përderisa kolapsojnë UP-ja (Universiteti i Prishtinës) dhe QKUK-ja (Qendra Klinike Univeristare e Kosovës). Zaten e tëra është tranzicion: rrënim sistematik i shërbimit publik. Mbase këta neokolonizatorët neoliberal, në instancën e fundit, edhe ta pranojnë shtetin dhe vendin, por vetëm atëher kur ta shesin paraprakisht.
Tërë këtë kurs paketa e Ahtisaarit do ta përforcojë. Investimi në të ardhmen i Misionit Civil Ndërkombëtar që do të ‘këshillojë’ edhe në planifikimin e buxhetit do te jetë i drejtuar kah dora e djathtë dhe e hekurt e pushtetit: në polici e gjyqësi, duke i rritur pagat dhe përmirësuar kushtet atje, duke sjellur profesionistë të akullt nga BE-ja në këto sektore. Arsimi e shëndetësia do të vazhdojnë të dergjen pa shpresë, përveç shkollave dhe ordinancave private që do të bëhen vendtakim i familjeve të biznesmenëve politikanë dhe politikanëve biznesmenë. Shumica dërrmuese e popullatës do të mbesin të vrafër dhe ose të papunë, të kurthuar në rrethin vicioz të mjerimit: arsimimi i dobët që nuk të bën konkurrues, sëmundjet për shërimin e të cilave s’mund t’i blesh barnat, skamja dhe papunësia që lënë të hapur vetëm derën e krimit dhe delikuencës. Kjo mëgjithatë nuk do ta ndalë konsumin. Prodhimi kryesor i një ekonomie të këtillë do të jetë nevoja-vendosja e njerëzve në gjendje gatishmërie për të kërkuar diçka të panevojshme. Edhe për këtë arsye do të ushqehen dallimet etnike dhe fetare. Kapitali i neoliberalizmit i do, i dëshiron dhe i krijon dallimet. Do të kemi shampon për tinejxherët muslimanë, këpucë për vajzat katolike, bluza të posaçme për asketët ortodoksë mbi moshën 30 vjeqare, pantollona të veçanta për homoseksualët shqiptarë e serbë. Pllakosja e mjerimit të masave do të përhapet ndërkohë që justifikimi i kontrollit dhe i sundimit të huaj mbi ne do të mbetet po ai.
Nuk jemi gati për t’iu lënë vetëm! Liria e plotë ju bën dëm juve! Do të na thonë fraza që kanë kuptim edhe më të rëndë se kaq, por tingëllim më të butë se kjo.
Për shkak të mjerimit që na mbërthen nuk do të na lënë të jemi të lirë. Në fakt, për shkak se na e mohojnë lirinë, s’do të mund të dalim nga mjerimi. Në vend që të ketë zhvillim pa dominim, do të shndërrohemi – ashtu siç tashmë mbase jemi bërë – në një vend ku ka vetëm dominim dhe s’ka fare zhvillim. Diciplinimi gjithnjë e më pak i nevojshëm i politikanëve kosovarë, edhe në të ardhmen do të jetë instancë e Përfaqësuesit Special Ndërkombëtarë si sovran. Andaj, ata do të pëshpërisin si ngahera. Pëshpëritja është egzistenca e tyre. Pëshpëritjen deri në hestje totale, do ta kërkojnë edhe nga qytetarët përmes refrenit të tyre që nuk do të përfundojë asnjëherë përderisa të respektohet: Shshshssh... E dimë se je i shqetësuar, por rri i qetë. E dimë se je i pakënaqur, por prit. E dimë se po vuan, por duro. (Rri aty poshtë që ne të rrimë këtu lartë)
Mirëpo, do të vijë një ditë, më shpejt se sa që besohet, kur askush s’do të heshtë e durojë. Kur padëgjueshmëria e njerëzve do të jetë normale, gjëja më normale. Vitet me UNMIK-un, AKMN-në dhe të ngjashmit do të duken aq të turpshme. Ashtu siç edhe janë.
Albin Kurti
(20 prill 2007; Burgu i Prizrenit,
krahu A, qelia nr.3)
KUNDRIME TË VEÇANTA PËR KOHËN

Në 54 vjetorin e lindjes së dëshmorit Kadri Zeka (25 prill 1953-17 janar 1982)
Me rastin e përurimit të memorialit për Kadri Zekën në fshatin e lindjes
Nga: Prof. Hanumshahe Shabiu
„Kadri Zeka njihet si luftëtar me mendim të kthjellët e vullnet të hekurt, ngjan me një shqiponjë që fluturon lart e shikon në lartësi“. Resul Bedo
Veprimtaria politike e Kadri Zekës është padyshim një segment i veçantë në tërë atë aktivitet mbi 12 vjeçar,që mishëronte idetë përparimtare të diplomatëve si Ismail Qemali, Hasan Prishtina etj., që konsekuent punuan deri në vdekje. Ndërtimi i një filozofie mbi bazën e interesit kombëtar, thyerjes së kuazivlerave, luftën pa kompromis ndaj asaj pjese që nuk njeh ligjet e së drejtës për pavarësi, fuqishëm gërshetohen në tërë jetën dhe shkrimet e Kadri Zekës.
Fillet e Ndërkombëtarizimit të Çështjes së Kosovës
„Vëllezër e motra,fati i zi nuk është asgjë e re për popullin e Shqiptar në Jugosllavi, atij edhe më parë i ka munguar kafshata e gojës, rrobat e trupit dhe kulmi mbi kokë. Por, kurrë nuk i ka munguar vullneti për ta çliruar vendin nga sunduesit e huaj. Armiku pa mëshirë ka shkelur mbi pasuritë e tokës dhe të nëntokës së begatshme shqiptare. Qyteti, fshati dhe shtëpia e shqiptarit kudo që është po gdhihet sot me tanke te porta, të gatshme për t’ia shtuar Kosovës gjëmën“. Këto fjalë Kadriu i mbajti para punëtorëve tanë në Perëndim. Ai i bënë një retrospektivë pozitës së shqiptarëve , duke e ndier në shpirt gjenocidin që po kalonte popullsia e pafajshme. Koncepti i tij ishte i orientuar në dy drejtime: aktualizimin e çështjes shqiptare në botë dhe përgatitja e tij për një front të përbashkët drejt çlirimit kombëtar. Perëndimi sigurisht nuk do të kishte pasqyrë të qartë mbi gjendjen në Kosovë, nuk do të njihte realitetin e krijuar me vite, nuk do të shihte më për së afërmi filozofinë vepruese të shqiptarëve pa konsekuencën dhe veprimin praktik të Kadri Zekës.
Më tej Kadriu shtonte ...“Çastet e vështira që po kalon atdheu ynë dhe rreziqet që po i thuren atij e bën edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë, pra vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike mund ta shpëtoj atdheun nga kthetrat e përgjakshme të armiqve. Të bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shtrenjtë. Të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, se tradhtojmë dot gjakun dhe porosinë e patriotëve tanë të shquar që nuk kursyen as pikën e fundit të gjakut për lirinë e truallit arbëror“. Bashkimi dhe uniteti janë nocione kuptimplote që ndërtojnë fizionominë vepruese ku mendimi politik i Kadri Zekës frymon natyrshëm në bashkërenditjen e të gjitha veprimtarive që çojnë drejt aspiratave shekullore. Ndjen në shpirt krajatat që po kalonte populli ynë,dhe në çdo kohë mundohet që vlerat kombëtare, heroizmin e të parëve tanë ta mishërojë me kohën dhe gjithçka të lidhet rreth një nyje që ka vetëm një ideal atë kombëtar. Transparenca drejt kauzës kombëtare, filozofia shtetformuese, largimi nga toka arbërore, kur më së shumti populli ka nevojë janë faqe e re e veprimit diplomatik, ku Kadriu jep shpjegim në shumë artikuj, demonstrata e krijime të tjera. Ai ndër të tjera, thekson:...“ Të ikësh sot nga Kosova është njësoj sikur ti çosh duart nga istikami kur armiku kërkon dorëzimin tënd“. Kosova kishte nevojë për çdonjërin, por në veçanti për ata të cilët objektiv jetësor kishin realizimin e synimeve shekullore.
Paralajmërimi i Furtunës
Kadriu ngriti zërin ashpër kundër thundrës serbomadhe, kundër atyre që shkelën me tanke rininë studentore gjatë demonstratave të 81-shit, ku ndër të tjera thekson :... „ Demonstratat e 11 marsit ishin paralajmërim i një furtune të madhe dhe pezmi,që në zemrat e kosovarëve është grumbulluar dekada me radhë...Për popullin tonë është bërë e qartë se demonstratat ishin zëri i të drejtave dhe lirive të shkelura, kurse demonstrantët, bijtë e vërtetë të popullit, të cilët vendosën të thyejnë prangat e robërisë e të mjerimit. Ato,në fakt, janë vepër e popullit dhe rezultat i drejtpërdrejtë i politikës antishqiptare që ka ndjekur regjimi për 40 vjet me radhë“. Ky terror politik, ushtarak, ekonomik ,kulturor e shkencor te Kadriu paraqet vazhdimësi,që politika e Beogradit dhe akademia e shkencave me vite të tëra kanë përgatitur. Në artikullin „ Asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare nuk e lëshojmë për pa dalë fare,“me theks të veçantë dhe në mënyrë koncize e shkencore analizon pozitën e shqiptarëve, duke pasqyruar forcën dhe vitalitetin drejt objektivave të kohës. Artikulon zërin e lëvizjes kombëtare në mënyrë programatike, duke qenë koherent propagandues i vlerave kombëtare. Kush do të këndonte më bukur në pranimi e filozofisë politike të viteve para dhe pas viteve 80-ta, kush do të ndërtonte filozofinë e bashkimit dhe të frontit të përbashkët, kush do të bënte fizionominë dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare më mirë se Kadri Zeka. Njeriu që mendoi politikisht dhe veproi praktikisht gjatë tërë jetës së tij. Mërgimi, plagë që e mundoi dhe gjithnjë mundohej që ta shihte në mënyrë më kritike:
“... Prandaj sot çdo shqiptari të ndershëm e patrioti i vihet detyrë e dorës së parë që të ngulitet fort në vendin e vet dhe, pavarësisht nga sakrifica ,të mos largohet e t’ia kthejë shpinën Kosovës. Në këtë mënyrë do të shkatërrojmë një plan të rrezikshëm e djallëzor të armiqve. Sot, më shumë se kurrë,ka nevojë Kosova jonë e dashur për bijtë e vet. Në këto situata,të braktisësh atdheun (qoftë edhe me pretekstin se do ta ndihmosh nga jashtë ),është barazi me atë që quhet tradhti“.Vitet 81 shënonin sinjalizimin e shkatërrimit të një krijese artificiale të quajtur Jugosllavi, demonstratat në Kosovë shtypeshin çnjerëzisht, andaj edhe Kadriu e shihte të udhës që populli i Kosovës të qëndrojë e të mos i braktisë trojet e veta ,se në këtë mënyrë mundësohej zbatimi i spastrimit etnik dhe vënia në jetë e elaborateve të shumta që ishin dhe përgatiteshin në akademinë famëkeqe të Beogradit. Klima politike e pas vitit 81 përshpejtoi procesin që ishte në lëvizje dhe mundësoi krijimin e një atmosfere që kishte si përfundim logjik të vepruarit konsekuent drejt aspiratave shekullore. Dhe pa dyshim këto procese janë të lidhura ngushtë me emrin e Kadri Zekës.
Diplomat i kohës
Ai demaskoi politikën shtypëse të Beogradit,iu kundërvu me forcë çdo veprimi që pengonte sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Përgatitja e tij dhe puna e palodhshme në drejtim të unifikimit të forcave progresive brenda e jashtë vendit janë një pasqyrë unikate për kohën dhe akt madhor i njeriut që e karakterizojnë një diplomat të kohës me aftësi universale perëndimore. Një vizion të drejtë dhe largpamës Kadriu kishte në angazhimin dhe refleksionet e veprimtarisë ilegale e patriotike në suazat e ndikimit në përmasat shqiptare ku, ndër të tjera,thekson:“ Ne jemi brez trashëgues i të parëve ,që mundohemi ta çojmë në vend amanetin, besën, urtësinë dhe trimërinë...Na duhet guximi i tyre,betimi i ynë...“Kadriu ishte i vetëdijshëm dhe njihte rrethanat që silleshin në Ballkan e Evropë,ku qëllimi i tij ishte që gjenerata e tij të bëjë ç’është e mundur që në kontekst të proceseve të ndërtohet filozofia e zhvillimit shtetformues dhe të veprohet në mënyrë evolutive, duke pranuar në parimin programatik të proceseve integruese. Kadriu njihte shumë mirë konceptet që përgatiteshin në kuzhinat e Beogradit për shkatërrimin gradual edhe të qenies shqiptare, të humbjes së identitetit kombëtar,të programeve që ziheshin për futjen në margjina të kërkesave të ligjshme të popullit të Kosovës,andaj rezonimi preferonte të bëhej pikërisht në ngjalljen e një politike që për bazë ka mbrojtjen dhe avancimin e çështjes shqiptare. Kadriu në perëndim fillon botimin e organit „liria“,ku përmes saj paraqet qëllimet e popullit të Kosovës ,rrugën që duhet ndjekur dhe sheshazi demaskon politikën titiste, veprimet e saj në emër të bashkim –vëllazërimit që Kosova e lante me burgje, vrasje, tortura etj.
Një jetë në shërbim të popullit
Veprimtaria e tij e shumanshme bëri që Evropa të dëgjoj më për së afërmi për Kosovën martire,për kufijtë e saj gjeografik dhe,mbi të gjitha,të kthejë kokën nga Ballkani i trazuar Kadriu vinte në spikamë mobilizimin e të gjitha forcave se rruga e nisur do të jetë me shumë privacione, rreziqe, andaj edhe shkruante“ Historia dhe luftërat e pandërprera e kanë mësuar popullin tonë se lirinë dhe të drejtat nuk t’i falë armiku, por ato fitohen me gjak e sakrifica“.Epopetë e lavdishme të historisë sonë kombëtare për Kadriun ishin aktet më madhore dhe gjithnjë kishte parasysh se në Kosovë mund të lulëzojë drita vetëm atëherë kur kuptohet dhe veprohet ashtu si e kërkojnë rrethanat dhe objektivat e kohës. Demonstratat në Perëndim patën lidhshmëri me ato që u zhvilluan brenda,ku Kadriu me përvojën dhe oratorinë që kishte theu frikën dhe u bë njësh me masën për t’i përkrahur vëllezërit në Kosovë. I udhëhoqi të gjitha demonstratat në Perëndim dhe gjithherë me fjalët në gojë“ Çaste të vështira po kalon populli ynë, por të bashkuar lirinë e kemi fare pranë“.
Preferenca filozofia, mendimi i qartë politik, diplomacia në kuadër të lëvizjes për çlirim kombëtar paraqesin brumin e tërë veprimtarisë patriotike të personalitetit të Kadri Zekës. Ra për të mos vdekur kurrë, vertikalisht qëndroi duke bërë një jetë në shërbim të popullit.
Turpi i OKB-së
Nga: Alex Channer
140 plumba janë shtënë nga policia e Rumanisë dhe ajo e Polonisë drejt demonstruesve më 10 shkurt në Prishtinë. Policia e Rumanisë i ka shtënë pesëdhjetë e nëntë, përderisa ajo e Polonisë tetëdhjetë e nëntë. Dy prej këtyre plumbave vranë Arben Xheladinin dhe Man Balajn. Hetuesi ndërkombëtar, Robert Dean, i ka identifikuar këto vrasje si ”vepër kriminale”. Dy plumba gati sa ia morën jetën Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovës. 144 plumbat e mbetur i plagosën 80 persona, ose e huqën shënjestrën. Robert Dean e përshkroi përdorimin e këtyre plumbave si ”dashakeq dhe të papërshtatshëm në rrethanat” e 10 shkurtit. Hapësira në hije mes kriminalitetit dhe veprës së papërshtatshme duket të varet prej asaj nëse ke pasur fat të plagosesh në këmbë, në bark ose krah, e jo në kokë ose në gjoks.
Asnjë nga tetë policët rumunë, të cilët mund të jenë ata që kanë shtënë e kanë vrarë, nuk do të ndiqen penalisht për shkak se teknologjia e shekullit XXI nuk po ka mundësi ta përcaktojnë se nga cilat armë kanë dalë cilët plumba! Përkundër dëshmive se të gjithë ata janë përgjegjës për shtënie neglizhente, dhe për përdorimin e plumbave të cilët kanë qenë të dalë afati tash e 12 vjet, atyre iu është lejuar ta lëshojnë Kosovën. Ata kurrë nuk do të ballafaqohen me pasojat e veprave të tyre.
Arben Xheladini, Mon Balaj
Askush nuk do të mbahet përgjegjës për urdhërimin e përdorimit të këtyre plumbave. Raporti i Deanit qartëson se pjesa e dytë e hetimeve të tij vetëm do të ilustrojë se ka pasur urdhra të mjegullt ose nuk pasur urdhra fare. Në këtë mënyrë, intervenimi i turpshëm i 10 shkurtit do të paloset me elegancë dhe heshtazi, dhe do të mbesin të gjalla vetëm në kujtesën e atyre që demonstruan atë ditë, dhe në kujtesën e familjeve, të cilat humbën jetën atë ditë. Askush nuk do të jep llogari.
Këtë javë KFOR-i hyri në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan pa leje ligjore. Ata me këtë rast e vodhën shabllonin, i cili përdorej për shkrimin e fjalës “vrasës” në veturat e UNMIK-ut, dhe i fyen aktivistët tonë. Ditën tjetër KFOR-i ishte duke pritur te zyrat me gjashtë vetura. Kur aktivistët erdhën aty, ata u rrethuan nga KFOR-i, dhe u mbajtën të bllokuar derisa erdhi policia për t’i arrestuar. Pra, UNMIK-u në pamundësi të përdorimit të plumbave të gomës për t’u ballafaquar me protestuesit joviolentë, po i përdor ushtarët, të armatosur me municion të vërtetë.

Roli i vetëm policor i KFOR-it, sipas Rezolutës 1244, Neni 9, është të etablojë “sigurinë dhe rendin publik, përderisa prania civile ndërkombëtare të jetë e aftë ta merr përgjegjësinë për këtë detyrë” (Neni 9.d). Nëse KFOR-i është duke kryer detyra të policisë pas 7 vjet e gjysmë ç’prej se kanë ardhur këtu, a do të thotë kjo se Kosova është në gjendje të jashtëzakonshme, dhe askush nuk na ka treguar? Ose ndoshta KFOR-i e ka kuptuar, pas raportit të Deanit, atë që çdokush e di: se UNMIK nuk e mbikëqyrë sigurinë publike, e as merr përgjegjësi për të. Deri sa jam duke shkruar këtë artikull, tetë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë duke u mbajtur në burg. Njëri prej tyre është i dënuar me 20 ditë burg. Të tjerët po vuajnë paraburgimin status, ky i zbrazët ligjor për qëllime të “hetimeve”, që mund të zgjatet deri në një vit pa gjykim. Albin Kurti është duke u mbajtur në burg për demonstratën e 10 shkurtit. Padyshim që sistemi juridik i UNMIK-ut do t’ia arrijë ta fajësojë atë për aktet kriminale të policisë, derisa e lejon policinë të ikë e lirë. Ma thuaj si mund ta akuzosh dikë të jetë përgjegjës për nxitje të përgjigjes policore, përgjigje kjo e cila është identifikuar si kriminale dhe e papërshtatshme, dhe si e tillë, plotësisht e paparashikueshme? 7 aktivistët tjerë janë duke u mbajtur nën hetime për shkak të shkrimit të parullës “VRASËS” nëpër veturat e UNMIK-ut, dhe parullës “Lirojeni Albinin” në murin e UNMIK-ut. Krimi i tyre paska qenë shprehja e besimeve politike.

“Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut” është një prej përgjegjësive të UNMIK-ut, që del nga Rezoluta 1244. Nuk është për t’u çuditur që është e parafundit në listë (Neni 11.J). Mos t’ia filloj tash me përmendjen e deklaratave pompoze të Kornizës Kushtetuese dhe Planit për Standardet rreth respektimit të konventave të ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ndërtimin e demokracisë. Këto dy terme kanë kuptim për UNMIK-un vetëm përbrenda kontekstit politik i cili tmerrohet nga çfarëdo zëri opozitar. Në Kosovë injorohen dhe abuzohen vetë parimet, të cilat i promovon OKB-ja nëpër botë. E tërë kjo në emër të “statusit”. Në vend që të jetë flamurtari i lirisë, OKB-ja po len prapa në Kosovë gjurmë të turpit që do ta njollosin atë përjetë, përgjithmonë idealistët e tij që s’iu kanë nënshtruar ideologjisë së raportit të forcave. A nuk fillon epopeja e lavdishme e idealizmit që me Gjergj Kastriotin, i cili i doli përballë një perandorie qindra herë më të fuqishme? A nuk hyn aty edhe Hasan Prishtina, i cili duke qenë i udhëhequr prej gjakimit të lirisë pa kushte, filloi të luftonte madje edhe kundër Perandorisë Osmane, ani pse në anën tjetër e priste Serbia po ashtu më e fuqishme? Në po të njëjtën traditë hyn Shaban Polluzha, Adem Jashari si dhe dëshmorët e UÇK-së, të cilët nuk ditën ç’është raporti i forcave, por vetëm liria që na takon. Kurse realistëve të sotëm, ç’u ka mbetur tjetër përveç se ta pranojnë pakon realiste të Ahtisaarit, duke u zgërdhirë mbi gjakun e atyre që nuk ranë për një realitet si ky i sotmi, por për lirinë e plotë të Kosovës.
Deri sot, në Kosovë ka ndodhur që realistëve kolaboracionistë t’ua tregojë vendin e tyre historia. Kësaj radhe atyre duhet t’ua tregojë vendin populli. Siç thonin latinët hic et nunc! Tash dhe këtu! Turpi i OKB-së.
gazeta VETËVENDOSJE!
LULE NË ALTARIN E LIRISË SË ATDHEUT!
(Në shenjë kujtimi për Fadil Vaten)

Shkruan: Mehmet Bislimi
Shumë nga bijtë e popullit tonë të rritur dhe edukuar në frymën e atdhetarisë, ishin të vetëdijshëm se liria e tokave shqiptare do përpjekje e sakrifica sublime, do përkushtim e qasje shumë serioze, njëkohësisht pjekuri e vendosmëri.
Ata nuk u futen rastësisht në çështjen e pazgjidhur të fatit të atdheut tonë, ata u futën me shumë vetëdije në këtë rrugëtim për të dhënë gjithçka që kërkohet nga vetja e vet para së gjithash, të tillë ishin ata, i tillë ishte edhe Fadil Vata.
Fadili që në rini i edukuar në frymën e mirëfilltë atdhetare, së bashku me shokët e vet mori krahët për të fluturuar drejt përjetësisë në historinë shqiptare.
Fadil Vata
Lindi më 10 janar 1962 në Solograzhdë ( Lumbardh) të Suharekës, ku mbaroi edhe shkollimin. Më 2 maj të vitit 1981 Fadili arrestohet. Të dhëna të mjaftueshme për aktivitetin e Fadilit në demonstratat e vitit 1981, UDB-ja e Suharekës kishte dërguar në Komandën Ushtarake të Beogradit ku Fadili po bënte shërbimin ushtarak. Fadilin e arrestojnë dhe e transferojnë në burgun ushtarak të Beogradit, ku pas 17 muaj izolimi, hetuesie e maltretimi e dënojnë me 6 vite burg! Gjatë këtyre 17 muajve hetimesh e torturash, Fadili pëson dëmtime të mëdha në shëndet të cilat më vonë do t’i kushtojnë me jetë. Mirëpo si gjithmonë ai nuk ndalej së vepruari, duke qenë i vetëdijshëm se liria nuk vjen pa sakrifica.
Me Fadilin u njohëm në kazamatet e Pozharevcit. Ishte një djalë modest e i heshtur, i sjellshëm e i kulturuar, i ngritur e i vendosur për rrugën që kishte nisur. Diku nga vjeshta e vitit 1985, pas grevës së urisë që kishim bërë ne të dënuarit politikë shqiptarë, na shpërndanë nëpër dhoma, duke na i ndërruar ato. Unë, pata fatin e mirë kur më caktuan në një dhomë me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë e Sabit Veselin. Aty edhe e njoha Fadilin dhe Afrimin më për së afërmi. Me gjithë së që të dy ishin të rinj të habiste e mahniste ngritja e tyre intelektuale. Fadili kishte diapazon të pasur njohurish, lexonte shumë, ishte i afërt me shokë dhe nuk e nënçmonte asnjëherë mendimin e tjetrit. Ai edhe gjatë burgut, por edhe pasi që u lirua, nuk u ndal për asnjë çast së vepruari në shërbim të atdheut, deri sa mbylli përgjithmonë sytë e tij.
Fadili ishte i goditur keq nga sëmundja në mushkëri. Diçka kancerogjene kishte marrë nga torturat dhe plagët e shumta të brendshme gjatë hetuesisë 17 muajsh në burgjet e hetuesisë ushtarake të Beogradit. Mirëpo, ai për asnjë çast nuk kishte humbur kurajon. Atë më pas e transferuan nga "Zabela" e Pozharevcit për në "CZ" të Beogradit. Para së ta transferonin Fadili atje, ai me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore që kishte, nuk e kishte humbur veten, dhe na kishte lënë një letër në dhomë, ku kishte sqaruar shumë gjëra, duke kërkuar nga ne që të mbaheshim të fortë! Këtë letër ne e nxorëm nga burgu dhe kur unë mbarova dënimin ia dërgova familjes së Fadilit në shtëpi. Fadilin së pari e kishin dërguar në VMA të BG. Aty e kishin mbajtur një kohë të gjatë me këmbë dhe duar të lidhura për shtrati! Xhelatët serbë, gjatë tërë asaj kohe sa kishte qëndruar Fadili atje, mbi trupin e tij kishin vepruar me rreze lazer e rëntgen, për të përhapur edhe më shumë sëmundjen në organizmin e tij të njomë. Ky eksperiment "modern" që UDB- e Beogradit përdori mbi trupin e Fadilit, dha rezultatet fatale që më vonë solli edhe vdekjen e tij në një moshë shumë të re.
Para së të mbaronte dënimin, gazetarët e gazetës serbe:"Borba", kishin bërë një intervistë me Fadilin, duke menduar se ky nga gjendja e rëndë shëndetësore, do të jetë lodhur e tërhequr nga aspiratat e tij kombëtare. Mirëpo Fadili ua kishte prerë shkurt: "Unë as edhe një herë në jetën time nuk do të tërhiqem nga rruga e lirisë së atdheut tim, pavarësisht qëndrimeve tuaja të egra e shtypëse. Unë nuk do të tërhiqem me as një çmim, as edhe me çmimin e jetës!"... Ky ishte Fadil Vata që tmerroi gazetarët dhe drejtorinë e burgut me qëndrimin e tij dinjitoz!
Fadili, për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e vetë atdhetare. Edhe pse në gjendje të tillë shëndetësore, ai vepronte në tërë territorin e Kosovës e më gjerë. Pas mbarimit të dënimit, ai iu rrek studimeve në drejtimin e sociologji-filozofisë në Universitetin e Prishtinës. Fadili tanimë ishte në mesin e shokëve dhe veprimtarëve të palodhshëm të atdheut. Ai së bashku me Afrim Zhitinë e me qindra shokë të tjerë, përgatitën dhe organizuan lëvizjen e madhe popullore të vitit 1988, ku populli ynë liridashës ngriti fuqishëm zërin e tij kundër shovinizmit dhe hegjemonizmit serbosllav. Ai së bashku me Afrim Zhitinë e me shokë të tjerë u bënë krahu i djathtë edhe i grevës së minatorëve të vitit 1989, me këshilla e sugjerime të shokëve të Lëvizjes Popullore, grevë kjo e cila mori karakter gjithëkombëtar e gjithëpopullor!
Fadilit, tanimë po i humbnin fuqitë e trupit, sëmundja ishte bërë e pamëshirshme dhe nuk po e linte që të vepronte, por fuqia e tij shpirtërore nuk jepej dot. Shokët (në nivel organizate) kishin vendosur që atë ta nxirrnin jashtë atdheut për shërim. E shtruan në spitalin e Baselit të Zvicrës, por sëmundjen e rëndë nuk kishin mundësi ta kthenin mbrapa as mjekët më në zë të këtij spitali! Ai me qëndrimin e tij, po forconte shokët e idealit, familjen dhe të gjithë ata që iu gjenden pranë ato ditë të fundit të jetë së tij. Ai shpesh thoshte se: "As vdekja nuk ka për të na i prerë rrugët e lirisë!"... Ishte edhe një goditje e rëndë, tepër e rëndë për Fadilin, kur mësoi për rënien heroike të shokëve të tij të idealit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.... Ky lajm i kobshëm (sa do që Fadili nuk jepej), sikur e fashiti rëndë. Pas disa muajsh qëndrimi në spitalin e Baselit, gjendja shëndetësore e Fadilit sa vinte e rëndohej. Më 25 prill të vitit 1990 Fadili ynë mbylli sytë përgjithmonë.... Ai na i la amanet rrugët e lirisë!
Lajmi i rëndë për vdekjen e Fadilit trokiti fort në zemrat e çdo shqiptari liridashës. Lumbardhi i Fadilit ishte shumë i vogël për t’i zënë shqipet tona, të cilët kishin shkuar atje për ta mbuluar Fadilin me flatrat e tyre të dashurisë. Lumi i fshatit ishte shumë i vogël dhe nuk po përpinte dot lotët që po derdheshin për Fadilin e dashur, birin e tokës mëmë! Mbi njëqind mijë njerëz, zemra e sy, drejtuar nga qielli, po prisnin ardhjen e birit të shqipes për t’u prehur përjetësisht në gjirin e ngrohtë të tokës mëmë që aq shumë e deshi! Qindra e mira kurora lulesh zbritën nga majat e maleve shqiptare dhe puthiten varrin e njomë të Fadilit! Kortezhi i përmortshëm së bashku me gjerdanin e luleve të freskëta i mbështjellë me flatrat e shqiponjave, po printe drejt banesës së fundit të Fadilit. Atë ditë edhe toka sikur u trazua, diçka e madhe sikur pëlciti, diçka e madhe gjëmoi si bubullimë e motit të trazuar!...
Nuk me hiqet nga sytë, as sot momenti kur nënë Tahirja e para, vuri mbi supet e saja arkivolin funeral të të birit e po i printe kortezhit të përmortshëm!... ( Nënëmadhja Tahire, që nga kjo pranverë, prehet e qetë pranë varrit të të birit të saj e të Kosovës, Fadilit). Lavdi të përjetshme edhe nënë Tahirës nga duart e së cilës, ne shokët e Fadilit kemi ngrënë shumë bukë!
Po, këto janë nënat tona, që ndër shekuj na bartën herë në djepa e herë arkivole mbi supe, na rriten me copa të thekura buke. Prej nesh kur u ndanë u bënë të forta e nuk qanë, edhe pse zemrat e nënave në dysh u çanë. Eh nënat tona të madhërishme që rriten bijtë dhe bijat e lirisë së tokave shqiptare, të cilave po ju dalin zot!...
Lavdi Jetës dhe veprës së Fadil Vatës!
Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit
Qoftë i përjetshëm kujtimi për te!
Zvicër, 24 prill 2007
|
Kostenloses Blog bei Beeplog.de
Die auf Weblogs sichtbaren Daten und Inhalte stammen von
Privatpersonen. Beepworld ist hierfür nicht verantwortlich.
|