Navigimi
Login / Verwaltung
Kategorien
· Fotogaleria (3)
· Histori (9) · Intervistë (5) · Kulturë (5) · Kuriozitete (0) · Opinione (21) · Përsonalitete (1) · Poezi (0) · Të ndryshme (22) RSS Feed
Lidhje
· dervina.com
· nënëshqipëri.info · al-today.com · pashtriku.org · vetevendosje.org · radiokosovaelire HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis"
- Ukshin Hoti
Kontakti
|
Du befindest dich in der Kategorie: Të ndryshme Mittwoch, 23. Mai 2007
DHEMBJA QË PËLCET GURIN
Nga: Besnik KRYEZIU Nga shtypi njoftohem se delegacioni faktmbledhës i OKB-së gjatë vizitës së tyre në Kosovë do ta vizitojë edhe Krushën e Vogël. Pasi ato ditë po qëndroja në Kosovë vendosa të shkoj edhe unë. Ashtu krejt i pa përgatitur me vete marrë vetëm aparatin fotografik. Rruga për në Krushë është me shumë gropa ashtu si edhe shumë rrugë të tjera nëpër Kosovë. Në fshatin Mamushë, fshat, ky i banuar kryesisht me minoritet turk, më ndalojnë ushtarë të KFOR-it. Nga uniformat e tyre e kuptoja se ishin ushtarë turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Kërkuan të më legjitimojnë, duke kërkuar dokumentet e mia personale dhe ato të makinës, me të cilën po udhëtoja. E gjithë kjo zgjati disa minuta. Duke m'i kthyer dokumentet ushtari nuk harron të më pyes se ku shkoj. I them se po shkoj në Krushë. Foli edhe diçka që unë nuk e kuptova sepse foli në gjuhën turke, por nga lëvizja e dorës së tij e kuptova se mundem ta vazhdoj rrugën për ku isha nisur. Ashtu edhe bëra...
CEZARI KALON RUBIKONIN SKENDA VETONIN!
Shkruan: Bexhet SH. SHALA Në fund të javës ( Adem Demaçi, Albin Ladeni dhe Xhordano Bruno, Statusi i Kosovës : Jul Cezari dhe Skenda Nacionale – krejt në finale ( për sot ) ndërsa Politikanët në P(B)i (s )znes – Kosova në thes dhe, dokrra të tjera rreth seksit politik dhe moralit pragmatik ) ( në… javën tjetër )
*** Adem Demaçi, Albin Ladeni dhe Xhordano Bruno Po të ishte një situatë më normale dhe po të mos isha shqiptar, shkrimin gjithsesi do ta filloja nga personazhi i parë, Adem Demaçi nga Kragujevci mirëpo meqë jam shqiptar, si të gjithë shqiptarët po ia filloj nga bishti sepse në bisht edhe kemi mbetur. Dhe rolin e bishtit jemi duke e luajtur, vetëm po trembim miza. Është një përparësi e bishtit sepse aty nuk ka ndonjë organ vital si psh. truri (ndonëse disa as aty nuk e kanë ), ai gjindet pak më lart dhe është përgjegjës për lëvizjet e bishtit që ato të jenë të koordinuara, mundësisht automatike. Në Kosovë kjo ka arritur shkallën e përsosmërisë! Afër bishtit në të vërtetë është një organ i cili, siç thamë edhe më lart, nuk është me rëndësi jetike por padyshim, është përcaktues për efekte dhe rezultate të proceseve politike! E këtë organ e kanë shumë të fortë këta dait që po merrem me ta në këtë shkrim andaj e kanë paguar dhe po e paguajnë bukur shtrenjt këtë. Njëri më e ka përfunduar karrierën disa shekuj më parë, dy të tjerët e kanë të njëjtin fat, po i pjekin në hell, si kecat e Llogarasë ( kam mundur të them edhe të Pozharevcit ) por po ua ruaj identitetin kombëtar, kecave natyrisht.
Albin Kurti Të fillojmë pra…me Xhordano Brunon. Lindi diku në rrethin e Napolit, në vitin 1548 dhe si fëmijë 12 vjeçar e fillojë jetën e murgut të cilën e ndërpreu në moshën 30 vjeçare, i dyshuar për herezi. Sherrin apo hajrin ia pau një fisniku venecian i cili e denoncoi në inkuizicion ( për të painformuarit ky ishte gjyqi i ngjashëm me gjyqet e Serbisë dikur dhe të UNMIK-ut sot) sepse, në vend se t’ia mësonte shkathtësitë e magjisë, ia punonte gruan e tij e cila e magjepste Brunon. Për shkak të qëndrimit të tij të paluhatshëm në mbrojtjen e së drejtës për fjalë të lirë dhe mendim të lirë u dënua me 7 vjet burg që i vuajti në Venecia dhe Romë por bindjet e tij nuk i ndryshojë. Gjyqi i inkuizicionit e dënoi me vdekje në vitin 1600 dhe u dogj dhe poq në hell në Podiumin e ekzekutimit në Romë, në Kampin dei Fiori. Para se të ekzekutohej iu drejtua atyre që ia shqiptuan dënimin me fjalët :” Ju që po më dënoni sot mua keni më shumë frikë se unë që po e dëgjoj vendimin tuaj “. Shumë e donte Kopernikun dhe për dallim prej tij që qëndrimet e tij ( teoritë e sulmeve kundër filozofisë së vjetër ) i mbrojti në shtrat të vdekjes, Xhordano Bruno fillojë ta bënte herët këtë. Ishte poet i filozofisë dhe në shkrimet e tij dëftohej një mëshirë e thellë dhe e sinqertë. Ishte orator pasionant dhe mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe shprehjes e kishte parim të shenjt për dallim nga mediat dhe shoqëria civile ( në Kosovën e UNMIK-ut ) elektronike dhe të shkruara ( një pjesë e tyre ) që servilizmin, dezinformimin dhe qyqarllëkun profesional e kanë parim të shenjt! Ishte i pakompromis në sulmin ndaj kundërshtarëve duke përdorur një fjalor edhe jo aq intelektual, pa pasur konsideratë ndaj tyre. Në shkrimet e shumta të tij përzihej një intuitë gjeniale dhe gabimet, merreni me mend për shkak të mosnjohjes së matematikës. Këta politikanët dhe filozofët tanë që nuk e dijnë as tabelën e shumëzimit, nuk po kalojnë edhe aq keq! Dhe tash po e vazhdoj me Albin Kurtin ( në kohën e Serbisë ) dhe Albin Ladenin në kohën e Kosovës së UNMIK-ut dhe Ahtisarisë. Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë ku edhe mbaroi shkollën fillore dhe ate të mesme, por as për hoxhë e as për prift. Para luftës ishte student i elektroteknikës të cilin e përfundojë pas daljes nga burgu. Ishte anëtar i Kryesisë së UPSUP dhe kryetar i Komisionit për Marëdhënie Ndërkombëtare në Kryesinë e UPSUP. Ishte aktiv në organizimin e protestave të studentëve për lirimin e objekteve shkollore dhe universitare të datave 1.10.97,29.10.97 dhe me 30.10.97. Gjithashtu ishte sekretar i Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçi, deri më 2.03.08 kur jep dorëheqje së bashku me Adem Demaçin për shkak të kundërshtimit të Rambujesë. Arrestohet nga forcat serbe në Prishtinë së bashku me babanë Zaimin dhe vëllezërit Arianitin dhe Taulantin më 27 prill 1999. Torturohet për vdekje në burgun e Lipjanit me ç’rast shokët e burgut e marrin me vete pas tërheqjes së forcave serbe dhe në këtë mënyrë shpëton. Për herë të parë ia pa hajrin Serbisë! Gjykimi i tij fillon në Nish më 9 mars 2000. Në atë gjykim Albin Kurti deklarojë se edhe në Unionin e Studentëve edhe si sekretar i PPP të UÇK-së ka punuar në baza vullnetare, pa asnjë kompensim material. Që në fillim i bëri me dije gjykatës se e njeh vetëm gjykatën e popullit të tij dhe se si sekretar i Adem Demaçit ka punuar për dy arsye: për t’i ndihmuar luftës së drejt të UÇK-së dhe afirmimin e kësaj lufte dhe për shkak të respektit të madh dhe nderit ndaj Adem Demaçit, simbolit të rezistencës shqiptare. Është angazhuar kundër regjimit fashist të Millosheviqit që e ka shndërruar këtë gjyq në shërbim të politikës ditore të këtij regjimi. Regjimin fashist serb nuk e ka identifikuar me popullin serb, pra nuk e ka akuzuar popullin serb për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë. Gjithashtu nuk e ka njohur as Serbinë e as Jugosllavinë dhe ka deklaruar se, po t’i ipej mundësia përsëri do të vepronte në të njëjtën mënyrë pavarësisht a do të dënohej me 10,20,30 apo 50 vjet burg. Këto qëndrime i mbrojti në Nish, Serbi në kohën kur shumica e ish udhëheqësve të UÇK-së politik dhe ushtarak, i palonin veshët para ndërkombëtarëve dhe mbyteshin në luksin e pasurisë që e fituan në mënyrën më të ulët. Kur shumica e ish politikajve virtual dhe politikajve folklorik hynin në korniza kushtetuese dhe bëheshin pjesë e projekteve dhe proceseve politike që ia kanin nënën Kosovës! Ish shokët e Albinit, të luftës dhe të paqes, bëheshin milioner duke vjedhur majtas dhe djathtas, në nëntokë dhe mbitokë, duke i vjedhur të gjallët dhe të vdekurit, pra, kudo që iu ipej rasti. Dhe pikërisht ishin këta që u bënë pjesë e inkuizicionit kundër Albinit pas formimit të KAN-it dhe Lëvizjes për Vetëvendosje. Albin Ladeni, në Kosovën e UNMIK-ut u arrestua disa here nga policët ndërkombëtarë dhe ata të prodhimit vendorë – SHPK-. U dënua disa here me arrest shtëpiak dhe akomodim në qendrat për terapi fizikale në burgjet e ndryshme të Kosovës ku u trajtua shume mirë, me over dozë të terapisë. Pas protestave të 10 shkurtit 2007 e akuzuan se ka planifikuar, udhëhequr dhe urdhëruar vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, plagosjen e më shumë se 80 protestuesve si edhe arrestimin e dhjetëra protestuesve. E kanë akuzuar se për të bëmat e veta është përpjekur t’i fajësojë, Dy Stivenat, Kurtis dhe Shuk si edhe policët paqësorë të Rumanisë, Ukrainës dhe Polonisë. Në momentin e fundit, aleatët besnikë të Albin Ladeni, mediat dhe Ekipi i Unitetit nuk e përkrahën. Pa përkrahje politike, mediale dhe substanciale përfundojë aty ku e ka vendin, në burg. E shetitën thuaja në të gjitha burgjet e Kosovës martire, me përjashtim të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht është në burgun e Lidhjes së Prizrenit pasi nuk deshi që shtëpinë e tij ta shndërrojë në burg. Albini është orator pasionant dhe mendimet i thotë pa i nxjerrë në letër apo pa i lexuar fjalimet të shkruara nga ndonjë këshilltarë politik dhe seksual siç vepron pjesa e madhe e klasës “politike” të Kosovës. Është i pakompromis në mbrojtjen e qëndrimeve të tija, nuk ka urrejtje, është i pakorruptuar, i vendosur, i guximshëm, i sakrificës dhe Ajnshtajn për këta Frankeshtajnat politik, ndërkombëtarë dhe vendorë. Lexon Foknerin, Prustin, Çomskin, Kamynë etj. ndërkaq mund t’i merret si minus mosleximi i veprave analitike të sigurisë për arinjt polarë në Kosovë të Naim Malokut (Naim Pykës- Sh.B), kryeveprave politike- pornografike të Blerim Shalës, retorikën demosteniane dhe sabitijane të Skender Hysenit , esetë për xehtari dhe biologji të Astrit Haraçisë etj. Prandaj, aty ku është , mirë është.
E tash, për personazhin e tretë të këtij vështrimi, Adem Demaçin. T’ua them të drejtën as nuk e di kur ka lind, as si ka lind, as ku ka lind dhe as pse ka lind? Pra, nuk është llapqin i Lupçit po zorraxhi i Prishtinës sepse, në bazë të do letrave thuhet se ka lind më 26.02.1936 në Prishtinë. I ka pra nja 70 e disa vjet edhe pse ai thotë se i ka përgjithmonë 39 vjet, dhe, për taksirat tonin e ka mendjen të jetojë nja 148 vjet. Vetëm 2 vjet më pak se unë. Ka të kryer shkollën fillore dhe gjimnazin në Prishtinë ndërkaq ka studijuar Letërsinë Botërore në Universitetin e Beogradit të cilin, për shkaqe familjare nuk e ka përfunduar ndonëse një kultivues i njohur i bananeve në Kosovë mendon ndryshe, si për shkollim ashtu edhe për atdhetarizmën e tij. I flet 5 gjuhë ( tri gjuhë të huaja si dhe shqipen dhe serbishten), një më pak se Haxhi Zylfi Merxha. Nuk është pranuar si punopravni çllan në Shoqatën e Romëve sepse nuk e flet gjuhën rome dhe se ka kundërshtuar Luan Koka. Ka punuar si gazetar në Rilindje, pastaj ka tjerrë linin në Gradishkë dhe mbaruar sepeta prej thuprave në Pozharevc, Sremska Mitrovicë në kuadër të integrimeve të atëhershme jugosllave, përmes punës së detyrueshme. Aktivitete artizanale kanë qenë këto. Për qëndrimin 28 vjeçar në Pozharevc, Mitrovicë të Sremit dhe Stara Gradishka e ka pasur përkrahjen e plotë të udhëheqësve të atëhershëm kosovarë si edhe një pjese të inteligjencës. Ka qenë kryetar i KMDLNJ-së, Partisë Parlamentare, Forumit Intelektual të Kosovës, Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, Forumit Qytetar të Kosovës, kryetar i Bordit të RTK-së e që pas largimit të tij u bë Televizioni në Rrotë të Së Ëmës dhe shumë pozita të tjera. Është orator pasionant dhe është në gjendje ta thej rekordin e Fidel Kastros, pra mund të flasë me orë dhe ditë të tëra pa e shkruar asnjë fjalë në letër. Nuk urren njeri në botë madje as mua që shkruaj kundër tij. Pas kundërshtimit të Rambujesë ishte shpallur armik i krejt botës nga Vetoni,mbrojtës i terroristëve nga Gelbarti, proserb i madh nga një numër i mediave në Kosovë, antishqiptar dhe kundërshtar i pavarësisë, gjithashtu nga disa media të Kosovës dhe urithët politikë, Don Zhuan i dështuar, frajer i Radës dhe vëlla i Llazarit dhe, mik i madh i Babes Sheh që u ekzekutua nga serbët në Grykën e Sedllarit! Derisa ne e mbronim Kosovën në kampet e Stankovecit dhe Radushës, ai hidhte valle në Prishtinë, në gojë të arushës! Dhe, mbeti gjallë ngase ne, horrat, e shpallëm tradhëtar!.......E tash disa horra, që në emër të partisë krrokasin si korba e sorra thonë se po e hanë kapitalin politik, me shumicë, çdo ditë. Prandaj, o të mjerë, kapitalin politik të Adem Demaçit po e hani Ju, Ne, dhe shumë të tjerë! Haram ju qoftë dhe ju mbet në fyt se ka për t’ju mbyt! Adem Demaçi nga Kragujevci për përkushtimin dhe guximin për mbrojtjen e fjalës së lirë u nderua me Çmimin Saharov, Çmimin e Klubit të Rektorëve të Europës dhe shumë çmime të tjera. Nga shqiptarët ( përjashtuar një numër të vogël ) u nderua me injorim, fyerje, nënçmim, përbuzje, cenim të integritetit moral dhe fizik dhe epitete të tjera prandaj më nuk pyes : “ A po e pret Kosovën fati i Adem Demaçit?” por jam i sigurt se Kosova do ta ketë këtë fat, e përbuzur, e nënçmuar, e sakatosur, e ndarë, e përçarë etj. sepse, sepse ky ka qenë investimi ynë. Ju qoftë për hajr!
Adem Demaçi - Albin Kurti Adem Demaçi, Albin Kurti dhe Xhordano Bruno, nëse e lexoni tekstin me kujdes do ta vëreni se kanë ngjashmëri thuaja 100%: janë oratorë pasionant, janë humanist të papërmirësueshëm, janë të liruar nga urrejtja, janë në gjendje t’i falin të gjithë armiqt, për fjalën e lirë dhe mendimin e lirë e bëjnë çdo sakrificë, luftojnë për lirinë e të tjerëve për ta fituar lirinë personale , e duan të bukurën, kanë qenë të anatemuar, të burgosur dhe të dënuar si edhe të ekzekutuar. Xhordamo Bruno është ekzekutuar duke mbetur përjetësisht i gjallë, o ju gomarë! Adem Demaçi dhe Albin Kurti janë ekzekutuar me ndihmën e mediave dhe politikës publikisht dhe tash….është një dilemë e vogël, kur, nga kush, n’çvend dhe në ç’mënyrë do të ekzekutohen edhe realisht! Dhe prap do të mbesin të gjallë, o ju shqiptarë! Statusi i Kosovës : Jul Cezari dhe Skenda Nacionale- krejt në finale Shetita histori, të vjetrën, më të vjetrën dhe shumë të vjetrën që ta gjej një personalitet që, së paku, përafërsisht t’i ngjaj personazhit tim, Skendë Kaprrollit apo nëse e referohem kohës, Gaj Skendus Nacionale. Thashë përafërsisht sepse është e pamundur ta reciklojë apo klonojë Skendën. Pastaj, nëse e barazoj Skendën me Cezarin do ta bëja një budallallëk që do të më përcillte tërë jetën, mua personalisht dhe familjen time, së paku në 33 brezat e ardhshëm. Prandaj, nuk e bëj dot, për sot e mot. Megjithatë i kanë disa ngjashmëri, psh. nuk dallojnë shumë për trimëri, burrëri, bukuri, mençuri dhe oratori dhe……krejt do ta prishja rendin nëse nuk e pranoj se, që të dyve, ua kanda atë sendin! Dhe, në vend të bombës atomike e përdorin ate për qëllime politike! Gaj Jul Cezari, për ta zgjeruar dhe forcuar imperatorinë në Afrikë, së bashku me Kleopatrën strategjinë dhe taktikën e ushtruan dhe zbatuan jo në fushëbetejë por në shtratin e saj. Gaj Skenda Nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës fshehtas takohej, te Qufrra e Mehedinit me Shahën e Brahimt që në fakt është edhe kunata e Qazimit dhe dashnorja e Rrahimit. Ju mund ta merrni si spicë, por unë, megjithatë e konsideroj si sakrificë! “Zaret u hodhën! “ tha Jul Cezari kur e kaloi Rubikonin, ndërsa “ Paratë dhe idetë u vodhën!” tha Gaj Skendus Nacionale kur nuk e lejojë ta kalojë as lumin Llap, Vetonin! Pavarësia gjysmë e tredhur – letrak e Ahtisarit dinak mund të ndodhë por nuk do t’i shërbej askujt. Mediat po e luajnë valsin e tyre të shpërlarjes së trurit, në mungesë të ujit të mjaftueshëm. Bërnsi dhe Kondoliza po shpërndajnë hapa qetësues për shqiptarët , me çmim shumë të lirë, nga 10, 20 apo 30 cent, aq sa është çmimi i gazetave ditore në Kosovë. Fridi dhe të tjerët po i hanë fjalët e tyre, jo për herë të parë. Grupin Ndërkombëtar i Krizave, si korbi i Edgar Allan Posë po paralajmëron statusin duke kërkuar moratorium dy vjeçar në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ashtu do të ndodhë, me gjasë, me një dallim të vogël, a do ta pres djali i Shkëmbit ( djalit tim 4 vjeçar ) këtë anëtarësim?! Nuk e besoj. A do të vijë kryetari Bush në Kosovë ( kampin Bondsteel) dhe ta takojë Ekipin e Unitetit, me apo pa Veton Surroin, i cili duke e parë se nuk ka sgjë prej kësaj pune po mundohet t’ia lëjë këmbët e arushës Ekipit të Unitetit, the ta bëjë njohjen formale të Kosovës pa pavarësi dhe sovranitet, do ta shohim!? A do ta shfrytëzojë rastin të shkëlqejë Skenda Nacionale në kohën që është e projektuar për ate dhe karapidikët e ngjashëm, do ta shohim! A do të zgjohet opozita nga gjumi, për t’ua përmbushur ëndërrat nxënësve të shkollës fillore ndonëse edhe vet është në ëndërr dhe a do të flej Hashim Thaçi me Anxhelinën, edhe këtë do ta shohim! Pra, statusi i Kosovës do të jetë : “ daj shta dash” dhe nëse “ ako nishta ne dash”, nuk është me rëndësi, pavarësia nënkuptohet ( Fatmir Mbeki). Tung të gjithëve.
Mittwoch, 09. Mai 2007
PAKON E AHTISAARIT NUK E KA REFUZUAR KOSHTUNICA E AS TADIQI, ATË E KA REFUZUAR VASO ÇUBRILLOVIQI
Shkruan: Albin KURTI Pakon e Ahtisaarit nuk e ka refuzuar Vojislav Koshtunica e as Boris Tadiq. Pakon e Ahtisaarit e ka refuzuar Vaso Çubriloviq. Në memomrandumin e tij famëkeq të vitit 1937, ndër të tjera, ai shkruan edhe këtë: “Shqiptarët nuk mund të dëbohen vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual. (…) Rruga dhe mënyra e vetme për t’ia dalur mbanë me ta është forca brutale e një shteti të organizuar, me çka ne kemi qenë gjithmonë superior ndaj tyre. (…) E vetmja metodë për zgjidhjen e këtij problemi është zhvendosja masive e shqiptarëve. (…) Statistikat tona të periudhës 1921 – 1931 gjithashtu tregojnë se pjelloria e grave shqiptare e kanë mundur politikën tonë kolonizuese.” Pakoja e Ahtisaarit ia tjetërson trashëgiminë kulturore Kosovës, e betonon ndarjen institucionale dhe territoriale mbi baza etnike, dhe krijon mundësinë për rikolonizimin e Kosovës – kthimin e serbëve ku ata duan dhe formimin e mëtutjeshëm të komunave të reja për ta. Mirëpo, pakoja e Ahtisaarit nuk i shpërngul shqiptarët menjëherë dhe masivisht. Ajo është shansi për ta bërë këtë gradualiasht. Andaj nuk i pëlqeu Vaso Çubriloviqit. Pakoja e Ahtisaarit është diakronike. Çubriloviqi preferonte zgjidhje sinkronike.
Gjatë viteve të ’90-ta Milosheviqi sillte në Kosovë refugjatë serbë nga Bosnja e Kroacia ndërkohë që rriste trysninë mbi shqiptarët gjë që rezultoi me mbi 300.000 shqiptarë nga Kosova që morrën botën në sy. Në vitin 1999 Milosheviqi iu kthye Çubriloviqit: i deportoi jashtë Kosovës afër një milion shqiptarë duke përfituar nga bombradimet ajrore të NATO-s që nuk u përcollën me trupa tokësore. Suksesi i Milosheviqit nuk ishte i qëndrueshëm meqë ai nuk e përfilli një tjetër sugjerim të Çubriloviqit. Shtëpitë dhe banesat e boshatisura të shqiptarëve nuk i mbushi me kolonizatorë serbë. Milosheviqi nuk e kishte përgatitur masën prej qindra mijëra civilëve serbë që do të zinin vendet e zbrazura nga shqiptarët.
Dienstag, 08. Mai 2007
PROCESI I ZBRAZJES POLITIKE NGA FORCA DHE KRIJIMI I USHTRISË SË POLITIKANËVE PA USHTRI
Nga: Albin Kurti Krejt çfarë ka bërë procesi negociator që rezultoi me pakon e Ahtisaarit është zrbitja e kërkesës kosovare nga pavarësia e plotë dhe pa kushte në pavarësi të mbikëqyrur me decentralizim etnik dhe „eksterritorialitet“ fetar përbrenda. Këtë zbritje e aprovoi edhe Kuvendi i Kosovës, me aklamacion dhe pa debat, duke dëshmuar për kushedi të satën herë me radhë që Kuvendi i Kosovës realisht nuk është Kuvend e aq më pak i Kosovës. Marrëveshja apo vendimi përfundimtar për statusin e ardhshëm të Kosovës janë ende larg dhe më të pasigurta se që besohet, mirëpo, është e sigurtë se zbritja e kërkesës do të përkthehet në zbritje të rezultatit. Jo vetëm kaq. Zbritja e përgjithshme e kërkesës nënkupton zbritjet e veçanta. Më e rëndësishmja, që do të thotë më e rënda, është se TMK-ja nuk do të bëhet ushtri dhe ushtria e premtuar maksimalisht do të jetë vetëm FSK, shkurtesë kjo për Forcat e Sigurisë së Kosovës. -Së pari, ajo nuk do të quhet ushtri dhe as armatë sepse, thjesht, nuk do të jetë e tillë. -Së dyti, FSK me armatim të lehtë, numër aq të paktë të pjesëtarëve (2500), dhe nën tutelën e huaj, jo vetëm që s’ka të bëjë me ushtrinë apo armatën, por ajo do të jetë e brishtë edhe për sigurinë e vetes së saj e lëre më për atë të Kosovës.
Qytetarët përherë ruajtën respektin dhe vlerësimin e lartë për TMK-në. Për shkak të së kaluarës së saj të lavdishme – ushtri që çliron popullin; për shkak të së ardhmes së saj që shpresonin të jetë e ndritshme – ushtri që do ta mbrojë vendin. TMK-ja përjetohej si një moment që porsa erdhi dhe sapo nuk ka ikur: ndërmjet të shkuarës që ishte dëshmi dhe të ardhmes që ishte premtim i shndërruar në bindje.
Gati tetë vjet më vonë, po kurorëzohet ajo që s’bëhej dot atëherë dhe menjëherë. Po shuhet përfundimisht UÇK-ja (ose po shpërbëhet ajo, si të doni!) vetëm se thuhet se është TMK-ja ajo që po shuhet (ose po shpërbëhet ajo, si të doni!) meqenëse tingëllimi i këtillë është më pak i vrazhdë për veshin paçka që kuptimi dhe efekti janë po ata. Pasi që e çarmatosën strukturën dhe e rraskapitën mirë e mirë, tash po e zhbëjnë atë tërësisht duke e fshirë legalisht dhe juridikisht, duke e shpronësuar materialisht, duke e rrënuar moralisht. Plotësonin të shkretit standarde, norma e kushte arbitrare që vetëm sa i shpejtonin drejt vdekjes së tyre. Burgu i Prizrenit, krahu A, qelia nr.3 Më 30 prill 2007
Montag, 07. Mai 2007
Sa shumë të huaj me origjinë shqiptare!!
Shkruan: Koço DANAJ Na duhet të flasim dhe të argumentojmë sot, përse jemi «të denuar» të bashkohemi. Sepse po nuk e bëmë sot një gjë të tillë, do të jemi të detyruar të sodisim nesër shpërbërjen kombëtare. Na duhet të flasim dhe të argumentojmë sot, se bashkimi ndërshqiptar është europeizëm. Sepse po nuk e bëmë një gjë të tillë, atëherë nesër do të flasim për amerikanë, gjermanë, grekë, maqedonas etj etj me origjinë shqiptare. Nesër do të duhet, që nga ata të cilët do të mbeten shqiptarë të analizojnë, përse jemi i vetmi komb i cili prodhon masivisht dhe historikisht të huaj me origjinë shqiptare, më shumë se kushdo tjetër? Ngushëllimi vdekjendjellës me nocione integrimi apo globalizmi, nuk zgjidh asgjë. Ashtu si çfardo lloj ngushëllimi, nuk zgjidh asgjë. Fjalët e «pasvdekjes kombëtare», janë thjesht një ritual dhe asgjë tjetër. Tek rituali ndryshojnë fjalët, termat, thëniet, por mbetet shekullor vetë rituali.(A nuk përbëjnë një ngushëllim pasvdekjeje shkrimet, librat,legjendat, këngët e sotme mbi grekët me origjinë shqiptare? Ngushëllimi shkon deri atje sa ata i quajmë arvanitas, apo se ata na ditkan disa fjalë shqip. Është një ritual Morti Kombëtar. Dhe është i tillë pasi ata janë pjestarë të kombit grek. Janë shqiptarë në histori, por grekë në realitet.(Sa prej tyre kanë marrë pjesë në aneksimin e tokave shqiptare në vitin 1914? Sa prej tyre kanë qenë pjestarë të Napoleon Zervas dhe kanë marrë pjesë në masakrën ndaj shqiptarëve të Çamërisë?). A nuk përbëjnë një ngushëllim pasvdekjeje librat, thëniet, këngët për italianët me origjinë shqiptare? Ngushëllimi shkon deri atje sa i konsiderojmë arbëreshë apo se ata kanë ruajtur disa këngë apo fragmente historie nga mesjeta. Përsëri në thelb kemi të bëjmë me një Ritual Morti Kombëtar. Ata nuk janë shqiptarë. Ata janë pjestarë të kombit italian. Por që të parët e tyre para disa shekujsh kanë qenë shqiptarë. Dhe ata janë shqiptarë në këngë dhe italianë në realitet. Ndërsa shqiptarët e sotëm, mburren me italianët me origjinë shqiptare !! (Sa prej tyre kanë ardhur si pushtues në vitin 1920 apo në vitin 1939? Sa prej tyre kanë vrarë dhe masakruar shqiptarët e sotëm në vitin 20 apo në vitet 39-43 të shekullit të kaluar ?)
A nuk përbën një ngushëllim mortor historia e miliona turqve me origjinë shqiptare? A nuk e kini vërejtur se si politikanë, historianë, qeveritarë etj etj, mburren dhe flasin për qindra vezirë, pashallarë, gjeneralë turq me origjinë shqiptare ? Dhe mburrja mortore shkon deri atje sa pohojmë që: Shqiptarët mbajtën në këmbë Perandorinë Turke!! Ndërkaq ata janë pjestarë të kombit turk, ashtu siç janë të tillë edhe miliona të tjerë që shekuj me parë kanë qenë shqiptarë. Por që sot stërnipërit dhe strëmbesat e tyre janë turq!!! Vargu i ngushëllimit mortor është i gjatë. Por edhe shembujt e sjellë janë të mjaftueshëm për të konkluduar, për të mos u mashtruar. Edhe në kohën kur grekët me origjinë shqiptare, nuk e kishin vendosur ti nënshtroheshin shpërbërjes kombëtare, edhe atëherë ka pasur politikanë dhe nocione politike që e kanë fshehur shpërbërjen kombëtare. Por koha pastaj ka bërë të sajën. Nuk ka qenë shpërbërje kombëtare me anë të shpatës, por me anë të shijes së jetës. (Odiseja dhe Itaka janë të një periudhe më të hershme se sa shpërbërjet kombëtare të shqiptarëve.) Edhe në kohën kur italianët me origjinë shqiptare nuk e kishin vendosur ti nënshtroheshin shpërbërjes kombëtare, edhe atëherë ka pasur politikanë të cilët e kanë fshehur këtë shpërbërje me anë të gjoja të ikjes nga raprazaljet e ushtrisë turke. Edhe në kohën kur ata miliona shqiptarë nuk kishin vendosur ti nënshtroheshin shpërbërjes kombëtare, ka pasur politikanë dhe funksionarë shqiptarë që e kanë fshehur këtë shpërbërje në emër të nocioneve të kohës. (Perandoria turke zgjati shekuj, jeta e njeriut zgjat me dekada. Emerimet në skaje të ndryshme të perandorisë, synimet drejt një jetë më komode në krahasim me disa popuj të tjerë të saj, gradualisht por pandërprerë realizuan atë që sot ne të flasim për miliona turq me origjinë shqiptare. Siç duket nocioni integrim ka ekzistuar edhe atëherë pavarsisht nga përmbajtja e tij apo nga formulimi ndryshe. * Pjesa nga libri «Jemi të «Denuar» të bashkohemi», i autorit Koço Danaj
| |