Beeplog.de - Kostenlose Blogs Hier kostenloses Blog erstellen    Nächstes Blog   

Navigimi

Login / Verwaltung
 · Anmelden!

Kategorien

RSS Feed

Lidhje

HTML Box
"Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis" - Ukshin Hoti

Kontakti


Du befindest dich in der Kategorie: Opinione

Dienstag, 17. Juli 2007
Elita jonë politike është tragjedia e Kosovës!
Von ajkashqiptare, 23:29



Shkruan: Faik Smajli

Keni dëgjuar kur thonë "Ta qes veten prej huji", dhe pikërisht kjo gjë i ka ndodhë Ekipit të ... që s' mund ja shkruaj dot as emrin.

Sa me pasion ia nisën biznesit politik. Sa shpejt u rritën, u bënë të mëdhenj, shumë të mëdhenj. Aq të mëdhenj saqë menduan se e kapën zotin për ko...! Por gjithashtu thonë se: "Kush fluturon shumë lartë, bie shumë poshtë". E kur bie shumë poshtë, të del vetja prej huji. Të paktën për ata që kanë dy gishta fytyrë; sa për ata që i kanë dy hektarë fytyrë, nuk vlejnë parimet, as njerëzore, as shtazore. Dhe kjo barsoletë tani, mbase, e shpjegon më së miri karakterin - fytyrën e tyre:

E kishin zënë njërin duke vjedhë dru në mal të shtetit. E padisin dhe i vjen koha për gjyq. A keni vjedhur dru në mal, e pyeti gjykatësi të pandehurin? I pandehuri i hutuar e i frikësuar ia ktheu: Po, kam vjedhur, por s'e pranoj. Pikërisht në këtë pozitë "mat" janë Ekipi i ....! Ua kanë qitë veten prej huji! I kanë bërë për pesë pare. I kanë bërë të duken qesharakë e të mjerë në të njëjtën kohë. I kanë shtrirë për tokë!

Nuk gjejnë dot personazhe më reale tragjikomike! Por po më duket se po dalin, asi, me ka dy hektarë fytyrë... d.m.th. asi, që nuk kanë fare parime, jo vetëm njerëzore, por as shtazore. Eu!!! Sa poshtë ka rënë katundi! Aq poshtë kanë rënë, sa që edhe Skendës ku-ku, i ka dalë vetja prej huji! Nuk po donë as ai me e qitë surratin për opinion.

Ish pre n’shtatë vena Skeda ku-ku, për që i vjen kjo ditë. Eeee! Nuk është lehtë me e fitue euron sot. Nganjëherë as dy hektarë fytyrë nuk po mjaftojkan. Po ndasht. Bile pasuri kanë bërë mjaftë. Edhe fytyrë, edhe pasuri në këtë mënyrë nuk shkojnë. Vetëm njëra të takon. Këta e kanë zgjedhë pasurinë, hajninë. Edhe sot po të largohen nga jeta politike dhe nga çdo aktivitet tjetër, jetojnë si begu në, sa të jenë gjallë. Le që nuk u shkon as ndërmend të rrinë jashtë politike. Ruana zot! Me këtë miletin tonë këto dy hektarë fytyra, do t'i kemi edhe për nja 30 - 40 - vjet në skenën politike, derisa t'ua merr zoti shpirtin. E kam humbur çdo shpresë se për të gjallë do të më zhduken nga sytë surrati i tyre. A durohen këto dy hektarë fytyra dhe soj sorollopi i tyre edhe për së paku 30 vjet nëpër televizorë e gazeta. A durohen?! Sa herë t'i shoh, ma çojnë dhimbën e kresë. Nuk do të shpëtoj dot nga migrena, për këtë jam i sigurt.

Kjo është tragjike! Lufta nuk ka qenë tragjike për Kosovën sa është tragjike elita politike e saj. Kjo garniturë politike, ende nuk bëri as edhe një hap të sigurt përpara. Nuk pritet as në të ardhmen se do të bëjnë ndonjë hap përpara. Tani duhet të binden edhe optimistët e fundit që mund të jenë se, këta diletantë, këta komitetlinj nuk zgjidhin dot asnjë problem. Këta janë vetë problemi,janë barrë e popullit, prandaj janë tragjedia e Kosovës. Kjo tragjedi përfundon vetëm me ikjen e tyre.

Asnjë popull në botë nuk e meriton këso lloj garniture politike, sikurse jam i bindur se, asnjë popull në botë nuk do ta lejonte këtë lloj garniture tragjike të merrej me fatin e tij. Mirëpo, me këtë miletin tonë po zgjasin tepër gjatë agoni të tilla, katastrofa të tilla, tragjedi të tilla.
Të luhet me dy milion njerëz në këtë mënyrë poshtëruese dhe të miratosh heshtazi e pa thënë asnjë fjalë, as më të voglin kundërshtim, sikurse po bëjnë të pafytyrët tanë politikë, a s'është kjo TRAGJEDI? Të keqmenagjohet, të vidhet e të shkatërrohet pothuajse çdo gjë, të rritet mjerimi çdo ditë e më tepër për të shkretin popull, a s'është kjo tragjedi? Të pyetet edhe dreqi e i biri se çka dhe si duhet bërë me këtë popull, pa pyetur fare për nevojat dhe dëshirat e tij, a s' është kjo tragjedi?

Ta lësh pa kulturë pa trashëgimi, pa histori, pa identitet etj. a nuk quhet tragjedi? Të jetojmë në zemër të Kontinentit më të pasur, dhe të krahasohemi me vendet më të varfra afrikane, a s'është kjo tragjedi?

Edhe një pastrues nga Brukseli po të vijë në Prishtinë, këta ulen e përkulen dhe bëjnë gara se cili po dëshmohet më servil ndaj tij, a s'është ky mjerim?

Të pohohet se jemi një shoqëri e organizuar me të gjitha institucionet demokratike, e nga ana tjetër të gjitha të jenë vasale të një grupi despotësh, a s'është ky mjerim? Të deklarosh se jemi partnerë me bashkësinë ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër të mos arrish të ndikosh as 1% për fatin tënd të mjerë, çfarë t'i themi kësaj? Si ta quajmë ndryshe?!

Pa më thoni, kur ka duruar shqiptari të sundohet e të shkërdhehet nga gratë? Kur? Tash na kanë rrokë gratë përpara saqë s'po ja dimë hallin vetes. Në një anë Tina vranë e kthjellë nga Dragodani, kush nuk guxon t'i thotë i ke sytë e verdhë, ndërsa ajo pa fije ndërgjegje e turpi, pret si me shpatë. Sikurse çdo administratë në botë, edhe ajo amerikane, ka njerëz mozomakeq, në administratën e saj. Po ku na ra hise se.

Carla Del Ponte që ka urrejtje patologjike dhe i ka inat shqiptarët, na i ngritë nervat sa herë t'i qohet. Doris Pack, jo rrallë na ka shkuar në nerva, sikurse edhe Meli ynë e papërsëritshme. Gjithmonë kanë uruar, "Mos të zëntë sherri i grave". Kështu të gjejnë, kur dorëzohesh pa kushte, pa rezistencë. S'ke kompetenca!

Po nejse, nuk janë edhe krejt pa kompetenca ky grupi ynë komitetli, kur të duan e fusin në burg udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje - Albin Kurtin, edhe e mbajnë sa të duan. Edhe shokët e tij poashtu!

Edhe me Institutin Albanologjik bëjnë çka të duan. Qeveria ia shtin masat e dhunshme si në kohën e krajlit edhe s'i bën terr syri. Pastaj vetë i caktojnë rrogat, shpenzimet, honorarët, drekë e darka, pastaj makinat luksoze, vendet nëpër plazhet evropiane dhe plot gjëra të tilla...! A pak po të duken a? Për të tjerat, punë e madhe! E sa për statusin, s'po mundet Ahtisari e krejt Evropa, e po mundet Fatmiri me Kolën, Gimin e Hashimin. A hajgare, a? Ku keni parë ju që zëdhënësit të marrin vendime politike. Jo pasha Bacën! E këta në këtë rast, janë vetëm zëdhënës të Brukselit e të Nju-Jorkut. Ata rrej këta... këta rrej neve. Rrenë të dyfishtë pa kripë po gëlltit ky popull i shumëvuajtur qe 8 - vjet. Është çudi se, asnjërës palë nuk i bëhet vonë, përkundrazi iu konvenon, iu përshtatet. Kështu ka qenë deri tani, ndërsa si do t'iu shkoj tash e tutje, vështirë të parashikohet. Mileti dhe pis-mileti vendosin për këtë punë.

Ata qysh tash kanë filluar të hartojnë strategji (demagogji) për të na hedhur prapë pluhur në sy. Siç kanë filluar p.sh. me ekonomi, bujqësi me pastërti ambienti etj.

Nuk kalon java që të mos vijë dikush nga Brukseli a Nju-Jorku, e t'ua ngrijë gjakun, t'ua ngreh veshin dhe t'u jap detyra shtesë. E këta si gjithmonë të gatshëm e pa përtesë dhe pa ia vënë kurrë gishtin kresë. Në hall të madh për përpilime strategjish si rrugëdalje nga kriza për t'u futur edhe më shumë në krizë, derisa një ditë t'u dalim në pritë e t'ua shkërdhejmë të gjitha strategjitë...

Londër,
30. 06. 2007

Autori i këtij shkrimi është kryeredaktor i faqes kombëtare "DERVINA.COM"

[Permalink]


Montag, 18. Juni 2007
BUSHI URDHËROI TIRANËN ZYRTARE TË MERRET ME KOSOVËN E SAJ
Von ajkashqiptare, 02:02

                                 

Shkruan:Xhevat BISLIMI

Këtë shkrim do ta filloj me një fjali (konstatim) të ëmbël për popullin shqiptar, por të hidhur për klasën politike shqiptare: “Ndihmoje popullin shqiptarë dhe ndëshkoje klasën (matrapazët) e tij politike, Amerikë”! Nuk dua ta lodh dhe as ta ngatërroj lexuesin shqiptar me analizimin e shkaqeve, rrethanave, dhe interesave që e shtynë shtetin më të fuqishëm në botë të vihet në anën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Por do të nisem nga fakti se SHBA-të angazhuan një pjesë të mjaftueshme të fuqisë së tyre politike, diplomatike, financiare dhe, në fund, edhe ushtarake, për ta ndihmuar Luftën Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar kundër pushtuesit kryesor (në fuqi dhe egërsi), Serbisë. Fakt është, gjithashtu, se SHBA-ve iu bashkuan edhe shumë Fuqi të tjera botërore të bashkuara në organizatën më të fuqishme, në NATO. Por, natyrshëm bëhet pyetja: A do të kishte shtet tjetër në botë (në fund të shek. XX) që, do të mund ta ndërmerrte këtë nismë dhe fushatë bombardimesh kundër Serbisë? Jo. Njëmijë herë jo. Prandaj, edhe populli shqiptar, kudo që jeton, është dhe do t’i jetë përjetë mirënjohës popullit amerikan dhe Amerikës. Dëbimi i shpejtë dhe i përgjithshëm i pushtuesve serbë nga krahina më e madhe e pushtuar e Shqipërisë, nga Kosova, ishte një fitore historike e shumëpritur. Kjo fitore, për herë të parë (pas krijimit të shtetit shqiptar) hapi rrugën dhe hapi shtigjet (proceset) e bashkimit kombëtar. Mirëpo, krenaria, entuziazmi dhe gatishmëria për ta çuar më tej fitoren e shkëlqyer ndaj Serbisë pushtuese u dominua nga rikthimi “fitimtar” i filozofisë politike rugoviane të qëndrimit duarkryq, moskokëçarjes, pritjes, qyqarllëkut dhe zvarritjes. “Fituan” dashuria dhe ngrohtësia për të huajën dhe të huajt, nga njëra anë, dhe përbuzja dhe ftohtësia për popullin dhe vendin tonë, nga ana tjetër! Servilizmi dhe hipokrizia e “politikanëve” shqipfolës i iritoi edhe miqtë tanë më të mirë. Kjo filozovi politike, fatkeqësisht, u pranua dhe përvetësua shpejt edhe nga disa politikanë, që dolën gjatë dhe pas Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së. Etja për pushtet, lavdi e pasuri i mori në qafë edhe disa nga ata që bënin be e rrufe në çlirimin dhe bashkimin e tokave të Shqipërisë, që betoheshin e përbetoheshin në komb e atdhe, në gjuhë e flamur shqiptar… Ecja e madhe prapa nisi me shpërbërjen e UÇK-së (dorëzimin e armëve) pa u mbyllur të paktën çështja e kësaj Kosove që ka mbetur nga copëtimet e shumta, pa u garantuar kontrollimi i plotë i tokës së kësaj Kosove dhe i kufijve të saj me Serbinë e Malin e Zi. Kjo i dha dorë Serbisë, që të riorganizojë forcat e sigurisë në një pjesë të mirë të Kosovës, veçmas në Veri, dhe të rikthejë, nënë petkun e “refugjatëve”, një pjesë të mirë të efektivit të saj informativ, policor, ushtarak, etj. Këto struktura, të organizuara, të furnizuara dhe të financuara mirë nga Serbia, sot kanë vendosur pushtetin e tyre në një pjesë të mirë të territorit të Kosovës, ku nuk guxojnë të shkelin “kryepolitikanët” dhe “kryeinstitucionalistët” shqipfolës. Dorë e zgjatur e tyre janë bërë edhe mjaft bashkëpunëtorë e nostalgjikë të kohëve të “arta””të Jugosllavisë dhe Serbisë! Sojin e tyre i gjenë në majat e politikës, në majat e institucioneve, në majat e mediave, në majat e arsimit, etj. Këta, të lidhur dhe bashkërenditur ngushtë me Beogradin, u përpoqën dhe po përpiqen me mish e me shpirt që ta kthejnë rrotën prapa dhe që misioni amerikan të hyj në histori si “mission impossible””në Kosovë. Pjesë e këtyre përpjekjeve kundërshqiptare u bë, me dashje a pa të, me vetëdije a pa të, edhe Tirana zyrtare, e cila, me moskokëçarjen e saj dhe me “neutralitetin” e saj i prishi shumë punë Kosovës dhe mbarë çështjes shqiptare. Elita politike shqipfolëse e Tiranës, e Prishtinës dhe ajo e Shkupit i prishi punë edhe vetë Amerikës dhe politikave të saj në Ballkan.


Pas zgjedhjeve të para në Kosovë, të cilat, për të zezën e Kosovës, i fitoi partia që me fjalë ishte “në miqësi të përherëshme me Amerikën, kurse me gjithë angazhimin e saj ishte kundër Amerikës dhe kundër vetë interesave shqiptare. Analistë të njohur dhe zyrtarë të lartë amerikanë nisën të dërgonin sinjale dhe porosi të shpeshta për Tiranën dhe Prishtinën. Këto porosi u bënë më të dendura dhe më të qarta sidomos pas ngjarjeve të njohura të marsit të vitit 2004. Meqë, politikanët”shqipfolës nuk arrininë (nuk donin) t’i “deshifronin””porositë e tyre, ata (zyrtarë e analistë të shumtë amerikanë), në prag dhe gjatë bisedimeve me Serbinë, u detyruan të deklaronin botërisht se për Kosovën do të vendosë populli shqiptar. Kjo deklaratë, shumë e qartë dhe pa ekuivoke, është përsëritur shumëherë. Tirana dhe Prishtina bënë veshin të shurdhër dhe Kosovën shqiptare e nxorën në tavolinën e përbashkët me serbët, në Vjenë. Me këto bisedime Serbia edhe ndërkombëtarisht u pranua “”ortake””në çështjen e Kosovës, ndërsa pronarja e vetme e ligjshme, Tirana (shteti shqiptar), bënte sehirë dhe sillej sikur të bëhej fjalë për një krahinë diku në Afrikë! Qeveria shqiptare për muaj të tërë çështje të dorës së parë e kishte bërë “Zogun e Zi” (mbikalimin)! Partitë politike dhe krerët e tyre në Tiranë bënin “luftë për çdo votë”” për qeverisjen vendore! Bisedime me Serbinë, për Kosovën, mund të zhvillonte vetëm shteti shqiptar, nëse kjo do të ishte kerkesë e prerë e Bashkësisë ndërkombëtare (e miqëve tanë). “Politikanët”e Prishtinës mund të bisedonin, po të ishte nevoja, vetëm me përfaqësuesitë ose politikanët e pakicës serbe në Kosovë. Pikë. Kaq mund t’i shtrinin këmbët ata, sikur t’i kishin dy gram mend.…Bisedimet kështu siç u bënë, degardimi i rrezikshëm i çështjes së Kosovës, koncesionet tragjike dhe antishqiptare, që “grupi uzurpator”i bëri Serbisë, e detyruan Gjergj Bushin të vinte vetë në Tiranë. Përvoja tetëvjeçare me këtë soj politikanësh e detyroi Bushin ta bëjë thirrjen e tij edhe publikisht: “Unë, i bëj thirrje kryeministrit të bashkëpunojë me udhëheqësit e Kosovës për të ruajtur gjakftohtësinë gjatë këtyre fazave përfundimtare të procesit të statusit final të Kosovës. Ai më siguroi, se do ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka kontakte të mira atje dhe kosovarët i kanë sytë tek udhëheqja e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Shqipërisë. Ata janë të gatshëm ta ofrojnë një gjë të tillë», - tha Kryetari Bush. Në këtë thirrje bëhet i qartë mosbesimi i Bushit te Kryeministri Berisha dhe te e gjithë klasa politike shqiptare. Kryetari amerikan « detyrohet » ta bëjë publike bisedën e tij me Berishën për ta detyruar atë, si dhe gjithë Tiranën zyrtare, ta marrë rolin e udhëheqës, siç i takon dhe siç e ka detyrim para kombit dhe Zotit, nga njëra anë, dhe për t’ia bërë të ditur matrapazëve politikë (grupit negociator) në Prishtinë se duhet ta njohin rolin udhëheqës të Tiranës me çështjen e Kosovës (çështjen shqiptare). Sa bukur e tha: «Ai (Berisha, vrejtja ime) ka kontakte të mira atje, dhe kosovarët i kanë sytë tek udhëheqja e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Shqipërisë». Porosi e qartë: Shqiptarë të Kosovës, kthehuni me sy kah Tirana. Aty e keni Kryetarin tuaj. Aty e keni Kryeministrin tuaj. Mos u merrni me dokrrat dhe kopallat e grupit uzurpator, mashtrues dhe kush e di çka tjetër.…A ka thirrje më të hapur se kjo që orienton dhe fton drejtëpërdrejt shqiptarët e Kosovës t’i njohin autoritetet e Tiranës? A ka shpjegim më të hapur dhe të qartë se ky për botën se Kosova është e lidhur me Tiranën dhe jo me Beogradin? A ka thirrje dhe mësim më të mirë se ky për klasën politike dhe shtetërore të Tiranës? Kryetari i shtetit më të madh në botë i thotë Tiranës zyrtare: Kosova është e jotja, Kosova është shqiptare, ti duhet të merresh me të.…A e kuptoi kështu Tirana? A e kuptoi kështu Prishtina? A e kuptuan kështu mediat? Druaj se jo. Këtë e provon edhe deklarata e Bersihës para gazetarëve: «Ajo që unë mund t’i transmetoj publikisht udhëheqsëve dhe qytetarëve të Kosovës është se projekti i tyre ka mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të presidentit Bush. Në këtë kontekst, sikundër dhe më parë, edhe tani, as nuk pres dhe as nuk këshilloj ndonjë lëvizje, përkundrazi, persistencë dhe gjakftohtësi. Projekti i tyre është plotësisht në mendjen dhe zemrën e presidentit Bush, - tha Berisha.Vetëm në këtë deklaratë të shkurtër, Berisha, thotë dy herë “projekti i tyre” (me demek i “kosovarëve”, jo i kombit shqiptar). Këtu shihet se ai dhe kompania e tij nuk e kanë kuptuar”as këtë porosi pa ekuivoke të Bushit. Nuk ka nevojë të transmetosh diçka të ditur tashmë shumë vite, o Sali. Krejt bota e di se “projekti i tyre””ka mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të Bushit. E dimë se ky projekt është në mendjen dhe zemrën e Kryetarit dhe të Qeverisë amerikane. Këtë Amerika e ka dëshmuar me veprime konkrete. Bushi nuk erdhi t’jua zbulojë këtë të vërtetë publike, o Sali. Ai erdhi ta bëjë Kosovën projekt dhe pjesë tuajën (të Tiranës zyrtare) dhe të zemrës tuaj. Që Kosova të jetë edhe në mendjen dhe në zemrën tuaj, të paktën, siç është në mendjen dhe zemrën e Bushit. Ai erdhi t’ju thotë që me “gjakftohtësi”, me përkushtim”dhe vendosmërisht të merreni me punën e Kosovës, që Tirana zyrtare ta aftësoj”Kosovën dhe mbarë kombin për t’u përballur me Serbinë, sepse lufta për Kosovën nuk ka marrë fund.…Para saj dhe para Tiranës janë sfida dhe prova të reja. Prandaj, përgatituni, mos flini, por bëhuni gati për çdo të papritur. Lirinë dhe tokën tuaj duhet ta mbroni vetë. Mos harroni se ne jemi me ju, por nuk jemi «JU», tha Bushi dhe iku……

Prishtine, 12 qershor 2007.


[Permalink]


PSE NDËRRIMI I SIMBOLEVE KOMBËTARE DHE SHTETËRORE TË KOSOVËS?
Von ajkashqiptare, 01:49




BAROMETRI DIPLOMATIK
Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*Krijimi i dy shteteve shqiptare në tokën etnike shqiptare nuk përbën kurrfarë precedence të normave dhe të parimeve të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, por kjo është çështje e vullnetit dhe e drejtësisë së bashkësisë ndërkombëtare (OKB, BE, SHBA, NATO).

Me këtë fenomen opionioni publik shqiptar është duke u ballafaquar që nga viti 2002, kur më 28 Nëntor, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ( i ndjeri) shpalosi një flamur të Dardanisë ilire, në vend të flamurit të Skënderbeut (28 Nëntor 1443), të ngritur në Krujën heroike kundër sundimit dhe shtypjes së Perandorisë Osmane; në vend të të njëjtit të flamur të Ismail Qemalit, të ngritur në Vlorë, më 28 Nëntor 1912). Po në këto dy periudha të gjata dhe ndryshme historiko-politike kombëtare, në distancën kohore 469-vjeçare, si dhe mëpastaj që nga viti 1912 e deri më sot, shqiptarët dhe Shqipëria Etnike ka pasur dhe, edhe sot e ka vetëm një flamur kombëtar dhe shtetëror, që identifikohet dhe personifikohet me emrin dhe me veprën e pavdekshme heroike kombëtare dhe shtetërore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Kjo, në asnjë mënyrë nuk është e diskutueshme për gjithë kombin shqiptar si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve të Shqipërisë Etnike, si dhe për të gjitha ato shtete dhe shtetarë apo shkencëtarë që e njohin historinë kombëtare dhe shtetërore të shqiptarëve në Ballkan. Mirëpo, fenomenologjia e simboleve kombëtare dhe shtetërore të shqiptarëve, tanimë, në prag të njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës, me arsye, është bërë temë e nxehtë për debat serioz, posaçërisht nga ana e atyre shqiptarëve patriotë atdhetarë, të cilët plotësisht kanë të drejtë që të ngrejnë zërin e arsyes për të mos ndryshuar asnjë nga elementet e përmbajtjes së flamurit kombëtar shqiptar të Skënderbeut, përkatësisht të Ismail Qemalit.

Prof. Dr. Mehdi HYSENI

Pse “elita politike” e Kosovës ka filluar t’i ndryshojë simbolet kombëtare shqiptare?!

Jo, profesorët, akademikët, politikanët dhe diplomatët, por, tanimë, edhe studentë e tyre që, ende nuk i kanë mbaruar studimet në fakultetet e shkencave politike, juridike dhe sociologjiko-filosofike e kanë të qartë se çfarë do të thotë përkufizimi i simboleve kombëtare dhe shtetërore-shprehje dhe pasqyrim i idenitetit të një shteti kombëtar.

Mirëpo, në rastet dhe, në rethanat e sotme konkrete, të ideuara dhe të krijuara në intervalin kohor (1990-2007)të reformave të ndryshme historiko-politike, ekonomiko, tregtare, gjeopolitike, multietnike, pluraliste dhe integruese me karakter rajonal, evropian dhe ndërkombëtar, janë shprehje karaketristike e shtruarjes së kërkesës dhe ofertës së tregut të përbashkët të lirë globalist të shoqërisë konsumatore.

Ata "ekspertë", të cilët tanimë "kanë zënë njohuri të mjaftueshme" përkitazi me nocionet e theksuara, që u referohen relacioneve ekonomike, tregtare, politike, demokratike, të drejtave dhe lirive të njeriut, integrimeve dhe globalizmit "e kanë të qartë" se formimi i shteteve të reja multietnike dhe pluraliste, sidomos kur është fjala në Evropën Juglindore, duke përfshirë së këndejmi edhe Ballkanin, nuk merr për bazë parimin kombëtar, por “standardin” multietnik, që thjesht nënkupton shumësinë disaetnike minoritare, e jo njësinë NJËETNIKE KOMBËTARE, që përbën shumicën dërrmuese të një etnie autoktone siç është rasti konkret me shqiptarët e Kosovës mbi 90%.

Ky është problemi kardinal numër një, që në mënyrë arbitrare dhe kundërligjore e cenon dhe e konteston krijimin e një shteti mbi parimin NJËETNIK KOMBËTAR në favor të “standardit” apo të “instrumenteve” multietnike të disa minoriteteve, gjë që kjo teori dhe praktikë e re politike, është në shpërputhje me të gjitha rregullat dhe me normat e së drejtës kombëtare, të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës shtetërore. Praktikisht, zbatimi i një “standardi” të këtillë antijuridik kombëtar dhe ndërkombëtar më tepër ka karekter dhe efekt të politikës ekonomike dhe tregtare të shfrytëzimit dhe të nënshtrimit në dimensione integruese globaliste, i shpikur dhe i ndërtuar mbi dhe, për ineteresin e filosofisë së politikës së tregut të lirë dhe të pakufijshëm të vendeve më të zhvilluara në përmasa evro-botërore, sesa të jetësimit të drejtave themelore të njeriut, siç është para së gjithash e drejta e vetëvendosjes së popujve të kolonizuar, pa realizimin e së cilës nuk mund të ndërtohet as demokracia e as paqja e ligjshme dhe e qëndrueshme.

Problemi numër dy dhe i papranueshëm si për doktrinën, ashtu edhe për praktikën e demokracisë, të barazisë dhe të drejtësisë si në sfondin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, pa dyshim se është edhe manipulimi dhe zbatimi i dyfishtë i “standardit” të krijimit të shteteve multietnike konkretisht në Ballkan.

Ja, paradoksi i shembujve konkret: Së pari, mbi bazën e parimit të kombësisë njëetnike janë krijuar dhe njohur sipas së drejtës ndërkombëtare: Serbia dhe Mali i Zi, edhe pse këto dy shtete përbëhen nga një spektër i gjerë i minoriteteve joserbe, siç janë shqiptarët, hungarezët, myslimanët boshnjakë, kroatet, sllovakët, bullgarët, vëllhet, romët etj. Gjithashtu, edhe Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia janë krijuar dhe njohur po mbi të njëjtin parim sikurse Serbia dhe Mali i Zi, ku flamujt e të gjitha këtyre shteteve të theksuara paraqesin vetëm identitetin kombëtar dhe shtetëror të shumicës dërrmuese të tyre, pa kurrfarë simbolesh dhe të simbolizimit të minoriteteve të tyre përkatëse.

Në këtë sens, me të drejtë shtrohet pyetja, pse shtetet e sipërtheksuara nuk janë krijuar dhe njohur ndërkombëtarisht sipas “standardit” të krijimit të shteteve të reja multietnike, por subjektiviteti i tyre ndërkombëtar është njohur dhe pranuar pa asnjë vërejtje, as kushtëzim nga bashkësia ndërkombëtare sipas parimit monoetnik të shumicës dërrmuese, të njohur dhe të sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sistemin juridik pozitiv ndërkombëtar.

Sa më sipër, duke qenë se deri në këtë çast në Ballkan ende nuk është krijuar asnjë shtet sipas “standardit” multietnik, atëherë pse të mos aplikohet i njëjti parim unik kombëtar edhe për krijimin e shtetit të ri të Kosovës, ashtu sikurse në rastin konkret të Serbisë, të Maqedonisë, të Kroacisë, të Sllovenisë dhe të Malit të Zi? Pse në këtë kontekst, Kosova të jetë “ndajshtim” i veçantë në Ballkan?

Pse të ndryshohet flamuri kombëtar shqiptar i Kosovës, kur dihet se deri më sot (qe 564 vjet) shqiptarët në Ballkan identifikohen nën të njëjtin flamur kombëtar shqiptar të Skënderbeut, përkatësisht të Ismail Qemalit? Pse të ndryshohen simbolet kombëtare të Kosovës, kur dihet qartazi se Kosova është pjesë integrale e Shqipërisë Etnike, jo e Serbisë? Pse të “laramohet” me simbole të huaja flamuri kombëtar shqiptar i Kosovës, kur dihet se ligjërisht statusi i minoriteteve në Kosovë, si kudo në botë, do të rregullohet me ligj, me kushtetutë, dhe me standarde e konventa të tjera ndërkombëtare, kështu që nuk ka fare nevojë, që përkatësia e tyre të “vizatohet” edhe në flamurin kombëtar shtetëror të Kosovës shqiptare, sepse, një fenomen i këtillë tejet absurd, anakronik, antikombëtar, antindërkombëtar, antiligjor dhe antidemokratik, ende nuk figuron në Ballkanin “e integruar” pluralist dhe multietnik.

Për më tepër “restauruesit” dhe “decentralizuesit” e territorit dhe të simboleve kombëtare shqiptare të Kosovës, duhet të mbajnë parasysh të gjitha faktet e mësipërme të pakundërshtueshme, si dhe faktin “ e servuar” dhe të sofistikuar nga kuazishkenca, nga politika dhe nga propaganda luftarake kolonialiste e Serbisë së madhe dhe e Kishës Ortodokse Serbe, se pavarësimi i Kosovës në kuptimin juridik-ndërkombëtar, do të thotë krijimin e shtetit të dytë shqipar në Ballkan me të njëjtat simbole kombëtare shtetërore, gjë që kjo, sipas së “drejtës ndërkombëtare” serbomadhe qenka “pengesa kryesore ligjore” për mos njohjen e subjektivitetit juridik ndërkombëtar të Kosovës shqiptare(!?)

Përkundrazi, kjo historikisht, as juridikisht nuk paraqet kurrfarë “hendikepi” apo cenimi të normave dhe të rregullave të së drjetës ndërkombëtare, as të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse një akt i tillë kombëtar dhe shtetëror ka të bëjë vetëm me të drejtën e ligjshme dhe legjitime të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, që historikisht, etnikisht, territorialisht, juridikisht, faktikisht dhe demokratikisht është antitezë e sovranitetit kolonial 100-vjeçarë të Serbisë së Madhe mbi Kosovën dhe trojet e tjera të Shqipërisë Etnike.



Duhet të nënvizojmë faktin se as njohja e subjektivitetit ndërkombëtar, as ndryshimi i simboleve kombëtare të Kosovës, nuk është në kompetencën e politikës kolonialiste së Beogradit, as të “grupit decentralist” të njëanshëm dhe miop politik të Kosovës, por kjo e drejtë direkt dhe indirekt i përket popullit shqiptar të Kosovës, që në formë demokratike dhe të ligjshme (me referendum), duhet të deklarohet për fatin e vet dhe të Kosovës (do apo nuk do t’i ndryshojë simbolet kombëtare shqiptare).

Fundja, të ndjekim shembullin e ligjshëm dhe demokratik të Amerikës , e cila ka 50 shtete, me emërtime të ndryshme, por kanë të njëjtin flamur të përbashkët kombëtar dhe shtetëror, pavarësisht nga fenomeni i multietnikes.

Në rastin më të skajshëm, Kosova do të kishte të drejtë ta ndryshonte flamjurin e saj, vetëm me kusht që, nëse paraprakisht, të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, do ta aplikonin të njëjtin “standard” të krijimit të shtetit multietnik, duke përfshirë edhe simbolet e përkatësisë së minoriteteve të tyre ekzistuese. Ndryshe, do të jetë i papranueshëm, joligjor, antihuman dhe antidemokratik që, një “standard” i tillë, t’i imponohet vetëm Kosovës shqiptare të Shqipërisë Etnike, ashtu sikurse precedenca e “standardit ndërkombëtar” serbomadh e “decentralizimit territorial” të Kosovës, i cili paraprakisht, do të duhej të zbatohej konkretisht në Serbi, duke filluar me shqiptarët e Anamoravës, me myslimanët boshnjakë të Novi Pazarit, me hungarezët dhe me kroatët e Vojvodinës, si dhe me vëllehet e bullgbarët etj.

Me gjithë interesat gjeopolitike, gjeoekonomike dhe gjeostrategjike e tregtare të integralizmit dhe të rajonizimit të njëanshëm të Evropës së sotme, Kosova nuk duhet të jetë precedencë dhe përjashtim arbitrar i normave dhe i rregullave të së drejtës ndërkombëtare, të Kartës së OKB-së dhe të kritereve të rendit të ri ndërkombëtar, por duhet të trajtohet mbi bazën e njohjes të së drejtës së vetëvendosjes, e cila përjashton çdo formë eksperimentuese të varësisë, të nënshtrimit dhe të shfrytëzimit të kolonializmit dhe të neokolonializmit të “moderuar” dhe të “evoluuar” të së “drejtës vendore dhe ndërkombëtare” serbomadhe sllave dhe të partnerëve të saj tradicionalë mbështetës me prirje të zonës së sferës së interesit të Evropës Lindore (me në krye Rusinë).

Të mos harrojmë se, edhe një faktor tjetër, i cili është në kolizion me të drejtën historike-kombëtare dhe me parimet juridike të së drejtës ndërkombëtare, që do të ndikojë në imponimin e krijimit të shtetit “decentralizues multietnik” të Kosovës, është faktori i jashtëm i “importimit” të “pavarësisë së mbikëqyrur ndërkombëtare”, i cili, kuptohet se, edhe e ka e çmimin e tij shumë të lartë, të cilin, pa dyshim, do ta paguajë shtrenjtë vetë populli shqiptar i Kosovës në “konton” e reduktimit dhe të gllabërimit të së drejtës së vetëvendosjes, e jo kursesi atë nuk do ta paguajnë “ restauruesit”, “decentralizuesit” dhe tregtuesit e territorit dhe të simboleve kombëtare shqiptare të Kosovës., por do të shpërblehen me çmime përkatëse sipas “rezultateve” dhe “punës efektive” të tyre në favor të zvarritjes dhe të neglizhimit të pavarësisë së Kosovës.

[Permalink]


Presidenti Bush shprehet kunder pavarsise se Kosoves nga Shqiperia!!
Von ajkashqiptare, 01:47




Koço DANAJ

Ishte ndoshta mesazhi i dyte i madh i presidentit Amerikan Xhorxh Bush ne Tirane. Mesazhi I pare I madh ishte se Pavarsia e Kosoves eshte e sigurte. Dhe me kete mesazh rane poshte te gjitha ilizionet, ankthet apo makthet. Dhe me te drejte hapsira shqiptare ka dite qe i meshon ketij mesazhi.Por eshte harruar mesazhi i dyte po kaq i madh i presidentit Bush ne Tirane. Cili ishte ky mesazh? Mesazhi ishte ky: Presidenti Bush aq sa shprehu vendosmerine e tij per pavarsi te Kosoves nga Serbia, po aq shprehu edhe vendosmerine e tij per mos pavarsi te Kosoves nga Shqiperia.Pavarsia e Kosoves nga Serbia ishte mesazhi I pare I madh afatshkurter. Mospavarsia e Kosoves nga Shqiperia ishte mesazhi I dyte I madh, pak me afatgjate.Dikush apo disa mund te thone: Kur ka lindur nevoja qe presidenti i fuqise me te madhe te botes te shprehe kundershtimin e tij ndaj pavarsise se Kosoves nga Shqiperia? Pyetje e drejte. Ja edhe pergjigja: Shumekush e di se ne Kosove ka nje rryme qe sa vjen e po zgjerohet mbi nevojen e kombit e ri kosovar. Pra mbi kombin I cili nuk eshte shqiptar. Megjithse akoma nuk eshte zgjidhur juridikisht problemi I shkeputjes nga Serbia, partizanet e mosqenies shqiptare po artikulojne gjeresisht dhe vendosmerisht ekzistencen e kombit kosovar. Jane me dhjetra analiza dhe deklarime mbi kete ceshtje te publikuara ne Prishtine dhe Tirane pasi edhe mbrojtesit e kesaj teze shtrihen ne Prishtine dhe ne Tirane. Kush jane mbrojtesit me te zjarrte te kesaj teze? Jane disa politikane, ne Prishtine dhe ne Tirane te cilet perkatesine etnike e konsiderojne derivat te karieres se tyre politike. Kjo shtrese ne emer te stabilitetit, te integrimit, te paqes synon te fshehe arsyen reale qe eshte kariera politike. Per kete shtrese, dy presidente, dy kryeministra, 4 apo 5 zevendekryeministra, 37 ministra, mbi 80 zevendesministra, mbi 100 ambasadore etj etj jane shume here me mire se se gjysma e tyre.Kjo rryme synon te perhapet edhe ne Maqedoni. Disa politikane shqiptare ne Tetove dhe ndonje ne Tirane po perhapin tezen se rruga e shqiptareve te Maqedonise do te jete e njejte me rrugen e gjermaneve te Zvicres. Dmth ashtu si ne Zvicer ku ka zvicerane por me origjine gjermane, po ashtu edhe ne Maqedoni do te kete maqedonas por me origjine shqiptare.Po cila eshte parzmorja e kesaj rryme ? Per ata qe jane ne Tirane, me e perhapur eshte teza mbi gjoja paternalizmin. Sipas tyre : Duhet te heqim dore nga paternalizmi mbi Kosoven apo Maqedonine !! Ata kane klasen e tyre politike ??!! Ndersa per ata qe jane ne Prishtine apo Tetove parzmorja kryesore eshte teza se ata nuk jane per Shqiperine e madhe, Etnike apo Natyrale. Domethene sipas tyre ata qenkan te detyruar te heqin dore nga perkatesia etnike, kombetare qe te mos i akuzojne si prishes te paqes dhe stabilitetit ne Ballkan !!Kjo rryme politike ne Tirane, Prishtine apo Tetove preferon me shume tezen e Boris Tadic mbi pavarsine politike dhe ekonomike te Kosoves apo mbi zhvillimin ekonomik te Gruevskit.Analiza e realitetit social politik ne hapsiren shqiptare te con ne konkluzionin se mos atakimi qysh sot i rrymes qe kerkon pavarsine e Kosoves nga Shqiperia do te perbeje neser boshtin e perballjes politike ndershqiptare. Pas pavarsise juridike te Kosoves, thelbi i luftes politike ne hapsiren shqiptare do te jete : Shqiptare apo otomane ?Duket se analiza dhe politologjia amerikane e njeh mire kete proces qe po ndodh ne hapsiren shqiptare. Duket se ajo nuk eshte dakord me rrymen qe synon pavarsine e Kosoves nga Shqiperia.

Dy Presidentët

Prandaj edhe Presidenti i SHBA, Bush deklaroi ne Tirane se SHBA mbeshtet kombin shqiptar duke perjashtuar cdo ekuivok mbi shperberjen e ketij kombi. Prandaj ai nuk e pranoi tezen e paternalizmit, por i kerkoi politikes se Tiranes qe te ushtroje presion mbi Prishtinen lidhur me zhvillimet e metejshme politike. Pra Xhorxh Bush, nuk e konsideroi Tiranen as aktive, as aktore, por thjeshte ashtu sic eshte : Regjizore dhe Piemont i shqiptareve. Prandaj edhe kryeministri i Shqiperise u nis urgjent ne Kukes per te takuar dhe transmetuar porosine e Bush tek Sejdiu dhe Ceku.Thelbi i mesazhit te Presidentit Bush ishte : SHBA eshte pro Pavarsise se Kosoves nga Serbia dhe kunder Pavarsise se saj nga Shqiperia.

Tirane, 12 qershor 2007


[Permalink]


Dienstag, 22. Mai 2007
RUSIA SOT!
Von ajkashqiptare, 23:29

                       

                             Nga: Arben Dervina

Qëndrimi i Rusisë, sa i përket zgjidhjes së statusit final të Kosovës, është përsëritur tashmë disa herë. Rusia nuk do të përkrahë pavarësinë e Kosovës, nëse me këtë nuk pajtohet Serbia dhe Kosova.

Duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të Prishtinës dhe Beogradit, është iluzion të mendohet se do të arrijnë të pajtohen në tavolinë shqiptarët dhe serbët.

Ata kurrë nuk arritën ndonjë marrëveshje që është realizuar deri më sot. Më në fund, plasi edhe lufta dhe u desh edhe ndërhyrja ndërkombëtare për ta çliruar Kosovën nga forcat serbe në vitin 1999. Pra, as para lufte e as pas lufte nuk u arrit asgjë në tavolinën e bisedimeve, vetëm fjalë të kota që nuk çonin askund!

Pas vdekjes së Zoran Gjingjiqit erdhi në pushtet Vojislav Koshtunica, i cili me të hipur në karrige, filloi refrenin e mitit të Kosovës dhe ngjalli prapë nacionalizmin serb që ishte molisur disi me disfatën ushtarake të Serbisë në Kosovë, në vitin 1999.

Në ditët e sotme kur Kosova e ka përkrahjen e shumicës së shteteve të botës, del Rusia, e cila e kundërshton ashpër këtë, duke dalë hapur kundër SHBA-së, Unionit Evropian dhe shumicës së shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Shtrohet pyetja kush është Rusia sot në botë?

Shumë nga ne e njohim më mirë ish-Bashkimin Sovjetik se sa shtetin e sotëm rus dhe potencialin e tij.

Bashkimi Sovjetik, sa i përket forcës (armatimit), mbisundonte shtetet perëndimore edhe pse SHBA kishte potencial mjaftë te madh, por nga ekspertët ndërkombëtarë, forca e Bashkimit Sovjetik ishte me epërsi në botë. Kjo u vërtetua në luftën e Vietnamit, ku bolshevikët të përkrahur nga blloku komunist, të prirë nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik, arritën të dalin fitimtarë kundër forcave amerikane, të cilat u detyruan të tërhiqen.

Shërbimi sekret - KGB i bënte ballë CIA-s dhe shërbimeve sekrete perëndimore, duke vjedhur informata të vlefshme përmes infiltrimit të agjentëve të saj, dhe falë KGB-së Rusia mbizotëronte disa shtete. Në këtë mënyrë mbahej gjallë fuqia e Bashkimit Sovjetik për 50 vjet me radhë.

Kurse sa i përket ekonomisë, shtetet perëndimore e zotëronin botën për shkak se fitoi teoria e ekonomisë së tregut.

Kur Mihail Gorbaçov erdhi në fuqi në vitin 1985, ekonomia e Bashkimit Sovjetik ishte në gjendje të vështirë, ndërsa gara për të prodhuar sa më shumë armë, solli së pari kolapsin ekonomik, pastaj edhe dezintegrimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1990. Me ardhjen në pushtet të Borisë Jelcinit ai e gjeti ekonominë e shkatërruar dhe korrupsioni kishte kapluar shtetin rus. Që nga ajo kohë e deri më sot, është bërë shumë pak përparim në mirëqenien e shtetasve rusë, shumica e tyre jetojnë në varfëri të skajshme, kurse në anën tjetër, në Moskë jeton një grup miliarderësh, të cilët janë pasuruar pa kufi. Çka është më kryesorja për Rusinë që të mbizotërojë në botë, armatën ruse e ka kapluar varfëria, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Sipas disa analistëve ndërkombëtarë, Armata Ruse nuk është ajo që ka qenë gjatë luftës së ftohtë.

Shtetin rus më së miri e ka përshkruar Mikhail Delyagin, këshilltar i ish kryeministrit rus Jevgeni Primakov:
"Përfaqësues të grupeve në pushtet kanë llogari bankare në Perëndim. Së dyti, duhet kuptuar se ushtria ruse nuk ekziston dhe se ekonomia e Rusisë është jashtëzakonisht e dobët. Flota jonë e Detit të Zi nuk është as në nivelin e forcave të Bullgarisë dhe Rumanisë".

Pra, për të qenë faktor zotërues në botë, shteti rus duhet ta ketë së pari ushtrinë e fortë, të cilën nuk e ka as të nivelit të shtetit turk.


Shtrohet pyetja tjetër, ku e merr atë guxim Vladimir Putini të dalë kundër Perëndimit?


Vladimir Putini erdhi në pushtet, falë ndihmës së Boris Jelcinit pas dorëheqjes së tij. Që nga ardhja e tij në pushtet është bërë një përparim i vogël në Rusi, por kritikët e akuzojnë atë për cenimin e drejtave të njeriut. Evropa është e varur nga gazi rus, ndërsa Rusia e përdorë gazin si mjet ndikimi mbi Evropën. Prejardhja e gazit në të vërtetë nuk është ruse, por burimin e ka në Azinë Qendrore.

Të marrim si shembull Ukrainën. Pothuajse 100 përqind e gazit të eksportuar në këtë vend e ka burimin në Turkmenistan. Rusia e blen gazin turkmen me çmim të ulët dhe e shet duke nxjerrë një fitim marramendës. Pra në raport me shtetet e Azisë Qendrore, Rusia po krijon një formë neokolonializmi që nuk duhet lejuar nga shtetet demokratike. Kurse para disa muajve Vladimir Putini urdhëroi tërheqjen nga traktatet e kontrollit të armëve për Evropën Qendrore për shkak të paralajmërimit amerikan të ngritjes së një sistemi për mbrojtje raketore. Ky vendim konsiderohet si fillimi i ftohjes së marrëdhënieve me perëndimin, që për mendimin tim, Rusisë do t'i kushtojë shumë shtrenjtë.

Nga ana tjetër si temë e nxehtë politike në botë po konsiderohet edhe zgjidhja e statusit final të Kosovës, ku shumica dërmuese e shteteve në botë e përkrahin pavarësinë e mbikëqyrur me përjashtim të Rusisë, e cila kërcënon perëndimin me vendosjen e vetos. Paralajmërimi i vendosjes së vetos ruse në Këshillin e Sigurimit do të ftohë përfundimisht marrëdhëniet Perëndim - Rusi. Ashtu siç kanë deklaruar zyrtarët perëndimorë, fajtor kryesor në ndezjen e fitilit në Kosovë dhe më vonë në Ballkan do të bëhej Rusia, ku ajo me atë rast do të duhej të paguante çmim te lartë në të ardhmen.

Jugosllavia u shkatërrua falë ekzistencës së Kosovës, që gjendej fatkeqësisht brenda shtetit jugosllav, ku nacionalizmi serb e mori hovin aty dhe e shkatërroi shtetin jugosllav me ideologji nacionaliste serbosllave.

A do të jetë Kosova burim i patriotizmit rus dhe shkaktar i shkatërrimit të Rusisë neokolonialiste, e cila kërcënon botën pa pasur forcë të intervenojë në rast konflikti brenda Federatës Ruse apo me Perëndimin.

Koha do të tregojë të vërtetën, momentalisht koha ecën për shqiptarët dhe Aleancën Veriatlantike dhe jo për Rusinë, e cila shpejtë do të futet në një situatë krize, që vështirë do t'ia dalë në krye.

[Permalink]


Nächste Seite »

Kostenloses Blog bei Beeplog.de

Die auf Weblogs sichtbaren Daten und Inhalte stammen von
Privatpersonen. Beepworld ist hierfür nicht verantwortlich.